Refuzuan ta importonin Coca Cola-n nga Serbia - qysh e fitoi betejën në Gjykatë biznesi nga Ferizaj? - NACIONALE

Refuzuan ta importonin Coca Cola-n nga Serbia - qysh e fitoi betejën në Gjykatë biznesi nga Ferizaj?

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Një ndryshim i ligjit për markat tregtare, i cili ndodhi gjatë muajit korrik të këtij viti, ka mundësuar fitore të një beteje ligjore, në të cilën ishte përfshirë hiç më pak se ndër markat më të njohura në botë CocaCola.

Një biznes nga Komuna e Ferizajt, i quajtur “Plus Market”, po refuzonte tash e një kohë të gjatë të importonte produkte të CocaColës nga Serbia.

Këto produkte marketi në fjalë, i importonte nga Shqipëria. Për përfaqësuesit e Coca Cola kjo ishte e papranueshme dhe kishin kërkuar të konfiskohen të gjitha produktet e “Coca Cola”, “Fanta” dhe “Sprite”, të cilat janë importuar pa autorizim zyrtar, siç pretendonte Coca Cola.

Meqenëse me ligjin e vjetër, të miratuar më shumë se 10 vjet më parë, kompanitë nuk kishin opsion tjetër të importit të këtij produkti përveç Serbisë, tashmë me ligjin e ri, mundësohet një gjë e tillë.

Ligji i vjetër:

E pikërisht në Ligjin e ri është thirrë edhe Gjykata Komerciale, kur ka marrë Aktvendim, që të refuzohet si e pabazuar propozimi për masë të sigurisë, nga “The Cocacola Company”.

Fitore ligjore sot për kompanitë që nuk importojnë dhe nuk sheshin mallra nga Serbia”, e kanë quajtur përfaqësuesit e marketit “Plus” këtë aktvendim.

Për Gazetën Nacionale në lidhje me këtë fitore, ndonëse veç fillestare, ka folur avokati i këtij marketi, Asdren Bytyqi.

“Ky vendim përbën vendosjen e një precedenti dhe njëkohësisht standardi të mirë, duke mbyllur njëherë e përgjithmonë monopolet e importeve nga një vend, në këtë rast Serbia. Ky vendim hap dyert për shumë kompani të cilat nuk kanë pasur alternativë tjetër, përveçse furnizimit me produkte nga Serbia, që të njëjtat produkte që prodhohen në Serbi por edhe në vende të tjera, të zgjedhin vendet e tjera si vende te furnizimit”, ka thënë Bytyqi për Nacionalen.

Bytyqi, “meritat” për këtë fitore, ka thënë se i ka Ligji i ri. Ai e ka quajtur mundësi të mirë, që të gjitha vendimet e tjera nga gjykatat ta marrin për bazë këtë rast, në mënyrë që të mos lejojnë, që një shtet në këtë rast Serbia, ta ketë ekskluzivitetin në import për territorin e Kosovës.

“Ky vendim është reflektim i ndryshimit pozitiv të Ligjit për Markat Tregtare, duke ua ndaluar pronarëve të markave tregtare kufizimin e shitjes së atyre mallrave, pasi që të njëjtat vendosen në treg, pavarësisht vendit të prodhimit dhe politikës së brendshme të kompanive, në këtë rast Coca Colen, që fabrika e Coca Colës në Serbi, të ketë ekskluzivitetin në import për territor të Republikës së Kosovës. Kjo mundësi dhe praktikë po mbaron me vendimin e sotëm dhe vendimet e tilla në të ardhmen”, ka thënë avokati Bytyqi.

Çka ndodhi në Gjykatë?

Gjykata Komerciale e Kosovës, sipas padisë dhe propozimit për masë të sigurimit nga "Coca Cola Company", me seli në Amerikë, ndaj kompanisë N.P.T "Plus Market", ka refuzuar propozimin për masën e sigurimit, përmes të cilës është kërkuar që të ndalohet kompania "Plus Market" nga importimi i produkteve të Coca Colës, Fanta dhe Sprite të prodhuara në Shqipëri, apo ndonjë vend tjetër, përpos Serbisë.

Ky vendim është i pari dhe paraqet precedentin e parë të zbatimit të Ligjit të ri për Markat Tregtare, ligji i cili ka hyrë në fuqi me 7 Korrik 2022 . Ky Ligj, për dallim nga ligji paraprak, përcakton se pronari i markës, e që në këtë rast ishte “Coca Cola Company”, nuk mund të ndalojë përdorimin e markës tregtare në produktet që pronari i ka vendosur në ndonjë shtet të rajonit të Ballkanit Perëndimor apo shtet me të cilën Republika e Kosovës ka marrëveshje të tregtisë së lirë.

Përmes këtij intepretimi dhe zbatimi të ligjit të ri, kompanitë vendore, të cilët nuk importojnë produkte të prodhuar në Serbi, u jepet mundësi zhvillimi dhe pavarësimi. Kjo duke pasur mundësine e importimit të produkteve të markës së njejtë tregtare, por të prodhuar në ndonjë shtet tjetër të rajonit apo me të cilin Kosova ka marrëveshje të tregtisë së lirë, e jo siç ka qenë deri para këtij vendimi, vetëm në Serbi.

Në mars të këtij viti, situata ishte krejt tjetër, një vendim i Gjykatës së Apelit, po e pamundësonte, që kompanitë të furnizoheshin nga Shqipëria ose ndonjë vend tjetër, përpos Serbisë me Coca Cola, Fanta dhe Sprite.

Betejat nëpër Gjykata

Gjykata e Apelit kishte vërtetuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës sipas të cilit i ishte ndaluar të importoheshin pijet “Coca-Cola”, ‘Fanta’ dhe ‘Sprite’, pa marrë autorizimin përkatës dhe deri në një vendimin përfundimtar të gjykatës.

Gjithashtu, në vendimin e Gjykatës së Apelit, urdhërohej Inspektorati për mbikëqyrjen e tregut të konfiskojë dhe të largojë nga tregu i Kosovës të gjitha produktet e ‘Coca-Cola Company’, të cilat janë importuar nga kompania ‘Frutin’.

Gjykata e Republikës së Kosovës ia ka dhënë të drejtën një kompanie shqiptare, që nuk e di kush është, të na imponoj neve ta sjellim Coca-Cola-n vetëm prej Serbisë kishte thënë pronari i marketit, pas këtij vendimi.

Nuk e di pse ata shqiptarë, pse e përkrahin aq shumë produktin serb. Ne nëse nuk e përkrahim prodhimin vendor edhe vetveten kjo rini do ta lëshoj këtë Kosovë. Nuk është e drejtë që produkti i coca-colës rri që dy muaj këtu, iu bëjë apel gjykatësve të Kosovës, ata që e kanë marrë këtë vendim se po t’i kishte dy gram gjak shqiptari, kurrë këtë vendim se kish marrë”, kishte deklaruar Sylejman Neziri, pronar i marketit.

Vendimi më i ri i Gjykatës Komerciale, mbase do të ndikojë edhe tek statistikat vjetore, për importet nga Serbia, meqenëse tashmë kompanitë kanë mundësi të zgjedhin ndonjë shtet tjetër për furinizim.

Lajme të ngjashme