“Të lidhin si qenin”: Nis grumbullimi i provave për gjyqtarin me deklarata skandaloze për të cilin raportoi Nacionale - NACIONALE

“Të lidhin si qenin”: Nis grumbullimi i provave për gjyqtarin me deklarata skandaloze për të cilin raportoi Nacionale

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas publikimit të një video-storje nga gazeta Nacionale ku është përfshirë gjyqtari nga Gjilani, Veli Kryeziu, ndaj tij po zhvillohen disa procedura nga kryetari i Gjykatës në Gjilan.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konfirmuar për Naiconalen se ka filluar me grumbullimin e provave për rastin e raportuar nga Nacionalja.

“Në lidhje me pyetjet e juaja për rastin e gjyqtarit Veli Kryeziu, autoritet kompetent është Kryetari i Gjykatës së Gjilanit, prandaj, ne ju informojmë se ai tani është në fazën e grumbullimit të provave lidhur me çështjen në fjalë”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së për Nacionalen.

Ky gjyqtar vetëm pak ditë më parë mori vërejtje nga KGJK-ja për shkak të dyshimeve për kontakt e ngacmim të një praktikanteje në Gjilan.

Skandali i raportuar nga Nacionale

Dyshime për sjellje të tmerrshme dhe për tentativë në korrupsion, janë paraqitur ndaj gjyqtarit të Gjilanit, Veli Kryeziu.

Gazeta Nacionale ka pranuar një ankesë nga një qytetar i cili është palë në një prej rasteve që po i gjykon gjyqtari në fjalë. Rasti është për një rrahje që kishte ndodhur në fund të vitit të kaluar.

Nacionale ka siguruar edhe audio-incizime të cilat dëshmojnë për sjelljet e tmerrshme të gjyqtarit, dhe deklaratat e tij të cilat pala (që ka dashur të mbetet anonim) i ka interpretuar si kërkesë për korrupsion.

Në audio-incizimin e siguruar nga Nacionale, gjyqtari i Republikës së Kosovës, gjyqtari në Gjilan, Veli Kryeziu, thotë se vendi ku njerëzit rrejnë më së shumti është Gjykata.

Deklarata e tij nuk thuhet në kontekstin e përmirësimit të gjendjes, por për ta nxitur palën në këtë rast që e ka siguruar Nacionale, që edhe ai të gënjejë.

“Kqyre *** (ia lexon aktakuzën), a është qeshtu?. Po unë nuk bëj deklarata be, unë e lexoj aktakuzën”, thotë gjyqtari pasi pala e mohon të ketë ndodhur ngjarja si në aktakuzë.

Në një pjesë të incizimit, gjyqtari Kryeziu i tregon pales së akuzuar se çka duhet të thotë në ditën kur mbahet seanca.

“Ti thu atë dite kur të vish në gjykatë, thuj nuk i kam kushtet e mira, unë nuk kam pas faj. Na ka ndodhë jemi përlesh, në mufsh me ma ndihmu një denim ma të vogël, mirë, në mos mujsh ditën e mirë. Mos me shku ma larg hiç, a u murrem vesh?”, dëgjohet teksa thotë gjyqtari në incizim.

“I Vetmi vend ku të lejohet me rrejt *** është gjykata”, thotë ai më tutje.

“Për çka me rrejt? Për me i mbrojtë interesat e tua më të mira të mundshme”, vazhdon më tutje gjyqtari.

“Jam në gjendje me ta ndihmu. A po më ngon, a po don me ta ndihmu unë ty?”, thotë sërish gjyqtari, duke tentuar ta bind palën.

Dyshimet për korrupsion shtohen kur gjyqtari i premton palës se do t’ia veçojë procedurën.

“T kisha kry ty, se e kisha veçu procedurën veç për ty. Ani ata dy pse s’vijnë”, tha gjyqtari në këtë audio-incizim të siguruar nga Nacionale.

“:Unë jam në gjendje me ta ndihmu. Po ma shumë ti që ja ndihmon vetit, nuk ja ndihmon kërkushi. A po don shkurt me ditë, nuk të duhet as avokat as kurrgjë”, thotë gjyqtari më tutje.

Më pas, gjuha e tij eskalon.

“Duhesh me respektu vendimin e këtuhit se respekton, ta çoj Policinë të lidhin si qen të ngrehin zhag, komt te përpjetë”, deklaron gjyqtari.

