Avokati amerikan për seancat e mbyllura: Duhet të balancohet siguria e dëshmitarëve dhe transparenca
Avokati i njohur amerikan, Michael Karnavas, që dikur ishte edhe avokat në Tribunalin e Hagës, ka komentuar zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Karnavas që është edhe i akredituar nga Gjykata Speciale, ka thënë se mbyllja e seancave është një procedurë normale. Sipas tij, kjo bëhet shpesh në koordinim me avokatët dhe Prokurorinë.
Karnavas ka deklaruar se duhet të gjendet një balancë midis transparencës me publikun dhe sigurisë së dëshmitarëve.
“Sa i përket seancave të mbyllura gjatë marrjes së provave, kjo është normale. Është për mbrojtjen e dëshmitarëve. Rregulli i përgjithshëm është që procedurat të bëhen sa më publike, por ekziston gjithashtu nevoja për të balancuar transparencën me sigurinë e dëshmitarëve. Nuk është ekzagjerim që në çdo rast para çdo gjykate ndërkombëtare, dëshmitarët në një moment apo në një tjetër kanë shqetësime për sigurinë e tyre dhe të familjes së tyre”, tha fillimisht Karnavas për Nacionalen.
Sipas avokatit amerikan rëndësia më e madhe është që trupi gjykues ta marrë vendimin mbi bazën e fakteve dhe argumenteve të prezantuara gjatë seancave.
“E sigurt në këtë rast është se ju keni avokatë, prokurorë dhe gjyqtarë me përvojë; asgjë nuk po bëhet spontanisht apo pa dallim kur bëhet fjalë për dëshmitë e dëshmitarëve. Nëse masat mbrojtëse duhet të zbatohen dhe në çfarë mase, diskutohen tërësisht. Ndonjëherë mund të mos duket se drejtësia po shihet se po vihet në vend, por në fund gjyqtarët do të nxjerrin një vendim të arsyetuar që shpresojmë të mbështetet në një analizë të drejtë dhe objektive të provave siç pasqyrohet në procesverbalin e gjykimit”, ka deklaruar Karnavas për Nacionalen.
Ai ka folur edhe për fjalët hyrëse, përderisa ka vlerësuar se kjo procedurë është vetëm një nisje e procesit përmes së cilës palët synojnë të vërtetojnë qëndrimet e tyre.
Lidhur me seancat e mbyllura që po mbahen në Hagë, ish-avokati i Ramush Haradinajt, Michael O’Reilly deklaroi se kjo mund të ngjallë mosbesim.
“Ajo që kam kuptuar unë është se fjalimet hapëse ishin të qarta dhe kompetente nga të dyja palët. Është shumë për të ardhur keq që fillimi i gjykimit është në seancë me dyer të mbyllura - por kjo është zgjedhja e prokurorit, duke thirrur së pari dëshmitarët e mbrojtur. Jam dakord që nuk ngjall besim. Personalisht, nuk jam i shqetësuar - thjesht ndodh që ne kemi shumë 'sesione të mbyllura' në fillim”, deklaroi avokati O’Reilly.
Lidhur me seancat private ka pasur shumë reagime në Kosovë, përfshirë nga avokatë dhe përfaqësues të veteranëve. Kjo pasi sipas tyre, kjo ndikon që qytetarët të mos besojnë në këtë gjykatë dhe procesin në veçanti.
Që nga e marta deri më sot, dëshminë e saj e ka dhënë vetëm një dëshmtiare.
Nacionale sjell pjesën e vetme që ka qenë publike gjatë dëshmisë së kësaj dëshmitareje:
Prokurori: Zonja dëshmitare, a jeni intervistuar më herët nga Prokuroria e kësaj gjykate?
Dëshmitarja: Po në Prishtinë.
Prokurori: Në dy raste apo jo?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia juaj në faqen e parë?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: A është kjo dëshmia e dytë për ZPS-në?
Dëshmitarja: Po.
Prokurori: Kohët e fundit a keni pasur mundësi të rikujtoni dy intervistat?
Dëshmitarja: Po, konsideroj që po.
Prokurori: Në seancën përgatitore javën e kaluar renditët disa ndryshime që duhet bërë në këto intervista?
Dëshmitarja: Po
Prokurori: Këto ndryshime a janë reflektim? Përmbajtje e redaktuar.


