ShBA-ja ndan pako të ndihmave prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën në njëvjetorin e luftës
Pentagoni njoftoi të premten për një pako të re të asistencës afatgjate të sigurisë për Ukrainën, duke e shënuar njëvjetorin e fillimit të pushtimit rus me premtimin e ri me vlerë të dy miliardë dollarëve për më shumë municion e disa lloje dronësh.
Njoftimi për ndihmat e reja erdhi vetëm pak ditë pas vizitës së befasishme të presidentit Joe Biden në Kiev, ku premtoi vazhdim të përkrahjes amerikane për Ukrainën. “Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”- u tha Bideni homologut Zelensky dhe popullit të tij.
Përmes një deklarate të publikuar të premten, Pentagoni tha se në pakon e re të ndihmave përfshihen armë për t’i luftuar sistemet ruse pa pilotë si dhe disa lloje të dronëve, përfshirë dronët kamikazë të tipit “Sëitblade 600” e pajisje elektronike për zbulim, raporton agjencia “Associated Press”.
Në pako përfshihen edhe mjete financiare për municion shtesë për sistemin raketor HIMARS, predha artilerie e municion për sistemet raketore laserike. Duke e llogaritur pakon e rej, Shtetet e Bashkuar deri më tani kanë ndarë më shumë se 32 miliardë dollarë për asistencë të sigurisë për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha në një deklaratë se përvjetori i parë i pushtimit rus është një mundësi për të gjithë që besojnë në liri “që ta ripërkushtojnë veten për përkrahjen e mbrojtësve guximtarë të Ukrainës për kohë të gjatë dhe për të rikujtuar se ajo që është në pyetje në luftën e Rusisë, shtrihet shumë përtej Ukrainës”.
Për të premten është planifikuar një takim virtual mes Bidenit, udhëheqësve të vendeve të tjera të Grupit G7 dhe presidentit ukrainas “për ta vazhduar bashkërendimin e përpjekjeve tona për ta përkrahur Ukrainën dhe për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën e saj”, tha Shtëpia e Bardhë.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, Jake Sullivan, konfirmoi se Bideni dhe Zelensky kanë diskutuar për kërkesën e Ukrainës për aeroplanë luftarakë të tipit F-16 gjatë vizitës së presidentit amerikan në Kiev javën e kaluar.

