28 të vdekur e 60 të helmuar nga konsumimi i alkoolit me metanol në Indi - NACIONALE

28 të vdekur e 60 të helmuar nga konsumimi i alkoolit me metanol në Indi

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Të paktën 28 ​​njerëz kanë vdekur dhe 60 të tjerë janë helmuar nga pirja e alkoolit me metanol në Indinë perëndimore.

Sipas The Times of India, vdekjet kanë ndodhur në rrethet Ahmedabad dhe Botad të shtetit Gujarat, ku prodhimi, shitja dhe konsumimi i alkoolit është i ndaluar.

“Kishte 98 për qind metanol në pijen që ata konsumuan, që do të thotë se ata kishin konsumuar vetëm metanol, gjë që ka rritur numrin e vdekjeve”, ka deklaruar Bhavnagar Ashok Yadav, inspektori i përgjithshëm i policisë, për mediat indiane.

Bëhet e ditur se numri i të vdekurve pritet të rritet edhe më tej, nga të sëmurët të cilët janë duke u trajtuar në një spital në Ahmedabad.

Provinca Gujarat e ka ndaluar konsumimin e alkoolit që nga viti 1960 si një haraç për Mahatma Gandhin, i vrarë në vitin 1948, por pas fillimit të tregtisë ilegale të pijes, për dekada kanë humbur jetën qindra banorë.

Pijet e paligjshme janë bërë gjithashtu një industri jashtëzakonisht fitimprurëse në të gjithë Indinë, ku shitësit nuk paguajnë taksa dhe u shesin sasi të mëdha të produkteve të tyre të varfërve me një çmim të lirë.

Duke qenë se personat që kryejnë shitjen e paligjshme të alkoolit në fshatra paguajnë ryshfet, mediat vendase thonë se policia e mban “një sy mbyllur”.

Kujtojmë se në dy incidente të ngjashme në vitin 2019, të paktën 133 persona vdiqën pasi kishin pirë alkool të helmuar në shtetin Assam të Indisë. Viktimat ishin kryesisht punonjës të plantacioneve të çajit. E po në të njejtin vit, nga e njejta arsye humbën jetën edhe 80 persona të tjerë në Uttar Pradesh.

Ndërsa, rasti më i fundit ishte në vitin 2020 ku pas konsumimit të alkoolit me metanol, në Punjab humbën jetën 120 persona.

Lajme të ngjashme