Prokuroria propozon seanca tërësisht të mbyllura në Hagë, mbrojtja kundërshton ashpër - NACIONALE

Prokuroria propozon seanca tërësisht të mbyllura në Hagë, mbrojtja kundërshton ashpër

10 muaj më parë

nga Besian Beha

Prokuroria e Specializuar në Hagë, ka kërkuar që në rastin e krerëve të UÇK-së seancat të zhvillohen tërësisht të mbyllura. Pra, publiku të mos dëgjojë e as shohë asgjë nga ajo që thonë dëshmitarët. Kjo në mbrojtje të dëshmitarëve e viktimave që pritet të jenë pjesë e procesit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka propozuar që 10 ditë pasi të ofrojë dëshminë e tij një dëshmitar, atëherë të publikohet një transkriptë i redaktuar i deklaratave që ai ka dhënë, raporton Nacionale.

Përveç transkriptit, Prokuroria ka propozuar që të bëhet publik edhe një pjesë e transmetimit që është identike me pjesët e redaktuara në transkript. Ky propozim është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja, të cilët kanë vlerësuar se kjo e pengon parimin e publicitetit dhe transparencën që kërkohet.

“Dëshmitari merret në pyetje tërësisht në seancë private. Kjo do të mundësonte marrjen në pyetje sa më efikase dhe të sigurt të dëshmitarit, pa pasur nevojë të shqyrtohet në kohë reale se cilat pjesë të marrjes në pyetje mund të jenë publike ose jo publike. Palët propozojnë një version të redaktuar të transkriptit. Kjo mund të jetë në një orar të ngjeshur (për shembull, pala thirrëse dërgon një transkript të propozuar të redaktuar brenda 10 ditëve pasi transkripti i fundit që lidhet me dëshmitarin të bëhet i disponueshëm, dhe palët që nuk janë thirrëse mund të kenë edhe 10 ditë të tjera për të pranuar ose kundërshtuar ndonjë nga redaktimet). Trupi Gjykues vendos për çdo redaktim të kontestuar. Publikohet një version i redaktuar i transmetimit të drejtpërdrejtë që pasqyron transkriptin përfundimtar të redaktuar. Kjo do t'i nënshtrohet aftësisë së Zyrës së Regjistrimit për të zbatuar ndryshime të tilla në transmetim”, thuhet në këtë parashtrim të Prokurorisë.

Prokuroria e ka pranuar se parimi i publicitetit është tejet i rëndësishëm. Përkundër kësaj, ata kanë kërkuar që seancat të zhvillohen komplet të mbyllura. Ngjashëm siç ka ndodhur deri më tash, pasi publiku në Kosovë pothuajse aspak nuk ka dëgjuar se çka kanë thënë dëshmitarët.

Prokuroria e ka kundërshtuar edhe marrjen në pyetje me kode për dëshmitarët, duke vlerësuar se ajo mund të shkaktojë konfuzion.

“Megjithatë, do të ketë shumë raste në të cilat përdorimi i kodeve ose grupimi i pyetjeve mund të jetë i papërshtatshëm për t'u përdorur me disa dëshmitarë (potencialisht për arsye shkrim-leximi, shëndeti ose rrethana të tjera të veçanta); krijon rreziqe për dëshmitarët; shkakton konfuzion, jo vetëm për dëshmitarët, por gjithashtu potencialisht për palët, pjesëmarrësit, panelin dhe publikun; dhe dëshmi e plotë; çon në pyetje indirekte dhe joefikase (duke përfshirë nevojën për të dyfishuar dhe nxjerrë detaje të mëtejshme identifikuese në mënyrë private); dhe/ose rezulton në harxhimin e kohës së vlefshme të gjykatës në diskutime se çfarë përmbajtje mund ose nuk mund të udhëhiqet në seancë të hapur”, thuhet në parashtrim.

Prokuroria ka bërë të ditur disa statistika, duke vlerësuar se për 150 dëshmitarë nuk konsiderohen të nevojshme masat mbrojtëse.

“Në këtë fazë, masat mbrojtëse në gjykatë nuk janë kërkuar dhe aktualisht nuk konsiderohen të nevojshme për më shumë se 150 dëshmitarë. Në caktimin e dëshmitarëve, ZPS-ja merr parasysh masat mbrojtëse dhe publicitetin. Në këtë drejtim, një e treta e 12 dëshmitarëve fillestarë të njoftuar ishte parashikuar të dëshmonin pa masa mbrojtëse”, thuhet në parashtrim.

Megjithatë, këtë propozim të Prokurorisë e ka kundërshtuar ashpër mbrojtja e krerëve të UÇK-së.

“Propozimi do t’i shkelte të drejtat e klientëve tanë për t’u gjykuar publikisht. Një komponentë thelbësore e publicitetit është se publiku gëzon mundësinë e monitorimit të procesit derisa ai zhvillohet. Informimi mbi zhvillimet shumë kohë pasi ato kanë ndodhur, nuk përkon me të drejtën për gjykim publik, as nuk është në favor të diskursit publik”, kanë parashtruar nga mbrojtja.

Tash vendimi i takon trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Lajme të ngjashme