Raport special i CNN: Momentet më kyçe gjatë një viti lufte Rusi-Ukrainë
24 shkurt 2022
Putini shpall një "operacion special ushtarak"
Në orët e para të 24 shkurtit, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi dërgimin e trupave të tij në Ukrainë.
Aleatët perëndimorë të Kievit kishin paralajmëruar për një agresion të afërt rus për muaj të tërë. Megjithatë, vendimi i Putinit erdhi si një tronditje për shumë njerëz në Ukrainë dhe në mbarë botën.
Duke folur në televizionin shtetëror rus, ai njoftoi nisjen e asaj që ai e quajti një "operacion special ushtarak" për të "çmilitarizuar" dhe "denazifikuar" Ukrainën.
Pak më vonë, shpërthimet e para u dëgjuan në të gjithë Ukrainën.
Ishulli i gjarpërinjve
Pavarësisht se Putini kërcënoi për "pasoja që nuk i keni përjetuar kurrë në historinë tuaj" për këdo që përpiqet të ndërhyjë, Ukraina ishte e vendosur të kundërshtonte.
Një shkëmbim midis luftëtarëve ukrainas dhe rusë në ditën e parë të luftës u bë simbol i kësaj sfide.
I tejkaluar në numër dhe i urdhëruar për t'u dorëzuar nga një anije ruse që po afrohej, një grup i vogël trupash ukrainase të vendosur në ishullin e gjarpërinjve, një vend strategjik i Detit të Zi, u përgjigj me radio duke thënë: "Anije luftarake ruse: Shkoni në djall".

Beteja e Aeroportit Antonov
Kapja e fushës ajrore Antonov, një aeroport i madh mallrash në veri të Kievit, ishte fitorja e parë e madhe e arritur nga rusët. Megjithatë nuk shkoi sipas planit të Moskës.
Trupat ruse brenda aeroportit u rrethuan, pa pasur mundësi për të sjellë përforcime.
Në kohën kur trupat ukrainase u tërhoqën nga zona, aeroporti kishte pësuar aq shumë dëme sa nuk ishte e mundur që Rusia ta përdorte atë për të rifurnizuar.
Gjatë betejës së zhvilluar atje, u shkatërrua edhe avioni më i madh në botë, Antonov An-225.

25 shkurt 2022
Videoja e Zelenskyt "Ne jemi këtu".
Mes kaosit të orëve të fillimit të luftës, nisën edhe thashethemet për largimin e udhëheqjes së Ukrainës nga vendi.
Por, menjëherë pas erdhi reagimi nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ekipi i tij, me një video të tyre në qendër të Kievit, duke qetësuar kombin.
“Ne të gjithë jemi këtu për të mbrojtur pavarësinë tonë, shtetin tonë dhe kështu do të mbetet. Lavdi mbrojtësve tanë! Lavdi grave tona mbrojtëse! Lavdi Ukrainës!” tha Zelensky.
Sipas qeverisë ukrainase, presidenti kishte refuzuar një ofertë të ShBA-së për evakuim, duke thënë: “Kam nevojë për municion, jo për një udhëtim”.
2 mars 2022
Refugjatët në kufirin polak
Brutaliteti i pushtimit rus detyroi qindra mijëra civilë ukrainas të largoheshin nga vendi.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët (UNHCR) tha se në 24 orët e para të luftës, të paktën 100,000 njerëz kishin lënë shtëpitë e tyre.
Mijëra makina formuan radhë në kufi, me njerëz që pritën disa ditë për të kaluar në Poloninë fqinje. Ndërsa, shumë të tjerë ikën me tren, duke pritur në stacionet e trenit për ditë të tëra për t'u futur në vagona të mbipopulluar.
Shumica e të larguarëve ishin gra, fëmijë dhe të moshuar, pasi burrat në moshë luftarake ishin kryesisht të ndaluar të largoheshin nga vendi.

