Deri tash në fshehtësi totale, por Prokuroria e Hagës i publikoi vetë emrat e viktimave: Pse? - NACIONALE

Deri tash në fshehtësi totale, por Prokuroria e Hagës i publikoi vetë emrat e viktimave: Pse?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Lajmi kryesor në ditën e djeshme ka qenë publikimi i shumicës së emrave të viktimave nga Prokuroria e Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së. Pas më shumë se 2 vjet të arrestuar e në paraburgim, ky veprim i Prokurorisë erdhi pak ditë para se të fillojë zyrtarisht gjykimi.

Aktakuza me më pak redaktime e dorëzuar nga Prokuroria te mbrojtja, ka zbuluar edhe emrat e një pjese të madhe të viktimave. Duke ditur se deri më tash Prokuroria e Specializuar ka punuar me konfidencialitet tejet të madh, avokatët e juristët e vlerësuan si diçka për t’u habitur.

Nuk dihet arsyeja pse publikimi i aktakuzës me më pak redaktime është bërë publike menjëherë, e sipas avokatëve kjo nuk përkon me ambientin që e ka përshkruar vazhdimisht Prokuroria, për frikësimin e dëshmitarëve në Kosovë.

Në mesin e emrave të publikuar dje, ashtu siç ka raportuar edhe gazeta Nacionale, janë shqiptarë e serbë. Madje, për një pjesë prej tyre ish-liderë të UÇK-së si Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, ishin gjykuar nga Tribunali i Hagës.

Në rajonin e Drenasit viktimat që pretendohet janë vrarë janë: Emin Emini, Ibuzh Hamza, Hyzri Hajziri, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashit, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri, Hasan Hoxha dhe Ajet Gashi.

Ferizaj: Dimko Parliq, Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci, Nezir Tropojani.

Gjakovë: Nenad Remistar, Skender Kuqi, Pal Krasniqi, Mirko Joviq, Dzemo Zuljiq.

Lipjan: Arben Avdyli, Ymer Xhafiqi, Sherafedin Ajeti, Veljko Markoviq, Nebojsa Gjuriqiq.

Fillimisht në nisje të aktakuzës tregohen pozicionet e secilit prej të akuzuarve në UÇK, dhe rolin e tyre gjatë kohës së luftës. E më pas tregohen për krimet të cilat krerët e UÇK-së akuzohet se i kanë kryer.

Ja si e paraqet në një shembull Gjykata Speciale, pjesëmarrjen direkte të Thaçit e të tjerëve, në njërin prej krimeve të pretenduara.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, morën pjesë personalisht në trajtimin e kundërshtarëve në terren duke marrë pjesë në frikësimin, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e kundërshtarëve. Në qershor 1998, dy kundërshtarë të cilët ishin arrestuar, janë marrë në pyetje dhe në një rast janë rrahur rëndë nga anëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale në shtabin e Drenocit. Më pas u dërguan në drejtim të Shtabit të Pëgjithshëm që drejtohej nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, dhe ku Rexhep Selimi ishte personalisht i pranishëm. Më pas, për ta nuk u pa e as dëgjua më”, thuhet në një pjesë të aktakuzës me më pak redaktime, transmeton Nacionale.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së fillon më 3 prill.

Viktimat e njëjta si në Tribunalin e Hagës

Megjithatë, një pjesë e këtyre viktimave të pretenduara, nuk është hera e parë që përmenden në rastet ku akuzohen pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha janë viktimat që Prokuroria i ka paraqitur për rajonin e Drenasit. Këta 9 viktima, pretendohet se janë vrarë në Malet e Berishës.

Në aktgjykimin e Limajt dhe të tjerëve në Tribunalin e Hagës, nuk ishte gjetur fajtor Limaj dhe Isak Musliu. Kjo pasi nuk kishte prova se të dy ishin përgjegjës për ndonjë veprim, apo në kuadër të zinxhirit komandues për kryerjen e këtyre krimeve.

