“Absolutisht për Trumpin tash”; “më keq sesa mendoja”: Bideni i zhgënjen edhe të pavendosurit - NACIONALE

“Absolutisht për Trumpin tash”; “më keq sesa mendoja”: Bideni i zhgënjen edhe të pavendosurit

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Një grup i votuesve amerikanë, që nuk dinin se cilin ta zgjidhnin mes demokratit Joe Biden e republikanit Donald Trump para debatit presidencial të së enjtes, i kanë shprehur vendimet e tyre pas ballafaqimit mes dy politikanëve dhe ato përbëjnë përgjithësisht lajm të keq për presidentin.

Nga 13 të pavendosurit që biseduan me agjencinë “Reuters”, dhjetë prej tyre e përshkruan performancën e presidentit 81-vjeçar kundër Trumpit në mënyrë kolektive si të dobët, të hutuar, të sikletshme dhe vështirë për ta shikuar.

Gina Gannon, 65 vjeçe, nga shteti i rëndësishëm për zgjedhjet në ShBA, Georgia, e kishte votuar Trumpin më 2016, ndërsa Bidenin më 2020.

“Joe Bideni u duk shumë i dobët dhe i hutuar që nga fillimi. Më shqetëson [fakti] që armiqtë tanë globalë e shohin Joe Bidenin në këtë gjendje. Isha e shokuar dhe e zhgënjyer. Urrej që ta shoh presidentin tonë duke vepruar në atë mënyrë në televizion dhe para botës. Absolutisht do ta votoj Donald Trumpin tani” – tha ajo.

Debatet presidenciale zakonisht kanë ndikim të kufizuar te votuesit, por Bideni dhe Trumpi janë në garë të ngushtë dhe zgjedhjet me gjasë do të vendosen vetëm nga disa mijëra vota në pak shtete kyçe. Të dy kandidatëve u nevojitet mbështetja e një numri relativisht të vogël të votuesve që ende nuk kanë vendosur se cilin do ta votojnë.

Shtatë prej nëntë votuesve që ishin të zhgënjyer me performancën e Bidenit i thanë agjencisë “Reuters” se tani priren për ta votuar Trumpin, sepse nuk besojnë më se Bideni mund t’i kryejë detyrat si president.

Tre prej tyre thanë se përfundimisht do ta votojnë Trumpin në zgjedhjet e 5 nëntorit, edhe pse dy prej tyre thanë se nuk u pëlqen ish-presidenti republikan.

Meredith Marshall, 51 vjeçe, që jeton në zonën e Los Angelesit dhe është e vetëpunësuar, tha se debati mes dy kandidatëve e la të shokuar.

“Zoti më faltë, nëse zgjedhjet e mia janë ashtu siç qëndrojnë tani, duke u mbështetur në këtë debat. Lehtësisht do të votoja një gënjeshtar dhe një të dënuar para një personi që nuk duket se është tamam mendërisht” – tha ajo.

“Çfarë katastrofe për demokratët” – tha Scott Harrington, 63 vjeç, shitës peshku në Massachusetts, pasi e shikoi debatin.

“Unë në parim isha i pavendosur, por po shpresoja që Bideni do të kishte qenë mjaftueshëm i mirë që ta votoja. Nuk më pëlqen Trumpi hiç. Isha i brengosur se Bideni do të tregonte se nuk është i aftë për pozitën, por ai ishte edhe më keq sesa mendoja. Mundem thjesht të abstenoj” – shtoi ai.

Sidoqoftë, nuk ishte krejt zi për Bidenin.

Ashley Altum, menaxhere 28-vjeçare e kujdesit shëndetësor mendor nga Karolina e Jugut kishte mëdyshje mes Bidenit dhe një kandidati të tretë para debatit. Tani ajo priret më shumë për ta votuar Bidenin.

Ajo tha se ishte e kënaqur me përgjigjet e Bidenit, duke marrë parasysh se ai ishte më i gatshëm se Trumpi për t’i adresuar pyetjet drejtpërdrejt./Nacionale

Lajme të ngjashme