Punë vetëm me raste urgjente pas uljes së pagave: A u bllokua sistemi i drejtësisë? - NACIONALE

Punë vetëm me raste urgjente pas uljes së pagave: A u bllokua sistemi i drejtësisë?

6 ditë më parë

nga Besian Beha

Rasti i 53 milionëve të Bechtel Enkas ku akuzohet ish-ministri Pal Lekaj. Rasti Stenta 2. Këto janë vetëm dy nga raste tejet të njohura, e seancat për të cilat nuk janë mbajtur. Kjo pasi Këshilli Gjyqësor e Prokurorial kanë vendosur ta reduktojnë punën vetëm për raste urgjente. E gjithë kjo si rezultat i uljes së pagave për gjyqtarë e prokurorë nga Qeveria e Kosovës.

Të gjitha seancat për rastet penale, civile, administrative e ngjashëm, që ishin planifikuar të mbahen për sot janë anuluar. Gjykatat e Prokuroritë në nivel vendi, të gjitha pa dallim, po punojnë vetëm për raste urgjente. Situata mund të përkeqësohet pas 8 dhjetorit, nëse Qeveria e Kosovës nuk e ndryshon vendimin për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.

Ehat Miftaraj drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, vendimin e djeshëm të qeverisë e ka cilësuar si skandaloz, dhe në kundërshtim me Kushteuttën.

“Me vetë faktin që sot janë anuluar të gjitha seancat penale, civile, administrative, në fund të fundit ky vendim po paguhet nga qytetari i Kosovës. Është ndërhyrje drastike në gjyqësor e prokurori.Komisioni i Venecias ka opinione ligjore për pavarësinë e sistemit gjyqësor e prokurorial. Ekzekutivi nuk guxon me vendime arbitrare të prek pagat, sigurinë juridike e financiave të prokurorëve”, ka thënë Miftaraj në një intervistë për gazetën Nacionale.

Miftaraj ka pasur kritika të mëdha edhe për këshilltarët e Kurtit që janë juristë, duke i këshilluar “ta mësojnë A, B, C e drejtësisë”

“Besoj që në radhë të parë kemi dy adresa: Zyra e Kryeministrit por mund të ketë ndikim edhe Ministria e Brendshme. Këshilltarët juridikë që e proceduan ligjin për paga dhe këshilltarët juridikë të kryeministrit pra ata politikë, duhet ta mësojnë A, B, C e sistemit të drejtësisë. Të njëjtit duhet ta kuptojnë që nuk mund të anulojnë opinione të Komisionit të Venecias, e as standardet që i garanton Kushtetuta e Kosovës”, tha Miftaraj.

Sipas tij, në këtë mënyrë i hapet rruga edhe rritjes së korrupsionit.

“Sigurisht që kjo është me ia hap korrupsionit derën në sistmein gjyqësor e prokurorial. Një gjyqtar që e ka rregulluar jetën e në 5 vjetët e fundit merr pagë 3 mijë euro, 2 mijë euro, 1 mijë e 800 euro, dhe i përgjysmohet paga, nuk i mbetet tjetër por vetëm për të mbijetuar. Nëse një gjyqtar e prokuror e ka future gjysmën e pagës në kredi, dhe nga ky muaj nëse i njëjti gjysmën e pagës është i obliguar t’ia paguajë gjysmën e mbetur bankës, në fund të muajit mbetet me 0 euro në konto. Do të thotë çka mbetet tjetër, si mund ta garantojmë që të njëjtit nuk do të hyjnë rrugëve që në bazë të Kushtetutës, e ligjit asnjëra nuk do të duhej të përfshihen në afera korruptive, por kjo është një mundësi që mund të ndodhë”, përfundoi Ehat Miftaraj.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nuk ka pranuar të komentojë shumë për kritikat nga Këshillat, ai gjyqësor e prokurorial. Haxhiu ka thënë se rritja e pagave për gjyqtarë e prokurorë nga ish-kryeministri Haradinaj, ishte vendim i paligjshëm.

“Ligji i Pagave rrit pagat për gjyqtarët e prokurorët, dhe nuk mund ta mbajmë në jetë një vendim që është i paligjshëm. Bashkëpunimet me Këshillat për shkak të reformave ky është përcjellur me probleme të ndryshme, kemi nisur Vettingun e kanë bojkotuar. Duhet të punojmë vetëm për interesat e qytetarëve. Nuk kuptoj qasjen e KGJK dhe KPK, dhe i ftoj të vazhdojnë punën, e të mos punojnë për interesa personale por për interesa të qytetarëve. Qëllimi atëherë ka qenë t’ia rrisin pagën vetves, dhe ata nuk kanë qenë në dijeni se kjo ndikon në rritjen e pagave të sistemit të drejtësisë. Kur ka qenë konflikt i interesit, e kemi dërguar në AKK. Kemi dorëzuar edhe kallëzim penal, dhe unë nuk jam ftuar asnjëherë. Pse ndoshta, pyetja do të duhej t’i bëhej Prokurorisë Speciale”, ka deklaruar Haxhiu.