“Dhoma u bind se nëntë nga të burgosurit e kamp-burgut të Llapushnikut (Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Harjizi, Shaban Hoti, Hasan Hoxha, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti dhe Shyqyri Zymer) u ekzekutuan në Berishë. Dhoma konstatoi se, përderisa ishte e qartë se Limaj dhe Musliu ishin nganjëherë pasues të atyre që kishin lidhje me aktakuzën në pozita komanduese në UÇK, dhe se Limaj më vonë u bë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, Prokuroria nuk kishte vërtetuar përfundimisht se ose kishte mbajtur pozita komanduese në lidhje me kamp-burgun e Llapushnikut në maj deri në korrik 1998”, thuhet në aktgjykim, transmeton gazeta Nacionale.

“Megjithatë, në një shqyrtim përfundimtar të provave, Dhoma konstatoi se nuk ishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm nga Prokuroria se Limaj kishte ndonjë rol në kamp-burgun, ose në ekzekutimet në malet e Berishës, ose se ai kishte çdo përgjegjësi penale për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej. Në lidhje me Musliun, Dhoma konstatoi se kishte pak prova për të identifikuar Musliun se kishte ndonjë lloj përfshirje në kamp-burg. Provat e paraqitura nuk arritën të vërtetonin se Musliu kishte ndonjë përfshirje në ngjarjet e akuzuara, ose në drejtimin e kampit të burgut, ose se ai ishte në ndonjë bazë tjetër penalisht përgjegjës për ndonjë nga veprat për të cilat ai akuzohej në aktakuzë. Për këto arsye, Dhoma Gjyqësore i shpalli Limajn dhe Musliun të pafajshëm”, thuhet në këtë vendim të Tribunalit të Hagës.

Pak a shumë për ngjarjen e njëjtë, tash akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Jo vetëm Fatmir Limaj. Edhe Ramush Haradinaj ishte akuzuar për krime lufte nga Tribunali i Hagës. Madje, disa nga viktimat që përmendeshin në rastin e Haradinajt, sot janë zbuluar sërish se do të përdoren nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.

Skënder Kuqi, Pal Krasniqi dhe Nenad Remistar përmenden si viktima të UÇK-së në aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Të tre ishin përmendur gjithashtu në aktakuzën e Tribunalit të Hagës ku Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj e Idriz Balaj ishin shpallur të pafajshëm.

“Të nesërmen, më 14 apo 15 korrik 1998, ose rreth këtyre datave, në objektin e UÇK-së në Jabllanicë u soll Pal Krasniqi, shqiptar kosovar i besimit katolik, i cili ishte nisur prej shtëpisë së tij në Pejë për t’u anëtarësuar në UÇK. Ai u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin. Disa orë më pas, Lahi Brahimaj solli në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, Dëshmitarin 3, shqiptar kosovar, i cili u mbajt në të njëjtën dhomë me Skënder Kuqin dhe Pal Krasniqin. Që të tre u rrahën vazhdimisht në objektin e UÇK-së në Jabllanicë”, thuhet në pjesën e parë të aktgjykimit të Tribunalit të Hagës.

Megjithastë, Haradinaj e Lahi Brahimaj nuk ishin gjetur përgjegjës për kryerjen e këtij krimi të pretenduar.

“Më 15 apo 16 korrik 1998 ose rreth këtyre datave, pas përpjekjes së tij të pasuksesshme për t’u arratisur nga objekti i UÇK-së në Jabllanicë, Skënder Kuqi u rrah shumë keq dhe më pas u çua në spital ku edhe vdiq. Dhoma është bindur se vdekja e Skënder Kuqit ishte pasojë e (komplikimeve) të lëndimeve të shkaktuara nga rrahjet që pësoi në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Akuza për vrasjen e Skënder Kuqit është vërtetuar”, thuhet më tutje.

“Pal Krasniqi pësoi rrahje të rënda dhe të vazhdueshme në objektin e UÇK-së në Jabllanicë. Dëshmitari 6 e pa për herë të fundit në objektin e UÇK-së në Jabllanicë, më 25 korrik 1998. Kufoma e tij u gjet në shtator 1998, në kanalin e liqenit të Radoniqit me lëndime në kokë, trup dhe duar, të shkaktuara nga armë zjarri. Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë lidhur me rrethanat e vdekjes së tij. Në rrethana të tilla, Dhoma nuk mund të konkludojë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se është vërtetuar akuza e vrasjes së Pal Krasniqit”, bëhet e ditur në aktgjykim, transmeton Nacionale.

Publikimi i emrave ka nxitur reagime gjatë gjithë ditës së djeshme.

Lajme të ngjashme