Zelensky në njëvjetorin e luftës: Fitorja është e pashmangshme
Në përvjetorin e parë të pushtimit rus, presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka mbajtur një konferencë speciale për shtyp.
Duke thënë se “fitorja do të na presë në mënyrë të pashmangshme, nëse aleatët respektojnë premtimet dhe afatet e tyre,” ai ka apeluar që edhe vendet që nuk kanë qenë shumë të drejta në mbështetjen e tyre për Ukrainën, duhet të përfshihen në procesin e paqes.
Në fjalën e tij, Zelensky është pyetur edhe për momentin më të keq të luftës deri më tani, ku ai e zgjodhi masakrën e Bucha-s. Kujtojmë se ky qytet i vogël kishte qenë nën kontroll rus, ndërsa kur u rimorr nga ukrainasit, u gjetën shumë varre masive, e njerëz të vrarë pa dallim.
Presidenti ukrainas ka folur edhe për familjen e tij, duke thënë se gruaja dhe fëmijët e tij janë aspektet më të rëndësishme të jetës së tij edhe pse ai nuk mund t’i takojë shumë shpesh.
Ndër të tjera Zelensky ka thënë se Rusia do të vazhdojë të përpiqet të destabilizojë Moldavinë, dhe se përpjekjet e Moskës duhet të ndalen me "më shumë armë" dhe "më shumë sanksione".
Komentet e Zelensky erdhën pasi Rusia u përpoq të ndryshojë narracionin të premten, duke pretenduar se qeveria e Kievit po provokonte tensione në kufirin e saj jugor, jo Moska.
Në përvjetorin e luftës Rusi-Ukrainë, edhe Kina bëri thirrje për armëpushim e fillim të bisedimeve të paqes, duke publikuar një propozim me 12 pika për t’u dhënë fund luftimeve që nisën saktësisht para një viti. Ky propozim i vendit, u mirëprit nga Rusia e Ukraina, me zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila tha se Moska e vlerëson planin e Kinës për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë, duke shtuar se vendi është i hapur për arritjen e qëllimeve të “operacionit special ushtarak” përmes mjeteve politike dhe diplomatike.
Komentet e saj erdhën pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se kishte pika të kuptueshme në propozimin kinez dhe disa “që nuk bëhen”.
“Kina ka treguar mendimet e saj. Unë besoj se fakti që Kina filloi të flasë për Ukrainën nuk është i keq. Por pyetja është se çfarë i pason fjalët. Pyetja është në hapat që do merren dhe ku do të çojnë ato,”- është shprehur Zelensky lidhur me propozimin kinez.

