Sigurimet shëndetësore - kur? - NACIONALE

Sigurimet shëndetësore - kur?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kosovarët po vazhdojnë të vuajnë për trajtim të mirëfilltë shëndetësor. Spitalet kosovare nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat elementare për një trajtim të denjë. Këtë fakt e vërtetojnë listat e gjata të pritjes së pacientëve për intervenime (edhe urgjente), në Klinikat kryesisht të QKUK-së. E si pasojë, shumë qytetarë, derë kryesore për trajtim të shëndetit të tyre i kanë shtetet fqinje. Në krye të listës qëndron Turqia. Fajin për këtë gjendje e ka edhe mos-funksionalizimi i Fondit për Sigurimet Shëndetësore.

Gentiana Hasani

Secili ministër i shëndetësisë, secila Qeveri, që nga viti 2014, premtim kryesor e kanë pasur jetësimin e Sigurimeve Shëndetësore për kosovarët. Ligji për Sigurime Shëndetësore ka kaluar në vitin 2014. Dy vjet më vonë ka nisur puna në amendamentimin e tij, porse nuk është kryer ende.

Shumë Qeveri janë ndërruar, e sigurimet shëndetësore ende s’janë bërë.

Por as ky vit, kosovarët s’do ti gjejë të siguruar në aspektin shëndetësor.

Këtë fakt po e pranojnë edhe vetë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë në një deklaratë për Nacionalen.

Në programin legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës / Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2022 është edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Qëllimi është që qytetarët e Kosovës të kenë shërbime kualitative të kujdesit themelor shëndetësor për të përmirësuar indikatorët shëndetësorë, sigurimin e mbrojtjes financiare për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor, nëpërmjet themelimit dhe rregullimit të sistemit publik të sigurimit shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë gazetës.

Si pasojë e mos-punës së shtetit, kosovarët duhet që në shumicën e herave t’i gjejnë vetë qaren sëmundjeve nga të cilat ata lëngojnë.

Çka thotë shteti për Sigurimet Shëndetësore

Kreu aktual i Ministrisë së Shëndetësisë, Rifat Latifi, pati deklaruar se fillimi i vitit 2023 është koha kur do të fillojnë të mblidhen paratë nga qytetarët për sigurime shëndetësore, ndërsa shërbimet, sipas tij, do të ofrohen më vonë.

Por se kur, ditë, vit apo datë, Latifi për këtë punë nuk kishte dhënë.

“Në fillim të vitit 2023 do të fillojmë t’i mbledhim premiumet për këtë, dhe unë besoj që këtë vit do të kemi të paktën fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore”, pati thënë Latifi.

Plan të njëjtë si të ministrit Latifi, pra fillimisht mbledhjen e premiumeve nga qytetarët e pastaj të kontraktohen shërbimet, e kanë pasur edhe qeveritë e kaluara.

Njëjtë kishte vendosur Qeveria e Kosovës në kohën e Isa Mustafës gjatë viteve 2016 e 2017, ani se Vetëvendosja në atë kohë e kundërshtonte fuqishëm një ide të tillë, me argumentin se është e jashtëligjshme.

“Para se të fillojë vjelja e parave të qytetarëve për sigurime, ata duhet publikisht të njoftohen për përfitimet që do të kenë në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, kishte thënë më 2016 Visar Ymeri, kryetar i VV-së në atë kohë.

Për dy muaj janë shpenzuar gati dy milionë euro për trajtimin e kosovarëve jashtë vendit

Shumë sëmundje të rënda vazhdojnë të mos kurohen në Kosovë. E numri i kosovarëve që po preken nga këto sëmundje, kryesisht malinje, është i lartë.

Për 209 raste që kanë kërkuar trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore nga buxheti i shtetit janë shpenzuar 1,794,986.21 euro.

E shtetet në të cilat pacientët zgjedhin të trajtohen, janë Turqia, Shqipëria dhe Maqedonia.

