Dyshime të reja: Pentagoni thotë se s’ka të dhëna për teorinë e sulmit me raketë ndaj aeroplanit të Prigozhinit - NACIONALE

Dyshime të reja: Pentagoni thotë se s’ka të dhëna për teorinë e sulmit me raketë ndaj aeroplanit të Prigozhinit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara tha të enjten se tash për tash nuk kishte informata që sugjerojnë se një raketë tokë – ajër e ka rrëzuar aeroplanin në të cilin thuhet se ndodhej shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin.

Gjeneral brigade, Patrick Ryder, zëdhënës i Pentagonit, gjatë një konference për gazetarë në Pentagon nuk paraqiti dëshmi ose hollësi të mëtejme për atë se çfarë zyrtarët amerikanë besojnë se e ka shkaktuar rrëzimin e aeroplanit.

Agjencia “Reuters” kishte raportuar më herët të enjten se Shtetet e Bashkuara ishin duke analizuar një numër teorish për shkaktarin e mundshëm të rrëzimit të aeroplanit në Rusi dhe citoi dy zyrtarë amerikanë të kenë thënë se aeroplani, me gjasë, ishte goditur nga një raketë tokë – ajër.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, theksuan se informata ishte ende preliminare dhe nën shqyrtim dhe nuk përjashtuan ndonjë ndryshim të vlerësimit.

“Nuk kemi ndonjë informatë që e tregon tash për tash raportimin e shtypit se ishte një lloj rakete tokë – ajër që e rrëzoi aeroplanin”- tha Ryder para gazetarëve.

Autoritetet ruse kanë thënë se Prigozhini, krahu i tij i djathtë, Dmitry Utkin, dhe tetë persona të tjerë ndodheshin në aeroplanin privat që u rrëzua pa asnjë të mbijetuar afër Moskës të mërkurën.

Gazeta e njohur amerikane, “The Wall Street Journal”, raportoi për një teori tjetër, duke cituar zyrtarë të ShBA-së: se një bombë në aeroplan ose ndonjë formë tjetër e sabotimit e shkaktoi rrëzimin e tij.

Të mërkurën, presidenti Joe Biden i ShBA-së tha se nuk ishte i befasuar nga raportimet se Prigozhini kishte vdekur nga rrëzimi i aeroplanit, duke shtuar se në Rusi nuk ndodhin shumë gjëra prapa të cilave nuk qëndron presidenti rus, Vladimir Putin.

Të enjten, presidenti rus tha se dëshiron që t’u shprehë ngushëllime të sinqerta familjeve të të vdekurve nga rrëzimi i aeroplanit dhe shtoi se është e nevojshme që të pritet rezultati i hetimit zyrtar për këtë rast.

Lajme të ngjashme