51 njerëz që po prisnin për ndihma u vranë nga tanket izraelite në Gaza, thotë ministria - NACIONALE

51 njerëz që po prisnin për ndihma u vranë nga tanket izraelite në Gaza, thotë ministria

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zjarri izraelit me predha tankesh la të vrarë të paktën 51 palestinezë të martën, përderisa ata ishin duke pritur kamionë me ndihma në qytetin Khan Younis, në pjesën jugore të Rripit të Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë, duke shtuar se dhjetëra të tjerë u plagosën.

Sipas mjekëve, banorët thanë se tanket izraelite shkrepën predha drejt turmës së palestinezëve të dëshpëruar që po i prisnin kamionët me ndihma përgjatë rrugës kryesore lindore në Khan Younis. Mjekët thanë se të paktën 51 njerëz u vranë dhe 200 të tjerë u plagosën. Të paktën 20 të plagosur thuhet se janë në gjendje kritike, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite për këtë incident.

Dëshmitarët thanë se tanket izraelite shkrepën të paktën dy predha drejt mijëra njerëzve që po i prisnin kamionët me ndihma. Repartet e spitalit “Nasser” ishin të mbushura me njerëz dhe stafi mjekësor u detyrua që t’i vendoste disa prej tyre në dysheme e në korridore për shkak të mungesës së hapësirës.

Ky incident ishte më i riu në vargun masiv e pothuajse të përditshëm të vdekjeve të palestinezëve, të cilët kanë qenë duke kërkuar ndihma në javët e fundit, përfshirë rastet që kanë ndodhur afër pikave të shpërndarjes që menaxhohen nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i përkrahur nga ShBA-ja.

Zyrtarët shëndetësorë lokalë thanë se të paktën 23 njerëz u vranë nga zjarri i armëve izraelite të hënën, kur ata po i afroheshin një pike të shpërndarjes të GHF-së në Rafah, në pjesën jugore të enklavës.

GHF-ja tha në një deklaratë për shtyp të hënën vonë se kishte shpërndarë më shumë se tre milionë shujta ushqimore në katër pikat e saj të shpërndarjes, pa ndonjë incident.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite rreth raportimeve për të shtëna të hënën./Nacionale

Lajme të ngjashme