Audio-inicizmi është autentik dhe është realizuar nga pala e cila ishte pjesë e takimit me gjyqtarin. Audion e ka siguruar gazetarja e Nacionales, Leonora Kolukaj.

Nacionale ka zhvilluar një intervistë edhe me palën e implikuar në këtë rast. Ai ka treguar se si ka ndodhur komplet biseda dhe takimi me gjyqtarin Veli Kryeziu.

“Veli Kryeziu e ka një lëndë tem, e kam pas një problem për një rrahje të vogël. Problemi ka qenë kah fundi nëntorit, ftesën e kemi pas me 28 shkurt. Kam pas diçka punë të miat se kam problem me shërim, kam pas punë më të meçme dhe i kam kallëxu që nuk muj me ardh. Shkova i kallëzova që nuk muj, nuk i iki drejtësisë më mirë shkoj. Shkova 4-5 ditë përpara i thashë nuk muj me ardhë në këtë datë. Ai mu kundërpërgjigj tha mos hajde ama unë t’i çojë Policinë të lidhin si qenin zhag”, deklaron burimi anonim i Nacionales në këtë intervistë.

Pala e përfshirë tregon se si ndodhi takimi i fundit me gjyqtarin, ku ai vendosi ta incizojë.

“Edhe ma dërgojë ftesën për 28 maj e patëm dje seancën, edhe jam shku me vonesë 4-5 minuta. Shkum në sallë. Nuk e disha në cilën sallë, tha jeni vonu e ka lanë gjykatësi sallën seancën. Nuk e disha çka me bo. Deshta me shku mu lajmëru që jam vonu, nuk e disha a prish punë. Shkova në zyrë, sigurimit i thashë a bon, shkova te Veliu me i tregu që erdha me vonesë. Shkova te dera, tha pse je ardhë këtu kush je ti. I thashë jam filani. Jo tha unë ty nuk të priti. As një minutë nuk të priti, a ty dy orë. Unë erdha si njeri me të vet. Kam probleme me sy për shërim. Hin tha brenda. Ja nisi tani. Ai e kish pas cilin tjetër kund. Veç vet në zyrë dje”, deklaron më tutje burimi për Nacionalen.

Pala e përfshirë është i bindur se gjyqtari ka tentuar t’i kërkojë para.

“Edhe ia nisi Velia, janë incizimet. Edhe ma sillke me më korruptu, jo unë ta lehtësoj, jo ti ki drejtë me dorë, bojke me dorë që duhesh me dhanë pare. Nuk më ka shku mendja, skam përjetu asi sene. Nuk e disha ku jam. U hutova krejt. Edhe më dha ftesën, tha më 3 të shtatit në këtë datë. I thashë nuk e di a jam. Tha nëse nuk vjen, ko me shti Policinë si qen me të pru këtu. I thashë a ka mundësi me shpejtu se nuk muajin tjetër e kam komisionin për sy, nuk jam ndoshta ty. Ai kish pas cilin me pas kohë ai më shumë e me bo Pazar. Kjo ke për mu tmerr i zotit”, deklaron ai më tutje.

Për krejt ngjarjen, Nacionales i ka folur edhe avokati i palës së përfshirë, Hamdi Jashari.

“Dje në orët e pasdites më njoftoi pala ime. Më shqetësues është sjellja e gjyqtarit në objekt të gjykatës. Derisa nuk i kam dëgjuar incizimet kan qenë të pabesueshme për shkak se pritja që ia ka bërë gjyqtari është me një mosrepekt, trajtim çnjerëzor tu i thanë që ta lëshojë arrestin të ngrehin zhag si qenin”, tha avokati Jashari për Nacionalen.

“Po, po. 1 milion% zëri i gjyqtarit është. Janë fragmente që ky ka arrit me i kap, janë aq shqetësuese sa nuk e di qytetarët a kanë me vazhdu me pas besim në institucionet e drejtësisë. Alarmi i fundit për drejtësinë e Prokurorinë Speciale që ndaj këtij gjyqtari ose të tjerëve me sjellje të tilla, mi marrë masat edhe me një fjalë me shpëtu qytetarin”, deklaroi avokati.

Nacionale ka tentuar të kontaktojë edhe me gjyqtarin Veli Kryeziu, por i njëjti në momentin që e ka kuptuar se po telefonohet nga gazeta, e ka ndalur telefonin.

Lajme të ngjashme