Qershor apo shtator 1999: Kur përfundoi lufta në Kosovë sipas Gjykatës Speciale?
12 qershori i vitit 1999 shënon përmbylljen e bombardimeve, dhe fundin e regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Njëkohësisht edhe fundin e luftës ndërmjet UÇK-së e forcave serbe. Megjithatë, afati kohor se kur është mbyllur lufta në Kosovë, ka shkaktuar paqartësi në Gjykatën Speciale.
Ka qenë një vendim shumë kohë më parë nga gjyqtari i procedurës paraprake që në aktakuzën e konfirmuar, e kishte aprovuar si periudhë për krimet e luftës marsin 1998 deri në shtator 1999. Me këtë nuk është pajtuar sërish mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Avokati i Thaçit në një parashtresë të dorëzuar te trupi gjykues ka kërkuar që periudha e konfliktit të armatosur të jetë më së largu 20 qershori 1999, raporton gazeta Nacionale.
“Mbrojtja e Thaçit kërkon nga Paneli që të ftojë Prokurorinë që të ngushtojë shtrirjen kohore të aktakuzës në ngjarjet “më ose para datës 20 qershor 1999” (“Kërkesa e Parë”). Nëse Prokuroria refuzon ftesën e Panelit, Mbrojtja e Thaçit kërkon që Paneli të urdhërojë Prokurorinë që të ngushtojë shtrirjen kohore siç është treguar më lart (“Kërkesa e Dytë”). Përveç kësaj, Mbrojtja e Thaçit kërkon nga Kolegji që të urdhërojë ngushtimin (e mëtejshëm) të shtrirjes kohore dhe gjeografike të Aktakuzës, siç e gjykon të nevojshme nga Kolegji për të mbrojtur të drejtën e të Akuzuarit për gjykim të shpejtë (“Kërkesa e Tretë”)”, thuhet në këtë parashtresë.
“Mbrojtja Thaçi pretendon se: (i) konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar jo më vonë se 20 qershor 1999, që është data e nënshkrimit të Marrëveshjes për Demilitarizim nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (“UÇK”), dhe Prokuroria nuk ka ofruar asnjë arsyetim se pse Paneli duhet të rishqyrtojë konkluzionet e tilla”, thuhet aty.
Në një formë, trupi gjykues në vendimin e tij e ka lënë të hapur mundësinë që periudha kur ka zgjatur lufta, të shqyrtohet pasi të zhvillohet gjykimi.
“Për më tepër, trupi gjykues rikujton se në vendimin e parë konfirmues, gjyqtari i procedurës paraprake, pasi kishte shqyrtuar materialet përkatëse mbështetëse, konstatoi se Prokuroria kishte krijuar dyshime të bazuara se i Akuzuari kishte kryer ose marrë pjesë në kryerjen e krimeve të luftës dhe krimet kundër njerëzimit nga të paktën marsi 1998 deri në shtator 1999. Duke kujtuar se e drejta ndërkombëtare humanitare zbatohet përtej ndërprerjes së armiqësive, derisa të arrihet një mungesë e qëndrueshme e konfrontimeve të armatosura, gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi më tej se ekziston një dyshim i bazuar se, nga së paku mars 1998 deri më 16 shtator 1999, në Kosovë ekzistonte një konflikt i armatosur jondërkombëtar në kuptim të nenit 14(2) ndërmjet forcave serbe dhe UÇK-së”, thuhet në arsyetimin e trupit gjykues.
“Në lidhje me këtë, Paneli thekson se: çështja (ligjore) nëse ka ekzistuar apo jo një konflikt i armatosur në Kosovë pas datës 20 qershor 1999 (dhe së paku deri në shtator 1999) varet nga gjetjet faktike; dhe gjetjet e tilla mund të bëhen nga Paneli vetëm pasi të ketë ekzaminuar siç duhet të gjitha provat e ofruara gjatë gjykimit”, përfundon parashtresa.
Kurse, sa i përket zvogëlimit të akuzave dhe lokacioneve gjeografike, trupi gjykues ka bërë të ditur se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe nga Prokuroria gjatë seancave. Megjithatë, deri më tash nuk ka zgjedhur ta obligojë.
Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së do të fillojë me datën 3 prill.
Emrat e viktimave
Prokuroria e Specializuar në Hagë ka publikuar emrat e rreth 70 viktimave të pretenduara në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në lokacione të ndryshme të Kosovës, janë publikuar emrat e shqiptarëve e serbëve për të cilët Prokuroria pretendon se kanë qenë viktima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në rajonin e Drenasit viktimat që pretendohet janë vrarë janë: Emin Emini, Ibuzh Hamza, Hyzri Hajziri, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashit, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri, Hasan Hoxha dhe Ajet Gashi.
Ferizaj: Dimko Parliq, Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci, Nezir Tropojani.
Gjakovë: Nenad Remistar, Skender Kuqi, Pal Krasniqi, Mirko Joviq, Dzemo Zuljiq.
Lipjan: Arben Avdyli, Ymer Xhafiqi, Sherafedin Ajeti, Veljko Markoviq, Nebojsa Gjuriqiq.
Në aktakuzën më pak të redaktuar që e ka publikuar Prokuroria e Specializuar, tregohen edhe veprimet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në disa prej pikave, ish-udhëheëqsit e UÇK-së akuzohen për veprime direkte, kurse në disa të tjera akuzohen në kuadër të zinxhirit komandues për mosveprim.
Fillimisht në nisje të aktakuzës tregohen pozicionet e secilit prej të akuzuarve në UÇK, dhe rolin e tyre gjatë kohës së luftës. E më pas tregohen për krimet të cilat krerët e UÇK-së akuzohet se i kanë kryer.

