Si ia ktheu shteti shpinën ish-ushtarit të UÇK-së dhe policit në momentet kur pati më së shumti nevojë - NACIONALE

Si ia ktheu shteti shpinën ish-ushtarit të UÇK-së dhe policit në momentet kur pati më së shumti nevojë

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Një jetë të tërë e çoi në shërbim të atdheut. Por shteti nuk i doli ‘hakesh’ pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Brahim Sedollit, në momentet kur ai pati më së shumti nevojë. Para disa muajve Sedollit iu shfaqen disa probleme shëndetësore. Si rrjedhojë ai kërkoi trajtim në QKUK, por trajtimin në këtë institucion shëndetësor, ai nuk e gjeti. Mjekët e QKUK-së i rekomanduan pjesëtarit të Policisë së Kosovës, që trajtimin ta vazhdojë jashtë vendit. E nga Fondi për trajtim jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore thanë se nuk kanë bazë ligjore për mbështetjen financiare për një rast të tillë.

Drama për familjen e këtij ish-ushtari të UÇK-së, fillon pikërisht në momentin kur atyre iu kërkua që ilaçin ta kërkojnë diku tjetër e jo në Kosovë.

Gjendja financiare e familjes së këtij polici nuk e përballonte koston e shërimit. Andaj familja Sedolli u drejtuan edhe njëherë tek zyrtarët shtetëror për të kërkuar ndihmë.

Këtë herë tek zyrtarët e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Por, prej aty, ata u ndanë të zhgënjyer. U refuzuan për ndihmë financiare.

Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, nga Fondi kanë dhënë ersionin e tyre për refuzimin e kërkesës për trajtim jashtë Kosovës për këtë rast.

Në lidhje me rastin në fjalë, ju sqarojmë, se Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk ka refuzuar kërkesën e pacientit në fjalë, por për shkak se diagnoza referuese nga Klinika e Radiologjisë nuk është e përfshirë në listën e patologjive më diagnozat emergjente në UA Nr. 03/2017 për TMJIShP, Fondi nuk ka pasur bazë ligjore ta nënshkruaj Fletëzotimin për fillimin e trajtimit mjekësor të pacientit në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Fondit.

Familja e policit: Brahimi ka dhënë shumë për këtë vend, jemi të dëshpëruar

Me gjithë këto zhvillime, familja e ish-ushtarit të UÇK-së Brahim Sedolli, shprehen të zhgënjyer me shtetin e Kosovës.

Nacionale ka kontaktuar me Ismetin, vëllain e Brahimit. Ai ka shpjeguar detaje të dhimbshme për gjithë rastin.

"Unë nuk e di as vet se përse jemi refuzua. Në QKUK ne kemi shku, kemi lypë trajtim. Aty nuk u arrit që të bëhet asgjë, andaj na u kërkua trajtimi për vëllain jashtë vendit. Madje, nevoja ka qenë që urgjentisht Brahimi të dërgohet për trajtim jashtë Kosovës. Ne me protokoll kemi shku, kemi apliku. Në stres kemi pritë. Ata na thanë, Zoti ua bëftë qarën se s'kemi çka me ba”, thotë Ismeti.

Paratë për shërimin e sëmundjes së policit, rreth 40 mijë euro, familja i ka siguruar përmes njerëzve vullnetmirë.

Vëllai është dhurues i rregullt i gjakut. Polic, ende punon. Ka dhënë shumë për këtë vend. Ne në Tiranë e gjetëm një vend ku operohet. Me diku 40 mijë euro po kryhet e gjithë procedura”, thotë ai.

Ai thotë se u dëshpërua me vendin për të cilin kanë luftuar.

Ne jemi të zhgënjyer. Sot me mujtë unë me fëmijë me krejt, kurrë në Kosovë ma s'kisha shkelë. Edhe pse babë e babagjysh për këtë vend kanë dhënë jetën. Jemi të zhgënjyer më beso. Të gjithë, si familje jemi të zhgënjyer".

Policia: Jemi të gatshëm për t’i paguar faturat e shërimit të kolegut tonë

Të gatshëm për t’i dalë në ndihmë Brahim Sedollit, shprehen kolegët e tij nga Policia e Kosovës.

Kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, në një bisedë për Nacionalen ka shprehur gatishmërinë për ndihmë.

Unë jam duke e pritur vendimin e ministrisë se përse ia kanë refuzuar kërkesën për shërim. Përndryshe, të gjitha shpenzimet për shërim ia paguajmë ne përmes Fondit të brendshëm të policisë së Kosovës. Fatkeqësia është se personi në fjalë është dashtë me i sigurua vet mjetet financiare. Por, tash si të na i sjellë faturat, ato i paguhen 100 për qind”, thotë Zeqiri.

Brahim Sedolli tashmë ka kryer operimin në Tiranë. Shuma totale ka shkuar gati në 40 mijë euro. Ai është kthyer në Kosovë, ku pritet që ta përcjellë gjithë procesin pas operimit./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme