Pamje të rënda: 100 vite burgim për rrahjen famëkeqe për vdekje të myslimanit 24-vjeçar në Indi
Një gjykatë në Indi ka dënuar dhjetë burra me nga dhjetë vite burgim për rrahjen e një të riu mysliman për vdekje para katër viteve.
Tabrez Ansari, 24 vjeç, kishte vdekur disa ditë pasi ishte sulmuar nga disa persona që e akuzonin për vjedhjen e një motoçiklete në shtetin lindor indian, Jharkhand, raporton televizioni BBC.
Një video, ku Ansari shihej duke u detyruar që të thoshte fjalë lavdëruese për “zotërat” hindus, përderisa u lutej që t’ia kursenin jetën, ishte përhapur shumë në internet dhe kishte nxitur reagime të shumta në Indi.
Paralajmërim: Pamjet e mëposhtme paraqesin skena dhune. Nuk preferohen për fëmijë dhe/ose persona të ndjeshëm.
Familja e tij kishte pretenduar se policia ia kishte mohuar të riut trajtimin pavarësisht nga lëndimet. Policia shtetërore ka mohuar se ka bërë ndonjë gjë të ndaluar.
Në videon e incizuar më 19 qershor 2019, Ansari shihet i tmerruar, i lidhur për një shtylle elektrike dhe duke u sulmuar nga turma. Gjaku dhe lotët i rridhnin fytyrës.
Sulmuesit e tij dëgjohen duke e detyruar që disa herë të bërtiste “Jai Shri Ram”, që do të thotë vlerësim për “zotin Ram”.
Ansari kishte vepruar ashtu, por turma e kishte vazhduar sulmin ndaj tij gjatë natës. Ai i ishte dorëzuar policisë të nesërmen. Policët pastaj e kishin arrestuar për vjedhje. Familja kishte pretenduar se nuk ishte lejuar që ta shihte të riun.
Më 22 qershor, Ansari ishte ankuar për vjellje, dhimbje në gjoks dhe ishte dërguar në një spital, por vdiq nga lëndimet e pësuara gjatë sulmit.
Kritikët thonë se dhuna kundër myslimanëve në Indi është shtuar nga viti 2014 nën pushtetin e qeverisë nacionaliste të kryeministrit Narendra Modi. Ata thonë se kryeministri nuk i ka dënuar sulmet e tilla mjaftueshëm shpejt ose fuqishëm.