Rasti Banjska: Shtyhet seanca e parë, Gjykata Supreme do të vendosë nëse 42 terroristët në arrati mund të gjykohen në mungesë - NACIONALE

Rasti Banjska: Shtyhet seanca e parë, Gjykata Supreme do të vendosë nëse 42 terroristët në arrati mund të gjykohen në mungesë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Është shtyrë seanca e parë ndaj tre terroristëve serbë të përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë.

Kjo ndodhi me kërkesën e avokatëve serbë të cilët deklaruan se nuk kanë qenë të pajisur në kohë me shkresat e lëndës dhe me aktakuzën.

Sipas tyre, klientët (terroristët serbë) nuk kanë pasur kohë ta lexojnë aktakuzën e plotë, dhe se të njëjtën e kanë marrë në formatin online, e jo të printuar.

Avokati i familjes së Afrim Bunjakut ka ironizuar duke thënë se “Prokuroria nuk është shërbyes për fotokopje”.

Megjithatë, me kërkesën e avokatëve seanca u shty për datën 9 tetor.

Paraprakisht, pati diskutime lidhur me faktin nëse 42 serbët që janë në arrati mund të gjykohen në mungesë, apo jo.

Prokurori i rastit Naim Abazi, ka deklaruar se mund të gjykohen në mungesë të gjithë serbët që janë në arrati, pasi ata akuzohen për terrorizëm me pasojë vrasjen e rëndë.

“Edhe gjatë hetimit ka qenë e pamundur me siguru prezencën e tyre (serbëve në arrati)”, tha prokurori Abazi në seancë, raporton Nacionale.

Avokatët e të akuzuarve serbë kanë kundërshtuar faktin që gjykimi për të tjerët të ndodh në mungesë, duke ia lënë vendimin Gjykatës.

E avokati i familjes Bunjaku, Arianit Koci, tha se sulmi ka lënë pasoja të mëdha, andaj duhet të shqyrtohet gjykimi në mungesë.

“Siç po e shihni ky gjykim po mbahet në mungesë të 42 personave. Është specifik sepse ka vdekur polici Afrim Bunjaku dhe janë dëmtuar palët dhe të njëjtën kohë ka mundur të rrezikohet rendi kushtetues i Republikës së Kosovës. Gjykata duhet të vendos a të mbahet a jo, sidoqoftë duhet të merrni mendim edhe nga Gjykata Supreme”, ka thënë ai.

Gjyqtari i rastit, Arben Hoti, ka bërë të ditur se Gjykata do t’i drejtohet me letër Gjykatës Supreme, e cila më pas do të vendosë nëse për këtë rast mund të ketë gjykim në mungesë.

Kjo për faktin se me Kodin Penal në mungesë mund të gjykohen krimet e luftës dhe vrasjet e rënda, ndërsa ky rast lidhet me terrorizmin.

“Duke u bazuar në kompetencën e Gjykatës Supreme, do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme për të marrë rekomandim juridik nëse mund të aplikohet dispozita e neni 303 e Kodit Penal”, tha gjyqtari Hoti.

Si rezultat, ai vendosi ta ndajë procedurën. Pra, serbët e arrestuar do të gjykohen në një procedurë të ndarë, derisa të vendoset për terroristët në arrati.

Megjithatë, sipas gjyqtarit Hoti, lënda mund të bashkohet me kalimin e kohës.

Në seancën e sotme, për herë të parë, dolën para Gjykatës 3 serbët e arrestuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist të Banjskës.

Interesimi i mediave për të marrë pjesë në këtë seancë, ka qenë i jashtëzakonshëm.

Lajme të ngjashme