Samiti i G7: Biden kërkon unitet nga Perëndimi në lidhje me Ukrainën - NACIONALE

Samiti i G7: Biden kërkon unitet nga Perëndimi në lidhje me Ukrainën

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ditën e dielë, presidenti Joe Biden dhe aleatët perëndimorë hapën një samit tre-ditor në Alpet bavareze me qëllim që të parandalojnë prishjen e koalicionit global që punon për të ndëshkuar agresionin rus.

Sipas Associated Press, gjatë këtij takimi, kryeministri britanik Boris Johnson ka kërkuar nga liderët që të mos dorëzohen para “lodhjes”, dhe u vendosën ndalime të reja për importet a arit rus, me qëllim për të izoluar më tej Rusinë ekonomikisht.

Ndërkohë, sipas kryebashkiakut të Kievit, Vitali Klitschko, në një shfaqje të forcës para samitit, Rusia nisi sulmet e para me raketa kundër kryeqytetit ukrainas në tre javë, duke goditur të paktën dy ndërtesa banimi, ku u vra një person dhe mbetën të plagosur disa të tjerë.

Presidenti amerikan i dënoi menjëherë veprimet e Rusisë, duke i quajtur “barbarizëm" dhe theksoi nevojën që aleatët të qëndrojnë të vendosur edhe përkundër pasojave ekonomike.

“Ne duhet të qëndrojmë së bashku, sepse Putini ka llogaritur që në fillim se NATO dhe G7 do të ndaheshin disi, por ne nuk e kemi bërë dhe nuk do ta bëjmë”, është shprehur Biden gjatë një takimi paraprak me kancelarin gjerman Olaf Scholz, i cili mban presidencën e rradhës të G7 dhe është mikpritës i mbledhjes.

Biden dhe homologët e tij po përdornin mbledhjen për të diskutuar se si të sigurojnë furnizimet me energji dhe të trajtojnë inflacionin e shkaktuar nga pasojat e luftës. Udhëheqësit gjithashtu kanë në diskutim një partneritet të ri global të infrastrukturës që synon të ofrojë alternativa ndaj investimeve ruse dhe kineze në botën në zhvillim.

Ndërsa, një zyrtar i lartë i administratë Biden tha se, Biden dhe Scholz kanë rënë dakord që është e nevojshme të diskutohet një fund i luftës në Ukrainë, por nuk kanë dhënë detaje se si do të arrihej kjo.

Edhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel është shprehur se qeveritë e BE-së ishin të gatshme të ofrojnë "më shumë mbështetje ushtarake, më shumë mjete financiare dhe më shumë mbështetje politike" për t'i mundësuar Ukrainës të mbrohet dhe të frenojë aftësinë e Rusisë për të bërë luftë".

Kujtojmë se, BE-ja ka vendosur gjashtë raunde sanksionesh kundër Rusisë, ku i fundit është ndalimi i 90% të importeve të naftës së papërpunuar ruse deri në fund të vitit.

Biden dhe liderët e Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, kaluan të dielën në mjedise formale dhe joformale duke diskutuar efektet e luftës në ekonominë globale, përfshirë inflacionin dhe infrastrukturën.

Lajme të ngjashme