Vendi shënoi progres në sundimin e ligjit sipas WJP-së, opozita: Kosova kurrë s’ka qenë më keq se tash
Në raportin e “World Justice Project”, për sundimin e ligjit 2022, Kosova është renditur në vendin të 57 në botë, nga 140 shtete sa përfshinte raporti.
Kjo la të nënkuptoj se shteti ynë ka shënuar përmirësim 2.4 për qind, krahasuar me vitin e kaluar, duke u ngritur për tri pozicione në çështjen e sundimit të ligjit.
Rrjedhimisht, Kosova qëndron më së miri në Ballkanin Perëndimor, por që duhet përmendur faktin se Mali i Zi nuk është i përfshirë në raport.
Sipas të njëjtit raport, Kosova është e dyta në botë për përmirësimin e sundimit të ligjit.
Shefi i Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, Genc Nimoni ka thënë për Nacionalen se ky është një lajm fantastik dhe se Kosova vazhdon të përparojë në indekset ndërkombëtare për sundimin e ligjit.
“Reformat e nisura në drejtësi kanë filluar të shënojnë rezultatet e para dhe dëshmojnë nismat e drejta të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për një sistem të pavarur e llogaridhënës të drejtësisë, transparent e me rezultate kualitative”, ka thënë Nimoni.
Megjithatë, kështu nuk beson Bekë Berisha.
Kryetari i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, njëherësh edhe deputet i AAK-së, Bekë Berisha ka deklaruar për Nacionalen se Kosova kurrë nuk ka qenë me keq se tani sa i përket zbatimit të ligjit.
“Për pushtetin kur po e kapin institucionin po ju duket se ka avancuar Kosova. Simulimet dhe përgjimet ndaj prokurorëve dhe gjykatësve tani në fund tregojnë për qëllimet dhe kualitetin që po sjell pushteti. Dhuna në familje, ngacmimet seksuale, viktimat në komunikacion, rrahjet e të rinjve, plagosjet dhe vrasjet tregojnë mosefikasitet, mosseriozitet dhe të gjitha këto fenomene janë për shkak te mosprofesionalizmit”, ka thënë Berisha.
Në anën tjetër, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka deklaruar për Gazetën Nacionale se Kosova këtë vit ka shënuar progres në sundimin e ligjit, mirëpo ende nuk ka arritur në nivelin e vitit 2020 kur ishte rankuar në pozitën 54.
“Ne e vlerësojmë dhe i gëzohemi çdo suksesi që arrin Kosova, por që detyrimi për të aspiruar rënkimin në mes të shteteve me demokratike të botës të cilat edhe në këtë raport zënë vendet e para, nuk duhet të mbaroje këtu. Ne nuk duhet të përmbushemi me sukseset e vogla që na krahasojnë me vende jodemokratike që edhe këtë vit, janë radhitur në fund të listës sipas këtij raporti. Prandaj, duhet të përkushtohemi të përmbushim standarde sa më të larta sepse respektimi i parimit të sundimit të rendit dhe ligjit nuk është një opsion, është vetëm detyrim”, ka përfunduar Quni.
Nga Partia Demokratike e Kosovës ndërkaq, Rashit Qalaj ka thënë se Kosova është më keq se në vitin 2020, sa i përket sundimit të ligjit.
“Personalisht nuk e kam studiuar raportin mirëpo nga ajo që e pash Kosova është radhitur me mirë nëse krahasohet me vitin e kaluar pra 57 në raport me 60 mirëpo është më keq se viti 2020 pra 57 në raport me 54”, ka thënë Qalaj.
Veç kësaj, Nacionale kontaktoi edhe me njohësin e çështjeve juridike, Ehat Miftaraj.
Ky i fundit tha raporti i World Justice Project vlerëson gjendjen e mbi 130 vendeve, por nuk ka besueshmëri dhe saktësi sikurse raportet e tjera ndërkombëtare.
“Nëse merret për bazë metodologjia dhe indikatorët që ky projekt zbaton lidhur me vlerësimin e gjendjes së sundimin e ligjit në mbi 130 shtete të botës, e njëjta nuk ka besueshmërinë por edhe saktësinë sikurse raporte tjera ndërkombëtarë kredibile, si raporti i progresit i cili përveç që bën vlerësimin e gjendjes në aspektin e ligjeve dhe politikave të miratuara po ashtu vlerëson edhe zbatimin praktik të bazuar në dëshmi dhe fakte. Në këtë drejtim, duhet gëzuar faktit çdo herë kur Kosova arrin përparim në raporte të ndërkombëtare por nuk mund dhe nuk duhet të njëjtat të përdoren nga partitë në pushtet për të përgjuar mesazhin se sundimi i ligjit në Kosovë ka përparuar dukshëm, kur një gjë e tillë ende nuk shihet në horizont”.

