Shtohen dyshimet: Aeroplani i Prigozhinit dukej pa probleme në radar deri në 30 sekondat e fundit
Aeroplani i tipit “Legacy 600”, ku besohet se ndodhej shefi i grupit “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, për të cilin raportohet se ka vdekur, nuk shfaqi shenja të problemeve deri në momentin e rrëzimit të rrëmbyeshëm në 30 sekondat e fundit, sipas të dhënave për përcjelljen e fluturimeve.
“Rosaviatsia”, agjencia ruse e aviacionit, tha se Prigozhini ishte njëri nga dhjetë personat që ndodheshin në aeroplanin e rrëzuar. Aeroplani ishte duke udhëtuar nga Moska për në Shën Petersburg, kur u rrëzua afër fshatit Kuzhenkino të rajonit Tver, tha Ministria e Situatave Emergjente e Rusisë, raporton agjencia “Reuters”.
Në orën 3 e 19 minuta pasdite, aeroplani bëri një “lëvizje të papritmas vertikale”, tha Ian Petchenik nga uefaqja “Fligtradar24”. Brenda rreth 30 sekondave, aeroplani kishte rënë poshtë për rreth 2.500 metra nga lartësia e fluturimit prej më shumë se 8.500 metrash.
“Çfarëdo që ndodhi, ndodhi shpejt. Ata mund të kenë qenë duke luftuar (me aeroplanin) pas çfarëdo gjëje që ndodhi”- tha Petcheniku. Megjithatë, sipas tij, para rënies dramatike të lartësisë, “nuk kishte shenja se ndonjë gjë po shkonte keq me aeroplanin”.
Në një video, aeroplani shihet duke e humbur lartësinë shpejt. Pjesa e përparme e tij pothuajse shihet drejt teposhtë, ndërsa një re tymi mbetet pas aeroplanit.
Hetuesit rus kanë hapur një hetim për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur. Disa burime të paidentifikuara u kanë thënë mediave ruse se ato besojnë që aeroplani është rrëzuar nga një raketë e sistemeve tokë – ajër. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta konfirmojë këtë.
Prodhuesi Brazilian i aeroplanëve, “Ebraer SA”, tha se nuk ka qenë duke ofruar ndonjë shërbim apo mbështetje për këtë aeroplan viteve të fundit.
Kompania tha në një deklaratë se u është përshtatur sanksioneve ndërkombëtare që i janë vendosur Rusisë. Uebfaqja “Flightradar24” e regjistroi për herë të fundit pozicionin e aeroplanit në orën 3 e 11 minuta, para rrëzimit.
Të dhëna të tjera vazhduan të rridhnin për nëntë minuta. Faqja “Flightradar24” tha se aeroplani kaloi nëpër një varg ngritjesh e uljesh prej qindra metrash gjatë 30 sekondave para rënies përfundimtare. Të dhënat e fundit u pranian në orën 3 e 20 minuta pasdite.
