Bideni e drejton gishtin nga Putini për vdekjen e Prigozhinit: S’jam i befasuar
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka lënë të kuptohet se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin, është i përfshirë në vdekjen e shefit të grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, në një aksident me aeroplan, duke thënë se ai nuk është i befasuar për këtë.
“Nuk di me të vërtetë se çfarë ndodhi, por nuk jam i befasuar. Nuk ka shumë gjëra që ndodhin në Rusi e prapa të cilave nuk është Putini, por nuk di mjaftueshëm për ta ditur përgjigjen”- tha presidenti amerikan, raporton gazeta “The Guardian”.
"Rosaviatsia", autoriteti rus i aviacionit, tha se Prigozhini dhe komandanti i lartë i grupit “Wagner”, Dmitry Utkin, ishin në mesin e dhjetë personave që po udhëtonin në një aeroplan të prodhuesit “Embraer” që u rrëzua të mërkurën në mbrëmje.
Shkaktari i aksidentit nuk qe menjëherë i qartë, por përplasja e gjatë e Prigozhinit me ushtrinë ruse dhe kryengritja e armatosur që ai e udhëhoqi në qershor do të ishin motive të bollshme për shtetin rus që të hakmerrej.
Ndihmësi presidencial ukrainas, Mykhaylo Podolyak, tha se aksidenti me aeroplan të mërkurën është “sinjal nga Putini për elitën e Rusisë para zgjedhjeve të vitit 2024”. “Kujdes! Pabesia është e barabartë me vdekje”- tha ai.
Kremlini ende nuk e ka komentuar rrëzimin e aeroplanit. Vetë Putini nuk e përmendi këtë rast gjatë një fjalimi në Moskë për shënimin e 80-vjetorit të fitores së Betejës së Kurskut gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në ndërtesën ku ndodhen zyrat e grupit “Wagner” në Shën Petersburg, dritaret u ndriçuan në atë mënyrë, që të shfaqnin një kryq të madh në shenjë respekti dhe vajtimi. Afër zyrave të mërkurën u lanë lule dhe u ndezën qirinj. E ardhmja e grupit mbetet e paqartë.
