“Rrezik për kolaps total” – Pas uljes së pagave, qindra seanca gjyqësore shtyhen çdo ditë - NACIONALE

“Rrezik për kolaps total” – Pas uljes së pagave, qindra seanca gjyqësore shtyhen çdo ditë

1 vit më parë

nga Besian Beha

Që nga data 24 nëntor, qindra seanca gjyqësore janë shtyrë nëpër të gjitha Gjykatat e Kosovës. Vetëm gjatë ditës së djeshme, në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë shtyrë 113 seanca.

Gazeta Nacionale nga zëdhënësit e gjykatave nëpër Kosovë, ka siguruar edhe numrin e të gjitha seancave që janë shtyrë, qysh nga koha kur u ulën pagat për gjyqtarë e prokurorë, dhe vendimit që të reduktohet puna.

Gjykata Themelore Prizren – Janë shtyrë 179 seanca

Gjykata Themelore Ferizaj – Janë shtyrë 110 seanca

Gjykata Themelore Pejë – Janë shtyrë 155 seanca

Gjykata Themelore Gjakovë – Janë shtyrë 119 seanca

Gjykata Themelore Gjilan - Janë shtyrë 174 seanca

Një situatë e tillë është në të gjitha institucionet e drejtësisë në Kosovë. Me qindra seanca po shtyhen, pas vendimit të Këshillit Gjyqësor e Prokurorial për reduktim të punës. Kjo për ta kundërshtuar vendimin e qeverisë, e cila saktësisht një javë më parë i uli pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kjo po vlerësohet se ka shkaktuar kaos e bllokadë totale në institucionet e drejtësisë, duke ua pamundësuar edhe qytetarëve t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre.

Avokati Artan Qerkini në një intervistë për gazetën Nacionale, ka thënë se gjetja e një zgjidhje ndërmjet institucioneve është urgjente.

“Greva e gjyqtarëve dhe e prokurorëve e ka afektuar punën e avokatëve. E kemi pasur një situatë me COVID-19 që ka ndikuar të shtyhen shqyrtimet gjyqësore, dhe lëndët vetëm sa janë grumbulluar. Kjo me siguri do të ketë domino-efekt në shtyrjen e seancave, dhe zvarritjen e procedurave gjyqësore. Mendoj që Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të gjejnë një ujdi në lidhje me tejkalimin e kësaj situate, sepse zvarritjet e procedurave cenojnë të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të pasur gjykim brenda afatit të arsyeshëm. Është përgjegjësi e shtetit të garantojë gjykim brenda afatit. Kemi probleme sidomos në lëndën civile”, deklaroi Qerkini.

Ai tha më tutje se sidomos në lëndët civile, situata është dukshëm më e vështirësuar pasi ka shumë lëndë të grumbulluara.

“Kur një qytetar e parashtron padinë në vitin 2010, e ftohet në seancë për herë të parë në vitin 2020. Qytetarët iu drejtohen gjykatave për të marrë drejtësi, por ne e dijmë se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Mund të ndodhë që edhe lista esenciale e procedurave gjyqësore që nuk janë ndërprerë, mund edhe më shumë të ngushtohet, dhe në atë rast do të kemi kolaps total të drejtësisë”, deklaroi Qerkini.

Avokati Qerkini theksoi se Këshilli Gjyqësor e Prokurorial dhe Qeveria e Kosovës, duhet t’i lënë anash inatet, dhe ta gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.

“Komunikimi mes institucioneve është i domosdoshëm. Nuk mendoj që institucionet mund t’i zgjedhin problemet me inate. As personat fizikë nuk mund t’i zgjedhin me inate, e lëre më institucionet. Këtu duhet të mbizotërojnë argumentet e arsyeja, e jo inatet personale. Pakënaqësitë ka mundësi të adresohen qoftë nëpërmjet Vettingut apo iniciativa të ngjashme, por në asnjë mënyrë nuk mund të shtyhen përmes inateve personale të bartësve të funksioneve shtetërore”, theksoi Artan Qerkini.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka paralajmëruar se nëse nuk ka reflektim pas datës 8 dhjetor, mund të ketë masa edhe më radikale. Deri më tash, në gjykata është punuar vetëm me rastet esenciale.

Shoqata e Prokurorëve e paditë qeverinë

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka sfiduar në gjykatë vendimin e Qeverisë Kurti për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Burimet e gazetës Nacionale brenda kësaj shoqate kanë bërë me dije se dje pas ditë kjo shoqatë ka bërë padi në Gjykatën Themelore ndaj vendimit të Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

I njëjti burim ka thënë se bashkë me padinë, Shoqata e Prokurorëve të Kosovës ka bërë edhe propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për uljen e pagave.

Kjo gjykatë pritet që brenda tri dite të marrë vendim rreth propozimit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.

Ulja e pagave për gjyqtarë e prokurorë

Saktësisht sot një javë, Qeveria e Kosovës me një vendim në mbledhjen e ekzekutivit, ka vendosur t’i kthejë pagat e gjyqtarëve e prokurorëve sikur ishin para vitit 2018.

Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.

Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.

Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

Lajme të ngjashme