Milioner për pak: Kjo është pasuria e Nuredin Lushtakut, i dyshuar për plagosjen e policëve - NACIONALE

Milioner për pak: Kjo është pasuria e Nuredin Lushtakut, i dyshuar për plagosjen e policëve

1 javë më parë

nga NACIONALE

Teksti është botuar fillimisht më 3 korrik, ditën kur ishte raportuar për sulmin ndaj dy zyrtarëve policorë. Ribotohet pas caktimit të masës prej dy muajve paraburgim nga Prokuroria.

Ish nënkryetari i komunës së Skënderajt është njeriu më i përfolur i kësaj dite në Kosovë pasi dyshohet të ketë plagosur dy zyrtarë policorë. Por, cila është pasuria e tij?

Në të kaluarën jo fort të largët, z. Lushtaku ishte edhe deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai kishte qenë pjesë e kësaj partie për një periudhë të gjatë, duke qenë më herët edhe pjesë e UÇK-së dhe më vonë edhe TMK-së.

Por, ai kësaj partie do t’i kthente shpinën diku nga viti 2017 kur do t’i jepte mbështetje kandidatit të pavarur për kryetar të komunës së Skënderajt, z. Bekim Jashari. Kjo i mundësoi atij që të merrte edhe pozitën e nënkryetarit të komunës, që sot mbahet nga një Lushtak tjetër që mban emrin Sami.

Pasuria

Sipas të dhënave në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ku është deklaruar pasuria e z. Nuredin Lushtaku nga vet ai, del se ai është rrafsh milioner.

Në seksionin e pasurisë së paluajtshme në vitin 2020, ai i ka deklaruar saktësisht 1 milion e 6 mijë euro.

Ai ka një tokë gjashtë-hektarëshe në vlerë të 240 mijë eurove; një shtëpi me 200 metra katrorë që thotë se i vlen 100 mijë euro; ka një tjetër pronë në vlerë prej 300 mijë eurove, një truall në vlerë të 150 mijë eurove dhe një banesë me 450 metra katrorë në vlerë të 216 mijë eurove.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, ai ka një mercedes të vitit 2012 që deklaron se i kushton 30 mijë euro.

Në vitin 2020, ai ka deklaruar të ketë në xhirollogarinë bankare plot 8 mijë e 91 euro.

Paaga e tij vjetore ishte 8629 euro ndërsa nga pensioni i TMK-së i merrte edhe 5231 euro të tjera.

Lajme të ngjashme