Nën masa të rrepta të sigurisë, kryetarja e Speciales me agjendë të ngjeshur në Prishtinë: Këto ishin takimet
Vizitën në Gjilan e anuloi për shkak të protestës nga Partia Socialdemokrate.Megjithatë, kryetarja e Gjykatës Speciale pjesën tjetër të agjendës gjatë qëndrimit në Kosvoë, duket se nuk e ndryshoi. Ajo ka pasur disa takime përgjatë dy ditëve të fundit, ku ka qenë e shoqëruar nga masa të shtuara të sigurisë. Nacionale sjell detaje.
Me studentë të juridikut. Me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Me shefat e misioneve diplomatike e shtetet kontribuuese të Gjykatës Speciale. Madje, edhe me përfaqsues të EULEX-it. Të gjitha këto, ishin takime që ka realizuar kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova gjatë qëndrimit në Kosovë.
Ajo vizitën në Gjilan e anuloi shkaku i protestës, megjithatë pjesa tjetër e agjendës nuk ndryshoi. Gazeta Nacionale raportoi mbrëmë se në hotelin ku po qëndron Trendafilova, ka pasur masa të shtuara të Policisë. Burimet anonime i ka thënë gazetës së ka pasur kontrolle të rrepta në atë zonë, përfshirë edhe njësitet policore me qenë.
Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën Nacionale, ka treguar në detaje për të gjitha takimet që ka pasur kryetarja Trendafilova gjatë qëndrimit në Kosovë. Pjesën më të madhe të takimeve, ajo i pati gjatë ditës së djeshme.
“Presidentja Trendafilova dje u takua me mediat dhe shoqërinë civile në një ngjarje informuese online dhe mbajti një ligjëratë për studentët kosovarë të drejtësisë në Prishtinë, ngjarje kjo e organizuar nga një organizatë joqeveritare. Këto ngjarje ishin pjesë e programit të informimit të Dhomave të Specializuar. Më tej, presidentja Trendafilova është takuar me OSBE-në, shefat e misioneve dhe shteteve kontribuuese të BE-së dhe me përfaqësues të EULEX-it. Gjatë takimeve të tilla, ashtu si në takimet e shoqërisë civile dhe mediave, ajo përgjithësisht jep informacion për statusin e procedurave publike”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale për Nacionalen.
Megjithatë, Gjykata Speciale nuk ka treguar pse e gjithë kjo agjendë, nuk ka qenë e njohur për publikun. Specialja ka dhënë detaje edhe për takimin me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Trendafilova sot në mëngjes ka takuar ministren e Drejtësisë. Tema të diskutimit ishin procedurat publike në vazhdim dhe puna e gjykatës, të drejtat e viktimave dhe të akuzuarve gjatë procedurës, roli i Avokatit të Popullit si dhe bashkëpunimi”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Për takimin me kryetaren e Speciales, ka njoftuar edhe ministrja e Drejtësisë.
“Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në vizitë, kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova me të cilën diskutuan për punën e Dhomave të Specializuara, përgjegjësitë e saj, të drejtat e palëve në procedurë, roli i Avokatit të Popullit, bashkëpunimi ndërinstitucional”, thuhej në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Në anën tjetër, takimi fizik me mediat e shoqërinë civile që ishte paralajmëruar për dje në mesditë, u anulua pasi PSD-ja kishte paralajmëruar protestë masive.
Çfarë tha kryetarja e Speciales?
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në konferencën online që e mbajti për media, deklaroi se nuk ka pranuar të bëhet pjesë e diskutimeve politike.
“Njerëzit kanë të drejtë të protestojnë. Ata kanë të drejtë të protestojnë. Edhe ne kemi të drejtën të mos përfshihemi në çfarëdo diskutimi politik, ne nuk jemi politikanë. Gjyqtarët e një institucioni gjyqësor, dhe gjyqtarët e gjykatës Speciale nuk përfshihen në politikë, nuk diskutojmë ne për politikë. Nuk jemi të gatshëm të hyjmë në diskutime politike. Dhe në mënyrë që të shamgnim zhvillimet e pakëndshme, kemi vendosur që takimi të bëhet online. Nuk ka kurrfarë arsye tjetër”, deklaroi kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës.
Ajo nuk pranoi të tregojë nëse ka pasur informacione nga institucionet e sigurisë në Kosovë, rreth protestës që ishte paralajmëruar.
“Sigurisht që është e pakëndshme të mos mbash një takim fizik. Unë erdha këtu për tu takuar me njerëz dhe biseduar. Nuk jam politikane. Është jo e duhur në cfarëdo diskutimi politik, nuk jam politikane, sikur të isha politikane nuk do të isha gjyqtare. Është një institucion i themeluar në bazë të parimeve. Janë pavarësia, paanshmëria dhe ne bëjmë betim për këtë para se të pranohemi për të punuar”, theksoi kryetarja e Gjykatës Speciale në këtë takim online me gazetarë e shoqërinë civile.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, nuk ka pranuar të ofrojë shumë detaje për proceset që po zhvillohen atje. Trendafilova tha se nuk mund të flas për kërkesën që Salih Mustafa të dënohet me 35 vjet burg. Kjo pasi sipas ligjeve në Kosovë, dënimet për krime lufte nuk mund të jenë më të larta se 20 vjet.
“Në këtë rast, propozimi final i bërë nga përfaqësuesi i Prokurorisë, nuk do të kisha vazhduar më shumë me përgjigjen në këtë pyetje. Gjyqtarët e rastit do të shqyrtojnë të gjitha rrethanat sepciale, individuale, nëse unë do të përgjigjesha në cfarëdo mënyre në këtë pyetje, kjo do të perceptohej si përqim i ndonjë mesazhi nga ana ime. Ju e dini që nga ana e prokurorit, pikëpamja është tjetër”, theksoi Ekaterina Trëndafilova.
E në lidhje me vonesat e nisjes së gjykimit në rastin e Thaçit, kryetarja e Speciales tha se ka shumë materiale, dhe gjyqtari ka trajtuar rastin paanshëm.
“Në rastin Thaçi: mund të them që pikë së pari pyetja e juaj trajton kohëzgjatjen e trajtimit të një rasti. Unë kam detyra të tjera krahas asaj si kryetare. Është e pritshme që në një rast të tillë, që deri në fund të këtij viti dhe më së voni në fillim të vitit të ardhshëm do të fillohet procedura sepse gjyqtarët dhe të gjithë pjesëtarët janë marrë me shqyrtimin e të gjithë dokumenteve të rëndësishme. Gjyqtarët kanë qenë të kujdesshëm. Unë çka po dëshiroj të them, në një mënyrë, mua mu bë me dije se gjyqtarët kërkojnë shumë materiale, shumë prova”, deklaroi kryetarja e Gjykatës Speciale.
Ajo ka paralajmëruar se do ta vizitojë sërish Kosovën, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor.