Morrison-i e pranon humbjen dhe jep dorëheqje nga kryetari i partisë, Albanese kryeministër - NACIONALE

Morrison-i e pranon humbjen dhe jep dorëheqje nga kryetari i partisë, Albanese kryeministër

1 vit më parë

nga NACIONALE

[E përditësuar] - Kryeministri i deritashëm i Australisë, Scott Morrison, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet e përgjithshme kundër kryetarit të Partisë Laburiste, që besohet se ka prejardhje arbëreshe, Anthony Albanese.

Humbësi, përpos që e pranoi humbjen, tha se do të japë dorëheqje nga posti i udhëheqësit të liberalëve pas rezultatit të pakënaqshëm në zgjedhje.

“Ajo që australianët kanë e kanë duruar në këto vite ka shfaqur thellësi të jashtëzakonshme të karakterit, qëndrueshmërisë dhe fuqisë”, tha ai.

“Ka qenë populli australian, me përkrahjen e fuqishme të një qeverie të fuqishme, që na ka mundësuar të gjithë neve që të vijmë aty ku jemi sot dhe kjo është diçka për të cilën të gjithë australianët mund të japin falënderime përderisa lëvizim përpara”, shtoi kryeministri i deritashëm australian.

__________

(09:20) Australianët po votojnë në zgjedhje të përgjithshme të shtunën. Sipas anketave, Partia Laburiste në opozitë, e udhëhequr nga Anthony Albanese, politikan që besohet se e ka prejardhjen nga arbëreshët e Italisë, ka epërsi të ngushtë ndaj koalicionit konservator në pushtet.

E majta e qendrës mbajti epërsi modeste para fushatës pas nëntë vjetëve në opozitë, por anketat e fundit treguan se partia e kryeministrit Scott Morrison e ka ngushtuar dallimin në pjesën e fundit të një fushate të fuqishme 6-javore.

Sipas një ankete të organizuar nga gazeta “The Australian” ditën e zgjedhjeve, epërsia e Partisë Laburiste ndaj partisë në pushtet është 53 me 47 për qind në pyetjen për të zgjedhur mes vetëm këtyre dy partive.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 18:00 sipas kohës lokale. Kryeministri Morrison dhe udhëheqësi i opozitës, Anthony Albanese, votuan në mëngjesin e vonshëm pas një fushate ku mbizotëruan temat si ngritja e kostos së jetesës, ndryshimet klimatike dhe integriteti.

“Sot, australianët po bëjnë një zgjedhje të madhe për të ardhmen e tyre. Australia ka nevojë për dikë që di si t’i menaxhojë paratë, që di si të merret me interesat e sigurisë kombëtare, që di si të lëvizë përpara dhe ta sigurojë ekonominë e fuqishme”, tha kryeministri Morrison në qendrën ku votoi.

Në anën tjetër, opozitari Albanese tha se australianët duan ndryshim të qeverisë, për të cilën tha se nuk ka asgjë me të cilën mund të ndihet krenare.

Rezultatet fillestare pritet të dalin të shtunën në mbrëmje, ndonëse Komisioni Zgjedhor ka paralajmëruar se fituesi i qartë mund të mos dihet, nëse gara është e ngushtë, për shkak të kohës që nevojitet për të numëruar rreth tre milionë vota me postë.

A ka Albanese prejardhje shqiptare?

Anthony Albanese është i biri i Carlo Abanese-s nga Barletta e Italisë dhe Maryanne Ellery, australiane me prejardhje irlandeze.

Qyteza Barleta shtrihet në jug të Italisë, në rajonin Apulia. Sipas faqes greke, “Greek City Times”, në Apulia jeton një komunitet i madh i arbëreshëve. Besohet se atje jetojnë rreth 100.000 arbëreshë dhe se nga ky komunitet e ka prejardhjen edhe babai i politikanit australian, që ka gjasa të mira për t’u bërë kryeministër.

Një shenjë e fuqishme për prejardhje arbëreshe është mbiemri “Albanese”, që nga italishtja në gjuhën shqipe do të thotë “shqiptar”.

Arbëreshët janë pasardhës të refugjatëve shqiptarë, të cilët janë larguar nga trojet e veta në Ballkan dhe janë vendosur në pjesët jugore të Italisë në Epokën e Mesjetës, pas pushtimit osman të një pjese të madhe të Evropës.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme