Të rriturit që braktisën protestën, adoleshentët që rezistuan dhe një Qeveri e mbyllur brenda zyreve - NACIONALE

Të rriturit që braktisën protestën, adoleshentët që rezistuan dhe një Qeveri e mbyllur brenda zyreve

1 vit më parë

nga Vullnet Krasniqi

Ishte ora e tretë e protestës që kishte filluar në 12:00. Përpara dyerve të Qeverisë që ruheshin në mënyrë hermetike nga nje grup policësh që qeshnin si tinëz me brohoritjet e ndryshme të protesuesve.

Ata nuk janë shumë, sikurse para dy ore, kur ndodhi marshimi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” drejt objekteve të Prokurorisë, Stacionit policor nr: 1 në Prishtinë, burgut, pastaj tek Komuna e Prishtinës, për të përfunduar para Kuvendit më saktësisht para dyerve të Qeverisë.

Shumica nga ta, të rritur, “braktisën” protestën, duke u shpërndarë; dikush në zyret e tyre apo vendet e punës e të tjerët në shtëpi apo nëpër kafeteri ku uji shërbehet tashmë me 'obligim qeverie'. Vetëm një grup prej 100-200 vetash u ndalën në oborrin e Qeverisë. Ata ishin shumica adoleshentë. Të indinjuar. Të mbushur me mllef. “Boll mo” është një nga parullat e tyre që brohoriteshin pa ndalë.

Skajohem jashtë turmës për të parë nëse fotot dhe videot që raportoja te redaksia kishin arritur. Një zë i fortë ma merr vëmendjen. Është një vajzë e mitur. E ulur në tokë, me një shishe në duar, ajo bërtet me aq sa ka fuqi. Për herë të parë, prej të gjitha protestave të organizuara për të kërkuar “Siguri për vajzat” dhe “dënim për dhunuesit” merr kuptim.

“Sot çika e tjetërkujt, nëser çika jote”

Teksa i mëshon me sa ka fuqi shishes për toke, ajo bërtet “Sot çika e tjetërkujt, nëser çika jote”. Në një shtet që kujdeset për njerëzit e tij, ajo do të ishte duke u bërë gati për vitin e ri shkollor. Ajo nuk mund ta bëjë asnjërën. Në shkollë nuk mund të shkojë, sepse mësuesit e saj kanë hyrë në grevë duke kërkuar pagë të dinjitetshme. Temperatura është gati 30 gradë, por ajo nuk mund të dalë as në park. Ka mundësi që mund të jetë viktimë sikurse 11-vjeçarja që u dhunua nga 5 burra për 7 orë. Ajo është e ulur në beton para objektit të Qeverisë.

“Nuk po nihna e sigurt” dhe “Dilni jepni llogari”, vazhdojnë brohoritjet. Mundohem t’i afrohem për ta pyetur më shumë, por ajo është aq e nervikosur sa nuk pranon. Vazhdon të brohorasë.

Në shumë vite punë si gazetar, ky është refuzimi më kuptimplotë që më ka bërë dikush, kur e kam pyetur për të marrë në pronocim. Për një moment ajo bëhet sinonim i të gjitha dështimeve tona të dy dekadave të fundit për t’i ofruar asaj siguri. Për një moment, brohoritjet e saj i kuptoj edhe si thirrje ndaj meje. Ajo me të drejtë nuk e ndjen nevojën për të folur. Ka nevojë të bërtasë.

Ku ikën të rriturit?

Mes momenteve ku situata mes protestuesve dhe policëve kishte shkëndija të tensionimit - madje dy shishe plastike u hodhën në drejtim të tyre - e kuptoj se numri i protestuesve po pakësohej. Prej mijërave të tillë që morën pjesë në protestën, apo marshimin, vetëm 100 të tillë mbetën para Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi.

Duke insistuar që kërkesat e tyre të merren parasysh. Kërkesat zyrtare ishin tri. Njëra nga to ishte më specifike, “legalizimi i sprejit” si një “armë” për vajzat e gratë. Dy të tjera më gjenerale, sikurse “Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë” dhe “Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit”.

Për këto kërkesa protesuesit, shumica adoleshentë, qëndruan duke rezistuar ulur para objektit të Qeverisë. Por ata u lanë vetë, nga shumica. Rezistimi dhe qëndrimi para Qeverisë deri të merret një garanci se kërkesat e tyre do të adresoheshin, ishte veçoria e këtyre protestave. Protestat e mëhershme që kanë përfunduar me marshim, këtë herë morën një tjetër kthesë, insistimin dhe rezistencën.

Të gjitha vajzat ngrenë duart lart kur pyeten a janë “ngacmuar?”

Në një moment kur protesta para Qeverisë po hynte në orën 16:00, një vajzë tjetër protestuese dhe jo organizatore, mori altoparlantin. E njoh që shumë kohë, e ka emrin Nora Murseli. Ajo pyet të gjitha vajzat që ishin ulur para objektit: sa herë ju ka ndodhur që të ngacmoheni në rrugë? Të gjitha ngrenë dorën. Sa herë ju ka ndodhur të ndiheni të pasigurta në rrugë? Sërish të gjitha ngrenë duart. Një qasje e tillë nuk ka ndodhur në protestat e mëhershme.

Para policisë që po ruanin dyert e Qeverisë, dhjetëra vajza iu treguan në fytyrë që janë në rrezik nga dhunuesit. Ende askush nga Qeveria nuk ka dalë para protestuesve. Të gjithë janë të mbyllur në zyret e tyre ose qarkullonin brenda-jashtë përmes hyrjeve të tjera.

Në të njëjtën kohë në një objekt tjetër qeveritar, një ekip po mbante një takim për të “drejtat e grave”. Kryeministri nuk bëhet i gjallë. “Qeveri, dil jepni përgjegjësi” vazhdojnë brohortitjet. Por përgjegjësia mungon. Teksa potencialisht dhunimet vazhdojnë.

Por s'ka ma protesta paqësore”, thotë një nga organizatorët. Masa e përkrah këtë vendim. Ata vazhdojnë të qëndrojnë ulur para Qeverisë. Është ora gati 17:00. Policia janë të habitur dhe konfuzë. Nuk u ka ndodhur të kenë këso proteste që zgjasin. E as s'e dinë çka të bëjnë me protesuesit që refuzojnë të ikin. Teksa e shkruaj këtë tekst, ata vazhdojnë të jenë aty. Një formë e re e rezistencës ka lindur.

Lajme të ngjashme