"Kanë qenë me uniforma të UÇK-së" – Çfarë deklaroi dëshmitari i parë kundër Pjetër Shalës - NACIONALE

"Kanë qenë me uniforma të UÇK-së" – Çfarë deklaroi dëshmitari i parë kundër Pjetër Shalës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ka filluar prezantimi i provave në gjykimin ndaj Pjetër Shalës në Dhomat e Specializuara të Hagës. Dëshmitari i parë i Prokurorisë së Specializuar është paraqitur me masa të ashpra mbrojtëse. Me zë të deformuar, pa pamje, dhe në shumë raste me seancë private.

Në nisje të dëshmisë së tij, dëshmitari ka folur për rolin e babait të tij dhe punën që e ka kryer si pjesë e policisë para se të largohej dhunshëm.

Dëshmtiari është prezantuar si viktimë indirekte e krimeve të luftës, që pretendohet se i ka kryer Pjetër Shala. Në bazë të rrëfimit sado i vogël që ishte publik për qytetarët, ai ishte fëmija i një ish-polici që ishte larguar dhunshëm nga puna nga ish-regjimi.

“Për shkak të rrethanave të luftës, ministri i Brendshëm e ka qit në pension të dhunshëm. Ish një situatë jo e mirë. Ka dokumentacionin, ka të gjitha senet”, thotë ai, raporton Nacionale.

“Për atë arsye e kanë qit në pension të dhunshëm. Kanë qenë marrëdhënie të shkëlqyera me komunitetin. Ka pasë marrëdhënie të mira edhe me drejtorë shkollash. Nuk ka pas kurgjo jashtëligjore. Në vitin 1997 ka pasu shkarkimi i tij i dhunshëm”, deklaron më tutje dëshmitari i parë ndaj Shalës.

Ai ka thënë se nuk kanë qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, megjithatë e ka konfirmuar se e kanë përkrahur Rugovën dhe LDK-në.

“Aktiv nuk ka qenë. Si familje, babai im personalisht e kemi përkrah Lidhjen Demokratike të Kosovës të cilën e ka udhëheq presidenti Ibrahim Rugova”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmia e tij në shumë kohë ishte private. Megjithatë, në disa momente sa ishte e hapur prokurori pati pyetje direkte.

Më tej dëshmitari ka theksuar se babai i tij ishte i njohur në komunitet dhe nuk ka qenë i akuzuar asnjëherë për gjëra kriminale apo jashtëligjore.

Dëshmitari i mbrojtur më tej ka përshkruar ndikimin e babait të tij si oficer në komunitet dhe familje.

“Në komunitetin ku kemi banuar gjithçka ka qenë në rregull, domethënë ka qenë në mardhënie të mira, ka pas raporte të shkëlqyeshme me drejtorë të shkollave, personat që kanë qenë përgjegjës për rrethin-komunën mardhënie të shkëlqyeshme dhe mbrojtjen e atij rajoni ku nuk është bë asgjë joligjore, asgjë jashtë ligjit s`ka lënë që të bëhet dhe më pas ka pasu shkarkimi i tij i dhunshëm në vitin ’97”- ka deklaruar ai.

Akuzat ndaj Shalës

Dëshmitari ka përshkruar se çfarë ka ndodhur në maj të vitit 1998. Ai e ka përmendur edhe Lahi Brahimajn.

“Sa më kujtohet kanë ardhë dy persona të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Jabllanica, Hamëz Ibrahimaj dhe një person tjetër, herën e parë dy persona dhe kanë fol me vëllanë gjoja për dorëzimin armëve që i kemi pas për mbrojtjen e fshatit. Vëllai i ka thënë se baba nuk është këtu. Me ata dy persona unë kam dalë jam taku tek rruga e shtëpisë sime dhe më kanë thënë: ‘Armët duhet m`i dorëzu’. Unë i kam thënë armët që i kemi janë për mbrojtjen e fshatit dhe nuk është e arsyeshme m`i dorëzu. Ata më thanë është urdhër nga Lahi Brahimaj‘”– deklaroi dëshmitari.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, dëshmitari tha se i akuzuari Pjetër Shala i kishte thënë babait të tij, se ishte ai që e kishte gjuajtur lokalin që e kishin para luftës dhe se e kishte thënë, “pse nuk na ke pritur te shtëpia pasi unë kam ardhur me të marrë atë ditë”.

Prokurori e pyeti dëshmitarin pse nuk e ka përmendur Pjetër Shalën gjatë Tribunalit të Hagës. Dëshmitari deklaroi se nuk e dinte pse, duke shtuar se mbase hetuesit nuk e kanë pyetur.

Dëshmitari tha se në maj të vitit 1997, në shtëpi i kanë shkuar dy persona të UÇK-së nga Jabllanica dhe disa persona me rroba civile.

“Po disa kanë qenë më uniformë e disa kanë qenë me rroba si civile, logot e tyre të veshjeve ishin të UҪK-së. Po nga babi im kanë kërkuar që të vij edhe ta dorëzoj armën por babi nuk ka shkuar me ta, të tjerët nuk nuk i kam njohur por vetë dy prej tyre si dhe për Pjetër Shalën më kanë treguar disa nga fqinjët se është ai dhe ka qenë bashkë me të”, ka thënë dëshmitari

Sipas tij, Shala e ka keqtrajtuar babain e tij dhe personat e tjerë në një ‘hekurishte’ në Kukës, të Shqipërisë.

“Fillimisht pasi babanë e kanë mbajt në Kukës, në fabrikën e hekurishtes, si të themi hekurishte, aty Pjetër Shala personalisht babait tim i ka ushtruar dhunë, forcë, elketro shok, bejsboll, bishta të sakicës dhe rrahje masive me gjithë të ndaluarit e tjerë së bashku”- tha dëshmitari TW4-08.

“Është goditur në kokë… është djegur me cigare, ku cigaret janë shukur në trupin tij, elektro-shok, bejsboll, mjete të forta. Kjo ka ndodhur derisa një ditë kur ka ardhur në shtëpi që e kanë pru njerëzit”, tha më tutje ai.

Ai përmendi emrat e personave që dyshohet se kishin kryer këto krime. “Sabit Geci, Gjimshit Krasniqi dhe Pjetër Shala me njerëzit tjerë që s’ia ka ditë emrat”- tha ai.

Dëshmitari sqaroi detaje si e kuptoi që Pjetër Shala ishte njëri nga ata që kishte shkuar në shtëpinë e tij.

“Kur kanë qenë, kanë qenë do kojshi dhe i kanë thënë ktyne: Çka po lyni këtu? Çka jeni ka doni? Këta që kanë qenë ushtria i kanë thënë ik largohi andej. Aty e kanë identifikuar se ka qenë Pjetër Shala. Kur unë jam interesuar për rastin kush ka qenë, më kanë thënë Pjetër Shala, njeri i cili ka qenë për trombllonë për ndërtesat e fortifikuara. I pari tek dera ka qenë Pjetër Shala, njerëzit e kanë njoft, unë se kam njoft”- deklaroi dëshmitari.

Pjetër Shala dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës në Fabrikën e Metalit në Kukës. Ai po qëndron në paraburgim që nga koha kur është arrestuar.

Dëshmitari gjatë ditës së sotme është marrë në pyetje nga Prokuroria, avokati i viktimave dhe avokati i Pjetër Shalës. Seanca do të ketë gjatë gjithë javës.

Lajme të ngjashme