Administrata e Trumpit e ndërpret programin për përcjelljen e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas
Ligjvënësit demokratë amerikanë do t’i bëjnë thirrje administratës së presidentit Donald Trump që të rikthejë një program që e ndihmon përcjelljen e mijëra fëmijëve ukrainas të rrëmbyer nga Rusia dhe që të shfrytëzojë sanksione për t’i ndëshkuar ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave.
Përderisa po godet një varg të gjatë të programeve qeveritare dhe shumicën e ndihmave të jashtme, administrata e presidentit republikan i ka dhënë fund një nisme të financuar nga qeveria e të udhëhequr nga Laboratori për Hulumtime Njerëzore i Universitetit Yale-t, me të cilin vëzhgohej dëbimi masiv i fëmijëve nga Ukraina, thanë ligjvënësit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ky vendim nënkupton se hulumtuesit e kanë humbur qasjen në një grumbull të madh të dhënash, përfshirë pamjet satelitore dhe informacione të tjerë, për rreth 30 mijë fëmijë të marrë nga Ukraina, përcjell gazeta "Nacionale".
“Ne kemi arsye për të besuar se të dhënat nga vendi ku ruheshin janë fshirë në mënyrë të përhershme. Nëse kjo është e vërtetë, do të kishte pasoja shkatërruese” – thanë ligjvënësit demokratë, të udhëhequr nga Greg Landsman, në një letër dërguar sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretarit të Thesarit, Scott Bessent, të cilën e pa agjencia “Reuters” të martën dhe që pritej t’u dërgohej të mërkurën.
Vendimi i Trumpit për t’i dhënë fund këtij programi dhe letra e ligjvënësve amerikanë u raportuan së pari nga gazeta “The Washington Post”. Një gjë e tillë u bë publike ditën e njëjtë kur Trumpi bisedoi përmes telefonit me homologun rus, Vladimir Putin, në të cilën Rusia nuk u pajtua me propozimin për armëpushim 30-ditor.
Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit në ShBA nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Një person i afërt me programin vëzhgues tha se anulimi i kontratës së Departamentit të Shtetit me Laboratorin për Hulumtime Njerëzore të Universitetit të Yale-t ka rezultuar në fshirjen e provave për krime lufte me vlerë të 26 milionë dollarëve, veprim që do të ndihmonte në mbrojtjen e Putinit.
“Ata morën 26 milionë dollarë të taksapaguesve amerikanë, të përdorur për të dhëna rreth krimeve të luftës, dhe i hodhën në një makinë për bluarjen e drurit, përfshirë dosjet e të gjitha fëmijëve” – tha ky person.
“Nëse do të doje ta mbroje presidentin Putin nga ndjekja penale, ti e shkatërron atë gjë dhe ata e bënë këtë. Është versioni përfundimtar i pranuar nga gjykata me të gjitha meta-informacionet” – shtoi ai.
Letra e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve gjithashtu i bën thirrje administratës së Trumpit që t’u vendosë sanksione e t’i ndëshkojë zyrtarët në Rusi dhe në aleaten e saj, Bjellorusi, që janë të përfshirë në largimin e fëmijëve nga Ukraina./Nacionale