Pas raportimit të Nacionales, Policia interviston dy persona të dyshuar për keqpërdorim të mbi 100 mijë eurove në një çerdhe
Pas raportimit të gazetës Nacionale, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në kryeqytet.
Në njoftim, thuhet se hetimet e Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë nxjerrë në pah prova që sugjerojnë skema të manipulimit me subvencione.
Përveç kësaj, dyshimet përfshijnë edhe tërheqje të dyshimta të parave nga llogaritë e institucionit, si dhe blerje të pajisjeve elektronike pa arsyetim të nevojave reale të çerdhes.
Dëmi financiar, sipas hetimeve fillestare, mund të kapë vlerën mbi 100 mijë euro.
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë. Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare. Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale. Hetimet janë duke vazhduar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe shumat e sakta të dëmit të shkaktuar që mund të arrijnë vlerën mbi 100 mijë euro. Dy të dyshuar janë intervistuar dhe njeri nga ta dergohet në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore. Policia mbetet e përkushtuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike, duke bashkëpunuar me institucionet e drejtësisë.” – thuhet në njoftimin e Policisë.