Një vendim të tillë, e ka quajtur të ligjshëm edhe kryeministri Albin Kurti.

Bllokada në sistemin e drejtësisë

Këshilli Gjyqësor e Prokurorial dje pasdite u mblodhën në mënyrë urgjente. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëpërmjet një konference për media, bëri të ditur se kanë vendosur të merren vetëm me raste urgjente.

Nëse qeveria nuk e shfuqizon uljen e pagave deri më 8 dhjetor, atëherë masat e KGJK-së u paralajmëruar se mund të përshkallëzohen. E sot u përcaktuan shërbimet e vetme që do të kryhen nëpër gjykata.

“Të procedohen dhe mbahen seancat lidhur me masat për sigurinë e të pandehurve në procedurë, shqyrtimet për rastet me paraburgim dhe rastet që kanë të bëjnë me të pandehurit me çrregullime mendore, Trajnimi i kërkesave për sekuestrim dhe masat e përkohshme, Ekzekutimi i vendimeve penale, Çështjet e dhunës në familje (të gjitha fushat), Çështjet e sigurimit të kërkesëpadisë (të gjitha fushat), Përmbarimi i vendimeve për rastet e dorëzimit të fëmijës, realizimit të kontaktit dhe alimentacionit si dhe rastet e tjera në çfarëdo procedure kur është në pyetje interesi i fëmijës. Procedura për dërgimin e personave në rehabilitim (të gjitha fushat), Të gjitha shërbimet administrative”, thuhet në njoftim.

Punën e reduktoi edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, me vendim pas mbledhjes urgjente të mbajtur dje.

“Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund të komunikatës.

Me reagim doli edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.

“Duhet theksuar se zbritja e pagave për Gjyqtarë dhe Prokuror nënkupton kthim prapa, derisa do të shtohet rreziku i rënies së të interesuarve për të punuar në këto pozita, që nënkupton se pasojat e tilla do të bien në kurriz të qytetarit, sepse mund të ketë rënie edhe të efikasitetit dhe vullnetit e përkushtimit në punë”, thuhej në reagim.

Sa u ulën pagat e gjyqtarëve e prokurorëve?

Ajo që mund të konstatohet qysh në fillim, është se gjyqtarëve e prokurorëve paga do t’u ulet për së paku 1 mijë euro në muaj.

Gazeta Nacionale ka marrë një rast krahasimi të një gjyqtari dhe të një prokurori për ta krahasuar deklarimin e pasurisë që ata e kanë bërë para rritjes së pagave nga Qeveria Haradinaj dhe sa janë paguar pas këtij vendimi.

Një gjyqtar i gjykatës në vitin 2017 paguhej në vlerën NETO 1 mijë e 30 euro. Kurse, pas rritjes së pagës nga Haradinaj, e cila i preku edhe gjyqtarët e prokurorët, gjyqtarët paguheshin NETO 2 mijë e 129 euro. Pra, që nga sot e tutje, gjyqtarët do të paguhen 1 mijë euro më pak se kur paguheshin në 4 vitet e kaluara.

Një lëvizje pak a shumë e ngjashme është edhe në sistemin prokurorial. Nacionale ka marrë si rast krahasimi një prokuror që është paguar në vitin 2017. Paga vjetore e tij ka qenë 15 mijë euro. E pas rritjes së pagave nga Haradinaj, ai është paguar 25 mijë euro. Pra, në një lëvizje të tillë, ulja do të jetë rreth 10 mijë euro më pak në vit për prokurorët e zakonshëm.

Në këtë rast, do të preken edhe pagat e kryetarëve të gjykatave, kryeprokurorëve dhe udhëheqësve tjerë të sistemit të drejtësisë.

Deri më tash, kryetari i Gjykatës Supreme paguhej 2 mijë e 950 euro, kurse gjykatësit e Supremes 2 mijë e 655 euro. Kryetari i Apelit deri më tash paguhej 2 mijë e 655 euro.

Kryeprokurori i Shtetit paguhej 2 mijë e 655 euro, kurse Kryeprokurori i Speciales 2 mijë e 802 euro. Pagë prej 2.389 eurosh merrnin edhe kryeprokurorët e prokurorive themelore, derisa prokurorët e këtyre prokurorive paguheshin 1.672 euro.

Lajme të ngjashme