Inteligjenca amerikane ka një teori që beson se e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit të Prigozhinit - NACIONALE

Inteligjenca amerikane ka një teori që beson se e shkaktoi rrëzimin e aeroplanit të Prigozhinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sipas një vlerësimi preliminar të inteligjencës amerikane, një shpërthim i qëllimshëm e ka shkaktuar rrëzimin e aeroplanit ku besohet se ka vdekur shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin. Ka dyshime se prapa tërë këtij plani qëndron presidenti rus, Vladimir Putin.

Njëri nga zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë që e përshkruan vlerësimin fillestar tha se konkluzioni i tyre përcakton se ka shumë gjasa që në shënjestër ishte Prigozhini dhe se ky shpërthim është në linjë me “historinë e gjatë të përpjekjeve (të Putinit) për t’ua mbyllur gojën kritikuesve të tij”, raporton agjencia “Associated Press”.

Zyrtarët, që folën në kushte anonimiteti, sepse nuk ishin të autorizuar për të komentuar, nuk ofruan ndonjë hollësi për atë se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin, për të cilin besohet gjerësisht se është hakmarrje për kryengritjen në qershor që e paraqiti sfidën më të madhe ndaj pushtetit 23-vjeçar të Putinit. Disa prej udhëheqësve të lartë të grupit të Prigozhinit gjithashtu mendohet se kanë vdekur nga rrëzimi i aeroplanit.

Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, tha se raportimet e mediave se një raketë tokë – ajër e ka rrëzuar aeroplanin janë të pasakta. Ai refuzoi të thoshte nëse ShBA-ja dyshon ose beson që një bombë e ka shkaktuar rrëzimin ose nëse beson që kjo ishte vrasje.

Në komentet e para për këtë rast, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se pasagjerët që ndodheshin në aeroplan “kishin dhënë kontribut të konsiderueshëm” për luftimet në Ukrainë.

“Ne e mbajmë mend këtë, e dimë dhe nuk do të harrojmë”- tha ai në një intervistë me udhëheqësin e emëruar nga rusët në rajonin e pushtuar pjesërisht të Ukrainës, Denis Pushilin.

Putini theksoi se e njihte Prigozhinin nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta dhe e përshkroi atë si “njeri me fat të vështirë” që kishte bërë “gabime serioze në jetë dhe ai i arriti rezultatet që i duheshin – edhe për veten dhe, kur e pyeta për këtë, për kauzën e përbashkët, si në këta muajt e fundit”. “Ai ishte njeri i talentuar, biznesmen i talentuar”- shtoi presidenti rus.

Disa kanale ruse në rrjete sociale raportuan se trupat e viktimave ishin djegur ose gjymtuar aq shumë, saqë duhej të identifikoheshin përmes ADN-së. Këto raportime dolën në media të pavarura ruse, por agjencia “Associated Press” nuk ka mundur t’i vërtetojë ato në mënyrë të pavarur.

Lajme të ngjashme