Për vota, Bideni ndërhyn në drejtësi, del kundër Gjykatës Supreme: Lufta s’ka përfunduar - NACIONALE

Për vota, Bideni ndërhyn në drejtësi, del kundër Gjykatës Supreme: Lufta s’ka përfunduar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e quajti “ditë pikëlluese për vendin” vendimin e Gjykatës Supreme për ta rrëzuar rastin “Roe kundër Wade” dhe u bëri thirrje votuesve që të marrin masa në zgjedhjet e mesit të mandatit në nëntor për t’i mbrojtur të drejtat e abortit.

“Kjo është një ditë pikëlluese për vendin, sipas pikëpamjes sime, por kjo nuk do të thotë se lufta ka përfunduar”, tha presidenti amerikan në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë.

Ai bëri të ditur se administrata e tij do të marrë masa për ta lehtësuar qasjen në aborte, si mbrojtja e grave që udhëtojnë në një shtet tjetër të ShBA-së për të kryer abort dhe mbrojtja e qasjes në pilula kontraceptive e për abort. Megjithatë, presidenti amerikan tha se, përfundimisht, u takon Kongresit dhe votuesve që t’i mbrojnë të drejtat e abortit.

“Ky vendim nuk duhet të jetë fjala përfundimtare. Administrata ime do ta përdorë tërë pushtetin e ligjshëm dhe të duhur, por Kongresi duhet të veprojë. Me votën tuaj, ju mund të veproni, ju mund ta keni fjalën e fundit. Kjo nuk ka përfunduar”, tha ai.

Vendimi u mor në një moment kritik për Bidenin dhe demokratët, që po shpresojnë që ta përdorin këtë vendim për t’i dhënë energji bazës së tyre të votuesve për të votuar në zgjedhjet e mesit të mandatit. Megjithatë, çështja mund të mbetet në hije në aspektin politik për shkak të shqetësimeve më të mëdha për ekonominë, që votuesit e kanë cilësuar si problem kryesor, shkruan "NBC News".

“Këtë vjeshtë, (çështja) Roe është në kutinë e votimit, liritë personale janë në kutinë e votimit, e drejta për privatësi, liri, barazi është në kutinë e votimit”, tha presidenti amerikan.

Bideni gjithashtu tha se Gjykata Supreme po e çon vendin në një rrugë ekstreme e të rrezikshme dhe e quajti mizor vendimin e gjykatës për shkak se, sipas tij, ky vendim do të ketë ndikim joproporcional te gratë me të ardhura të ulëta./Nacionale

Lajme të ngjashme