Kosova - Miliona euro borxh spitaleve turke

Turqia është destinacioni kryesor i pacientëve kosovarë që nuk gjejnë shërim në spitalet publike të Kosovës. Por, spitalet turke më nuk do të pranojnë pacientë kosovarë falas për trajtim pa u paguar borxhi prej 25 milionë eurove që shteti i Kosovës ua ka borxh këtyre spitaleve.

Ky borxh vjen si pasojë e mospagesës prej 25 milionë eurosh nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Për këtë borxh ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili ka konfirmuar borxhin e Kosovës ndaj spitaleve turke. Ai ka treguar se pa u paguar ky borxh, shteti i Turqisë nuk do të pranojë më pacientë për trajtim falas.

“I kam kërkuar që të vazhdohet trajtimi i pacientëve nga Kosova. Më tha ju duheni një herë të na paguani borxhin prej 25 milionë eurosh”, ka deklaruar Latifi në muajin maj gjatë një tryeze të mbajtur me drejtuesit e SHSKUK-së.

Nga Kosova, gjatë vitit të kaluar në spitalet turke janë trajtuar vetëm 17 pacientë, në vitin 2020 janë trajtuar 33 pacientë, në vitin 2019 janë trajtuar 100 pacientë, kurse në vitin 2018 janë trajtuar 64 pacientë.

Në anën tjetër, Kryesuesja e Bordit Ekzekutiv të Programit për Trajtim Jashtë Vendit, Kadrije Sherifi, ka thënë se 666 lëndë kanë qenë në pritje për shqyrtim nga viti 2019 dhe për të njëjtat nevojiten mbi 28.1 milionë euro.

Sherifi ka thënë në prezantimin e saj se buxheti total në dispozicion për këtë program për vitin 2022 është 7 milionë euro dhe 270 mijë euro për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Turqia është destinacioni kryesor i pacientëve kosovarë që nuk gjejnë shërim në spitalet publike të Kosovës. Shkuarja e tyre në spitalet private turke bëhet kryesisht përmes ndërmjetësuesve në Prishtinë. Disa prej tyre madje janë takuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, dy herë radhazi në Stamboll dhe në zyrën e tij në Prishtinë.

Sigurim Shëndetësor nuk kanë as pjesëtarët e Policisë së Kosovës

Për një vit 13 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë trajtuar jashtë vendit për shkak të sëmundjeve nga të cilat ata lëngonin.

Disa herë ndihmë për shërim të zyrtarëve policorë është kërkuar edhe nga qytetarët.

Nga Policia e Kosovës në një përgjigje për Nacionale kanë sqaruar rreth mënyrës se si bëhen kërkesat për trajtim të zyrtarëve policorë jashtë Kosovës.

“Gjatë Vitit 2021 dhe në fillim të muajve të vitit 2022, përmes Drejtorisë së Shërbimeve Shëndetësore/DPP janë përcjellë Rekomandime për të kryer kompenzime materiale për gjithsejtë; 13 Pjesëtarë të PK-së të cilët janë trajtuar jashtë vendit ( për shkak të natyrës së rëndë te sëmundjes) të trajtuara me emërtimin ; “Raste të veçanta shëndetësore “të Aprovuara në Udhëzimin në fjalë, ku bëjne pjesë sëmundjet e rënda përfshirë edhe sëmundjet malinje”, thuhet në përgjigjen e PK-së për gazetën.

Sipas policisë në rastet kur kërkesa e punonjësit të PK-se aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria mbulon shpenzimet e trajtimit, atëherë pjesa e mbetur financohet nga PK-ja (nëse e lejon buxheti).

E në rastet kur kërkesa e punonjësit të PK-së nuk aprovohet nga Ministria e Shëndetësisë, atëherë PK-ja mbulon shpenzimet e trajtimit mjekësor për trajtim jashtë vendit (nëse lejon buxheti i PK-së).

Gjatë vitit 2022, 64 Zyrtarë të PK-së janë lënduar në kryerje të detyrës për vitin 2022.

Kosova mbetet një nga vendet e rralla në Evropë pa sigurime shëndetësore, ndonëse secila qeveri e subjekt politik e premton në fushata zgjedhore. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme