Rusia nuk do ta hetojë rrëzimin e aeroplanit të Prigozhinit sipas rregullave ndërkombëtare - NACIONALE

Rusia nuk do ta hetojë rrëzimin e aeroplanit të Prigozhinit sipas rregullave ndërkombëtare

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia e ka informuar autoritetin hetues brazilian për rrëzimin e aeroplanëve se nuk do ta hetojë rrëzimin e aeroplanit të prodhuesit “Embraer”, nga i cili vdiq shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, sipas rregullave ndërkombëtare “për momentin”, i tha të martën agjencisë “Reuters” institucioni brazilian.

Qendra për Hulumtimin dhe Parandalimin e Aksidenteve Aeronautike e Brazilit, në interes të përmirësimit të sigurisë së aviacionit, kishte thënë se do t’i bashkohej një hetimi të udhëhequr nga rusët, nëse do të ftohej dhe nëse hetimi do të zhvillohej sipas rregullave ndërkombëtare, raporton agjencia “Reuters”.

Autoriteti rus i aviacionit nuk ishte i detyruar që t’i përgjigjej pozitivisht agjencisë braziliane, por disa ish-hetues thanë se do të duhej të ishte ashtu, përderisa ShBA-ja dhe disa vende të tjera perëndimore dyshojnë se Kremlini qëndron prapa aksidentit të 23 gushtit, ku u përfshi aeroplani i tipit “Legacy 600”, që ka histori të mirë të sigurisë.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, që është pjesë e OKB-së, fluturimi nga Moska për në Shën Petersburg ishte fluturim i brendshëm, prandaj nuk është subjekt i rregullave ndërkombëtare që në mbarë industrinë njihen me emrin ligjor, “Aneksi 13”.

“Ata nuk janë të detyruar, por vetëm të rekomanduar që ta bëjnë këtë”- tha Marcelo Moreno, brigadier ajror në agjencinë braziliane për hetimin e aksidenteve ajrore, pasi ky institucion javën e kaluar i dërgoi një shkresë elektronike Rusisë për ta pyetur nëse do të niste hetim ndërkombëtar për këtë rast.

“Por nëse ata thonë se do të hapin një hetim dhe e ftojnë Brazilin, ne do të marrim pjesë nga larg”- shtoi Moreno.

Konsulenti amerikan për sigurinë e aviacionit dhe ish-hetuesi John Cox, tha se një hetim i brendshëm i Rusisë gjithmonë do të vihej në pikëpyetje pa pjesëmarrjen e Brazilit, vendi ku aeroplani ishte prodhuar.

“Mendoj se kjo është shumë pikëlluese”- tha ai, pasi u njoftua për përgjigjen e Rusisë. “Mendoj se kjo e dëmton transparencën e hetimit rus”- shtoi amerikani Cox.

Lajme të ngjashme