Paraburgimi për sulmin ndaj policëve, avokatët e Lushtakëve presin vendimin nga Apeli - NACIONALE

Paraburgimi për sulmin ndaj policëve, avokatët e Lushtakëve presin vendimin nga Apeli

1 vit më parë

nga Besian Beha

Nuredin Lushtaku, Arif Lushtaku e Faton Lushtaku, vazhdojnë të jenë në paraburgim për sulmin ndaj policëve që ndodhi para më shumë se një muaji. E për ta kundërshtuar këtë masë, avokatët e Lushtakëve i janë drejtuar Gjykatës së Apelit. Kjo pasi Gjykata e shkallës së parë, i ka lënë në paraburgim tre të dyshuarit.

Avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini, tashmë e ka deponuar ankesën e tij në Gjykatën e Apelit. Ai po vlerëson se vazhdimi i paraburgimit edhe për 2 muaj për klientin e tij, nuk ka asnjë bazë.

Qerkini ka vlerësuar për gazetën Nacionale, se aktualisht janë dëgjuar shumica e dëshmitarëve, përfshirë zyrtarët policorë. Sipas tij, policët janë të trajnuar që të mos ndikohen nga askush.

“Atëherë kur iu është caktuar paraburgimi, e vemtja bazë për caktimin e tij ka qenë rreziku që Nuredin Lushtaku mund të ndikojë në dëshmitarë. Tash ata policë që kanë qenë në vendin e ngjarjes janë intervistuar nga Policia, pra janë deponuar deklaratat në Polici. Edhe unë nuk jam pajtuar se ka rrezik për të ndikuar në dëshmitarë, për faktin se ata kanë dhënë deklaratat e tyre dhe janë policë sipas detyrës, ata nuk mund të ndikohen sepse janë të trajnuar të mos ndikohen”, shprehet Qerkini për Nacionalen.

Nuredin, Arif e Faton Lushtaku, dyshohet se kishin sulmuar dy policë, pasi të njëjtit, paraprakisht kishin gjobitur djalin Nuredin Lushtakut. Si pasojë, dy policët u detyruan të marrin edhe ndihmë mjekësore.

Megjithatë, sipas avokatit Qerkini, Prokuroria ka zhvilluar shumicën e hetimeve, që si rezultat, e bëjnë të panevojshëm paraburgimin.

“Ndërkohë janë dëgjuar shumica e dëshmitarëve, shumica e policëve, kanë mbetur edhe 2 ose 3 dëshmitarë. Unë jam thirrur në parimin e proporcionalitetit sipas të cilit sa më shumë që mbledhen prova e që janë në dispozicion të Prokurorisë, aq më e vogël është arsyeja që i pandehuri të mbetet në paraburgim. Në bazë të këtij parimi, nëse Prokuroria ndërmerr veprime hetimore dhe merr disa prova, atëherë zbuten nevojat e sigurisë, dhe masa duhet të zëvendësohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak ose paraqitje të stacionit, ose mos t’i afrohet vendit apo personave të caktuar”, theksoi avokati i Nuredin Lushtakut, Artan Qerkini.

Qerkini pret që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën e tij, dhe vendimi të merret sa më shpejt.

Sikur Qerkini, ankesën në Gjykatën e Apelit e ka dorëzuar edhe avokati i Arif Lushtakut, Haxhi Millaku. Ai e ka vlerësuar vazhdimin e paraburgimit, si masë të tepruar.

“E kemi bërë ankesën. Asnjë prej bazave juridikisht nuk qëndrojnë që iu është vazhduar paraburgimi, pasi të gjitha veprimet i ka ndërmarrë Prokurori i Mitrovicës. Edhe ekspertizat, edhe dëshmitarët, edhe policët, edhe të gjitha i ka kryer. Qajo masë është pak e tepruar. Nuk ka avokat që nuk pret me iu aprovu ankesa, a e vlerëson ashtu Gjykata e Apelit, ne nuk e dimë”, u shpreh Millaku për Nacionalen.

Millaku ka treguar se në cilat arsye është mbështetur Gjykata në shkallën e parë, kur ua ka vazhduar paraburgimin të dyshuarve.

“Gjykata është thirrur në tentim-ndikimi, tri prej pikave që parashihen: arratisja, pengimi i procedurës, shkatërrimi i provave e pengesat në dëshmitarë. Nuk qëndrojnë këto asnjë. Çka ka dashtë me këtë vendim nuk e di, ndoshta ka dashtë me gju topin te Apeli që ta vlerësojë. Prokurorja i ka kryer 80% të punëve, dhe është në pritje të një raporti që mjekësia ligjore mund ta vonojë, por e dimë se lëndimet kanë qenë të lehta”, përfundoi Haxhi Millaku në prononcimin e tij.

Nuredin, Arif, e Faton Lushtaku, fillimisht ishin liruar në procedurë të rregullt, e më pas ata u arrestuan për të mbetur në paraburgim që nga 4 korriku.

Vazhdimi i paraburgimit

Gjykata e Mitrovicës kishte vazhduar paraburgimin për dy muaj. Lajmin e kishin konfirmuar nga zyra për media e gjykatës.

“Prokuroria ka bërë kërkesë për vazhdimin e kësaj mase dhe gjykata ka vendosur zgjatjen e masës së paraburgimit për 2 muaj”, thuhej në përgjigjen për Nacionalen.

Kjo kërkesë ishte bërë nga Prokuroria e Mitrovicës.

“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre (3) personat që gjenden në paraburgim”, kishin bërë të ditur Prokuroria e Mitrovicës.

Avokatët e kishin kundërshtuar edhe vendimin e parë për paraburgim duke e dërguar në Gjykatën e Apelit. Por, Apeli nuk kishte gjetur ndonjë shkelje në vendimin e parë.

Si ndodhi sulmi ndaj policëve?

Sipas policisë, deri të incidenti ka ardhë pasi policia shqiptoi gjobë për kundërvajtje në trafik dhe pastaj të dyshuarit kanë sulmuar dy zyrtarët policorë.

“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR Skënderaj 02.07.2022 – 23:55. Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngajrjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar", thuhej në raportin e PK-së.

Detaje për rastin kishte dhënë edhe Prokuroria e Mitrovicës.

“Mitrovicë, 04 korrik 2022 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarit F.L., dhe A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë.Njëherit, pas grumbullimit të provave të mjaftueshme për këtë rast, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë ka lëshuar vendimin për ndalim për të dyshuarin N.L., por i njëjti ende nuk është hasur nga policia dhe është në kërkim. Posa të arrestohet, ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura penale”, thuhej në njoftim.

Ky incident, kishte nxitur shumë reagime në opinionin publik.

Lajme të ngjashme