Pasuria e Memli Krasniqit: Shtëpi, banesë, bibliotekë, kriptovaluta e vepra arti
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e Kosovës i ka publikuar deklarimet e pasurisë së zyrtarëve shtetërorë. Çfarë posedon kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi?
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Krasniqi te pasuritë e paluajtshme ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 110 metrash katrorë me vlerë të 120 mijë eurove dhe një shtëpi, në pronësi të përbashkët, me sipërfaqe prej 202 metrash katrorë me vlerë të 180 mijë eurove.
Banesën thotë se e ka ndërruar me një apartament paraprak në vitin 2021, ndërsa shtëpia është blerë me “kredi, kursime dhe kontribut familjar”, sipas të dhënave të deklaruara në regjistër.
Krasniqi ka edhe pasuri të luajtshme të përbashkët. Në këtë pjesë, ai ka deklaruar një bibliotekë me vlerë të 14 mijë eurove, vepra arti me vlerë të 8 mijë eurove si dhe një veturë të bashkëshortes, të blerë me kredi. Në regjistër thuhet se vlera e veturës është 21 mijë euro.
Sipas regjistrit zyrtar, Krasniqi nuk ka deklaruar se ka aksione në shoqëri tregtare ose letra me vlerë.
Megjithatë, kreu i partisë më të madhe opozitare në vend ka shumë lloje të kriptovalutave. Në krye të tyre, vlen të theksohet posedimi i dy kriptovalutave “Bitcoin” me vlerë të përbashkët prej 65 mijë eurosh. Ai ka deklaruar edhe dhjetë kriptovaluta “Ether” me vlerë të 3 mijë e 300 eurove.
Para të gatshme në bankë ka 3 mijë e 394 euro, me prejardhje nga paga. Bashkëshortja e tij ka mbi 32 mijë euro nga "paga, shpërblimi dhe trashëgimia", sipas regjistrit.
Në të ardhurat vjetore, Krasniqi ka deklaruar pagë vjetore prej 19 mijë e 295 eurosh.