6 mars 2022
Evakuimi nga ura Irpin
Ndërsa trupat ruse filluan t'i afroheshin Kievit, njerëzit që jetonin në periferitë veriperëndimore të kryeqytetit u kapën në disa nga luftimet më të ashpra të luftës.
Ura kryesore që kalonte lumin Irpin u shkatërrua nga ukrainasit për të penguar një avancim rus, gjë që vështirësoi evakuimet. Sipas autoriteteve ukrainase, qindra civilë vdiqën në përpjekje për të ikur.
9 mars 2022
Sulmi në maternitetin e Mariupolit
Një maternitet në qytetin juglindor të Mariupolit u godit nga një raketë ruse. Sulmi erdhi pavarësisht se Rusia ra dakord për një pauzë 12-orëshe për të lejuar evakuimin e refugjatëve.
Një foto e një gruaje shtatzënë të plagosur jashtë spitalit të shkatërruar nga bombardimi u bë emblematikë e agresionit të pakuptimtë të Rusisë kundër fqinjit të saj.
Gruaja dhe foshnja e saj vdiqën të dy.

16 mars 2022
Bombardimi i teatrit në Mariupol
Bombardimi i Teatrit të Dramës në Mariupol ishte ndër sulmet më të rënda të Rusisë ndaj civilëve.
Zyrtarët ukrainas vlerësuan se 1,300 njerëz ishin strehuar në teatrin në qendër të qytetit, i cili, në atë pikë, ishte nën rrethim për javë të tëra.
Atëkohë, autoritetet thanë se rreth 300 persona vdiqën atë ditë, por raportet e mëvonshme sugjeruan se numri i të vdekurve mund të ketë qenë më i lartë.
Rusia, e cila e kishte bombarduar qytetin për javë të tëra, mohoi se forcat e saj ishin përgjegjëse.
E pikturuar në tokë jashtë ndërtesës - me shkronja gjigante të dukshme nga ajri - ishte fjala "FËMIJË".

1 prill 2022
Zbulohen mizoritë e Bucha-s
Kur trupat ruse u tërhoqën nga Bucha në fillim të prillit, ata lanë pas gjurmë shkatërrimi - dhe dëshmi të ekzekutimeve, brutalitetit dhe granatimeve pa dallim.
Imazhet që tregojnë dhjetëra trupa civilësh të shpërndarë nëpër një rrugë të vetme në Bucha nxitën thirrjet që Rusia të hetohej për krime lufte.
Rusia bëri pretendime të pabaza se imazhet ishin të rreme dhe ka ndjekur penalisht disa gazetarë dhe disidentë rusë që folën për vrasjet, duke i akuzuar për përhapje të "informacioneve të rreme" për luftën.
Ekspertët ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thanë se gjetën "shkelje të rënda" të ligjit ndërkombëtar humanitar nga forcat ruse.

14 prill 2022
Përmbytja e Moskva-s
Moskva, flamurtari i flotës ruse të Detit të Zi, u mbyt më 14 prill. Shkaku mbetet i diskutueshëm. Ukraina tha se goditi Moskën me raketa lundrimi kundër anijeve, duke shkaktuar një zjarr që shpërtheu municionin e ruajtur, ndërsa Rusia fajësoi një zjarr me origjinë të panjohur.
Cilado qoftë arsyeja, humbja e kryqëzorit me raketa të drejtuara ishte një siklet i madh ushtarak për Rusinë dhe humbja më e madhe e saj gjatë luftës së një anijeje detare në 40 vjet.
17 maj 2022
Mbrojtësit e fabrikës së çelikut në Mariupol
Fabrika e përhapur e çelikut Azovstal në Mariupol u bë një tjetër simbol i rezistencës ukrainase përballë një armiku shumë më të madh.
Mbrojtësit e uzinës i rezistuan javëve të bombardimeve të pamëshirshme ruse përpara se të dorëzoheshin përfundimisht në maj.
Zyrtarët ukrainas vlerësuan luftëtarët, duke thënë se mbrojtja e tyre e kompleksit kishte ngecur forcat ruse dhe ka penguar në kapjen e Zaporizhzhia, më në perëndim.

1 shtator 2022
Forcat ruse ikin nga rajoni i Kharkiv
Një kundërofensivë e ashpër ukrainase në Ukrainën lindore në shtator rimori pjesë të mëdha të territorit dhe detyroi trupat ruse të largoheshin nga rajoni i Kharkiv.
Moska u përpoq ta përshkruante tërheqjen e nxituar si "rigrupim". Por në shenjë se sa keq po shkonin gjërat për Rusinë, ushtria u kritikua publikisht nga një numër besnikësh të profilit të lartë të Kremlinit, duke përfshirë udhëheqësin çeçen Ramzan Kadyrov, i cili e furnizoi Rusinë me mijëra luftëtarë në ofensivë.
21 shtator 2022
Fillon mobilizimi i pjesshëm i Rusisë
Pas një varg humbjesh të turpshme në Ukrainë, Putin njoftoi mobilizimin e parë të Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore më 21 shtator.
Drafti i diskutueshëm ndezi protesta - një pamje e rrallë në Rusi - dhe një eksod të njerëzve në moshë luftarake nga vendi.
Mobilizimi i pjesshëm ishte i mbushur me gabime dhe solli luftëtarë që ishin të pajisur keq dhe kryesisht të patrajnuar. Megjithatë, rriti ndjeshëm numrin e trupave ruse.

