1 vit nga fillimi i luftës, liderët botërorë ndajnë mesazhe të forta në mbështetje të Ukrainës
Në ditën e shënimit të njëvjetorit të fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, shumë liderë botërorë kanë ndarë mesazhe mbështetëse për vendin e pushtuar.
Në vazhdim ju sjellim disa nga mesazhet më kryesore të nisura drejt Ukrainës dhe popullit të saj.
Zonja e Parë e ShBA-së, Jill Biden, tha para gazetarëve se ukrainasit janë gjithmonë në mendjen e saj.
"Unë thjesht dua të them në njëvjetorin e luftës në Ukrainë, se nuk kalon asnjë ditë që nuk mendoj për presidentin Zelensky, Olena-n, familjen e tyre dhe të gjithë njerëzit në Ukrainë dhe çfarë po kalojnë dhe sa të vështirë e kanë ata duke luftuar për të mbajtur lirinë e tyre," – tha zonja Biden.
Në këtë ditë mesazh ndau edhe Mbreti Charles III, i cili siguroi se "Mbretëria e Bashkuar, së bashku me aleatët e saj, po bën gjithçka që është e mundur për të ndihmuar në këtë kohë më të vështirë".
Merrick Garland, Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së, tha se Departamenti i Drejtësisë "do të vazhdojë të qëndrojë në krah me partnerët ukrainas dhe ndërkombëtarë në mbrojtje të drejtësisë dhe sundimin e ligjit".
Ai u zotua të hetojë krimet ruse e të ndjekë penalisht kriminelët e luftës.
"Sot, Departamenti i Drejtësisë përsërit angazhimin e tij të vendosur për të qëndruar me partnerët tanë ukrainas në ndjekje të drejtësisë," - tha Garland në deklaratën e tij.
Antony Blinken, Sekretari i Shtetit i ShBA-së, njëvjetorin e luftës e shënoi me shpërndarje të më shumë sanksioneve, kufizime të vizave dhe tarifave shtesë për Rusinë.
"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të bashkojnë botën për të mbështetur Ukrainën. Veprimet tona sot janë bërë edhe më të fuqishme sepse ne po i marrim ato në koordinim me partnerët G7, duke demonstruar unitetin tonë të vazhdueshëm për të siguruar që Rusia të ketë kosto për luftën e saj brutale. Ukraina është një simbol i lirisë për të gjithë ne dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet,”- tha Blinken.
Edhe drejtuesit e G7-ës riafirmuan mbështetjen e tyre duke bërë thirrje për përfundimin e “agresionit rus”.
Drejtuesit e quajnë luftën "një sulm ndaj parimeve themelore të sovranitetit të kombeve, integritetit territorial të shteteve dhe respektit të të drejtave të njeriut".
Ndërkohë zv-presidentja e ShBA-së, Kamala Harris ndau një video në Twitter duke detajuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.
"Një vit pas pushtimit të Rusisë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me krenari me Ukrainën,"- tha ajo, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg, dërgoi dëshira të mira në Ukrainë dhe tha që organizata do të vazhdojë mbështetjen e saj për Ukrainën.
"Ju uroj forcë. Ju uroj guxim. Ju uroj sukses. Dhe ju uroj fitore," shkroi ai në Twitter.


