“Izraeli s’u la vetëm kundër Iranit”: Zelensky ia kërkon NATO-s të paktën shtatë sisteme “Patriot” - NACIONALE

“Izraeli s’u la vetëm kundër Iranit”: Zelensky ia kërkon NATO-s të paktën shtatë sisteme “Patriot”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u tha vendeve të NATO-s të premten se shteti i tij ka nevojë për të paktën shtatë sisteme modern të mbrojtjes ajrore, “Patriot”, për t’iu kundërvënë sulmeve ajrore ruse, duke i nxitur aleatët që ta shtojnë asistencën ushtarake për Kievin.

Në një fjalim emocional përmes video-lidhjes në Këshillin NATO – Ukrainë, presidenti Zelensky e përshkroi nivelin e tanishëm të ndihmave të huaja si “shumë të kufizuar” dhe tha se Izraeli nuk ishte lënë për t’u mbrojtur i vetëm gjatë sulmit ajror masiv të Iranit të shtunën, raporton agjencia “Reuters”.

“Putini duhet të kthehet në Tokë dhe qielli ynë duhet të bëhet i sigurt përsëri… dhe kjo varet plotësisht nga zgjedhja juaj… zgjedhja nëse ne jemi vërtet aleatë” – tha presidenti ukrainas në fjalimin e tij.

Rusia e ka shtuar bombardimin me rreze të gjatë të infrastrukturës energjetike të Ukrainës javëve të fundit, duke e shtuar presionin ndaj Kievit, përderisa forcat më të shumta e më mirë të pajisura të Moskës po përparojnë ngadalë në fushëbetejë në lindje.

Sipas Zelenskyt, vetëm gjatë këtij viti, Ukraina është sulmuar nga gati 1.200 raketa ruse, më shumë se 1.500 dronë dhe 8.500 bomba me drejtim, në kohën e ngadalësimit të ndihmave perëndimore për Kievin.

“Po e themi këtë drejtpërdrejt – për t’u mbrojtur, na nevojiten edhe shtatë sisteme të mbrojtjes “Patriot” ose të ngjashme dhe ky është numër minimal. Ato mund të shpëtojnë shumë jetë dhe vërtet ta ndryshojnë situatën” – tha presidenti ukrainas.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha pas takimit mes ministrave të mbrojtjes dhe Zelenskyt se aleatët ishin pajtuar për ta furnizuar Ukrainën me sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore./Nacionale

Lajme të ngjashme