Gjermanisë i nevojitet një kthesë ekonomike, thotë ministri i Financave - NACIONALE

Gjermanisë i nevojitet një kthesë ekonomike, thotë ministri i Financave

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjermania ka nevojë për një kthesë ekonomike për ta siguruar pozicionin e vet gjeopolitik, tha të shtunën ministri i Financave dhe kreu i partisë FDP, Christian Lindner.

Ekonomia gjermane ishte më e dobëta në mesin e ekonomive të mëdha të Eurozonës vitin e kaluar, pasi kostot e larta të energjisë, porositë e dobëta globale dhe rritja rekorde e shkallës së interesit i lanë pasojat e veta, raporton agjencia “Reuters”.

Ministri Lindner tha se dobësia ekonomike e Gjermanisë ka pasoja për sigurinë dhe gjeopolitikën.

“Ne kemi nevojë për kthesë ekonomike, sepse, në fund, fuqia ekonomike është gjithashtu një faktor në gjeopolitikë” – tha ai në konferencën e partisë së vet në Berlin, duke iu referuar luftës së Putinit kundër Ukrainës.

“Qëllimi i Putinit është që ta ushtrojë fuqinë mbi ne dhe ne nuk duhet të lejojmë kurrë që kjo të ndodhë” – shtoi ministri gjerman. Sidoqoftë, sipas tij, për t’i pasur mjetet e nevojshme kundër kësaj, nevojitet rritja ekonomike.

Ky vit pritet të jetë sfidues për ekonominë më të madhe të Evropës. Në Perspektivën Ekonomike Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka ulur parashikimin për rritje të prodhimit vendës bruto në Gjermani për 0,3 për qind për dy vjet, duke pritur rritje për vetëm 0,2 për qind këtë vit e 1,3 për qind më 2025.

Këto parashikime janë nën nivelin e vlerësimit për rritje prej 0,8 për qind këtë vit e 1,5 për qind më 2025 për Eurozonën, duke treguar se Gjermania ka mbetur prapa në bllok, pasi ishte ekonomia e vetme e rëndësishme që pësoi tkurrje vitin e kaluar.

Lajme të ngjashme