8 tetor 2022
Sulmi në urën e Krimesë
Në një tjetër goditje të madhe ndaj Moskës, e vetmja urë që lidh Rusinë me Gadishullin e Krimesë u dëmtua rëndë nga një shpërthim.
Ura rrugore dhe hekurudhore e ngushticës së Kerch-it është njëkohësisht e rëndësishme strategjike dhe jashtëzakonisht simbolike. Ajo u hap nga Putin në vitin 2018, katër vjet pasi Rusia aneksoi ilegalisht Krimenë nga Ukraina.

10 tetor 2022
Kievi në errësirë
Një fazë e re e luftës filloi kur Rusia nisi të parën nga disa valë të sulmeve me raketa në infrastrukturën kritike të energjisë të Ukrainës.
Duke përdorur raketa, predha artilerie dhe dronë të prodhuar nga Irani, Moska filloi të synonte objektet e energjisë ukrainase, duke lënë zona të mëdha të vendit pa energji dhe ujë.
12 nëntor 2022
Skenat e çlirimit të Khersonit
Pas tetë muajsh pushtimi brutal rus, qyteti jugor Kherson u çlirua më 12 nëntor, duke shkaktuar skena festimi nga banorët.
Tërheqja e nxituar e Rusisë nga bregu perëndimor i lumit Dnipro ishte një tjetër moment i zymtë për Moskën, pasi Kherson ishte i vetmi kryeqytet rajonal ukrainas që forcat ruse kishin kapur.
Vetë Putini e kishte shpallur zyrtarisht Khersonin si territor rus vetëm disa javë para tërheqjes së trupave të tij.
21 dhjetor 2022
Zelensky në Shtëpinë e Bardhë
Më 21 dhjetor, Zelensky udhëtoi për në Uashington, për t'u takuar me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe për t'iu drejtuar Kongresit Amerikan.
Ishte një vizitë historike dhe udhëtimi i parë jashtë vendit që Zelensky kishte bërë që kur Rusia nisi pushtimin e saj.
Pak përpara mbërritjes së Zelenskyt, administrata Biden njoftoi se po dërgonte afro 2 miliardë dollarë ndihmë shtesë për sigurinë në Ukrainë – duke përfshirë një sistem të ri të sofistikuar të mbrojtjes ajrore Patriot.

25 janar 2023
Gjermania miraton dërgimin e tankeve në Ukrainë
Pas disa javësh grindjeje gjeopolitike, një moment i rëndësishëm erdhi më 25 janar, kur Gjermania njoftoi se do të dërgonte tanke Leopard 2 në Kiev dhe do të lejonte vendet e tjera evropiane të eksportonin tankun luftarak të prodhimit gjerman.
Në të njëjtën kohë, Biden tha se ShBA do të dërgonte 31 tanke M1 Abrams në Ukrainë.
Vendimi u përshëndet si një përparim në mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Ukrainën dhe sinjalizoi një pikëpamje pozitive në Perëndim për aftësinë e Ukrainës për të rimarrë territorin e pushtuar.

20 shkurt 2023
Biden viziton Kievin
Biden bëri një vizitë befasuese shumë simbolike në Kiev më 20 shkurt, e para e tij që nga pushtimi i plotë i vendit.
Duke qëndruar përkrah Zelenskyt, presidenti amerikan kujtoi sesi dyshja folën me telefon ndërsa forcat ruse hynë brenda.
“Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron,”- deklaroi Biden, duke shtuar se: "Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju."
Zelensky tha se vizita e Biden e solli Ukrainën "më afër fitores".
Të dy liderët bënë një shëtitje në Kiev pikërisht kur sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë qytetin.

CNN shkruan se, ndërsa ukrainasit shënojnë një vit që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë, ata e dinë se fundi ende nuk është afër. Qeveria ukrainase ka paralajmëruar se beson se Rusia po përgatitet të nisë një tjetër ofensivë të madhe këtë pranverë.