A e dinte rrezikun: Del një video e Prigozhinit ku fliste për sigurinë e vet - NACIONALE

A e dinte rrezikun: Del një video e Prigozhinit ku fliste për sigurinë e vet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në një video të publikuar rishtazi të ish-shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, i cili vdiq javën e kaluar në një aksident me aeroplan në Rusi, pretendohet se ai shihet në Afrikë vetëm disa ditë para vdekjes, duke folur për spekulimet rreth mirëqenies së tij dhe rreziqeve të mundshme ndaj sigurisë së tij.

“Për ata që po diskutojnë nëse unë jam gjallë apo jo, se si po kaloj – tani është fundjavë, gjysma e dytë e gushtit të vitit 2023, jam në Afrikë”- thotë Prigozhini në videon e shkurtër të publikuar në kanalin “Grey Zone” në rrjetin “Telegram”, që është i lidhur me grupin “Wagner”, raporton agjencia “Reuters”.

“Pra, për njerëzit që u pëlqen të diskutojnë për zhdukjen time ose për jetën time private, sa fitoj ose çfarëdo tjetër – gjithçka është në rregull”- thotë ai, duke përshëndetur me dorë.

Agjencia “Reuters” nuk ka mundur që t’i vërtetojë vendin e videos ose datën e incizimit të saj, që shihet se është bërë në një veturë në lëvizje. Sidoqoftë, rrobat dhe kapela ushtarake e Prigozhinit si dhe ora në dorën e djathtë përputhen me pamjen e tij në një video të publikuar më 21 gusht, për të cilën ai gjithashtu kishte pretenduar se ishte bërë në Afrikë.

Përmendja e fundjavës nga Prigozhini në video do të duhej të jetë bërë më 19 ose 20 gusht, vetëm tri ose katër ditë para rrëzimit të aeroplanit afër Moskës më 23 gusht, ku vdiqën ai dhe disa figura të tjera të larta të grupit “Wagner”.

Komentet e Prigozhinit në video e pasqyrojnë vetëdijen e tij për rreziqet ndaj jetës së tij.

Forcat e tij luftuan për Rusinë në Ukrainë, por Prigozhini i kishte kritikuar ashpër udhëheqësit e mbrojtjes në Rusi dhe kishte udhëhequr një kryengritje të dështuar në qershor.

Kremlini i ka cilësuar si “rrenë të plotë” sugjerimet se presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhër për vrasjen e Prigozhinit si hakmarrje, por ka shtuar se në hetime është duke u shqyrtuar edhe mundësia që aeroplani të jetë rrëzuar qëllimisht.

Lajme të ngjashme