Miliona euro keqpërdorime të gjetura nga auditimi, Prokuroria rrallë merret me rastet - NACIONALE

Miliona euro keqpërdorime të gjetura nga auditimi, Prokuroria rrallë merret me rastet

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

121 raporte të hartuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) kanë gjetur keqmenaxhim të parasë publike e parregullsi të shumta në menaxhim financiar. 67 prej tyre, sipas Auditimit, dyshohen se përmbajnë elemente të veprës penale. Ato tashmë janë dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit, me punën e së cilës nuk është i kënaqur as kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas ZKA-së, situata me menaxhimin e parasë publike është më e rëndë se e viteve të kaluara. Në raportet e saj përfshihet keqpërdorimi i mbi 400 mijë eurove vetëm me shujta në Radio Televizionin e Kosovës, shkelje të prokurimit në KEK, e keqmenaxhim në nivelin qendror e lokal.

Por, njëjtë nuk mendon edhe prokuroria, e cila nuk është e bindur për nisje të hetimeve.

Ku qëndron problemi?

Gazeta Nacionale ka pyetur Zyrën Kombëtare të Auditimit në lidhje me zbatueshmërinë e rekomandimeve të tilla, si dhe bashkëpunimin e tyre me prokurorinë.

Sipas tyre, rastet e dërguara nga ZKA janë duke u trajtuar nga Prokuroria.

“Në rastet kur prokuroria kërkon, ZKA ofron sqarime plotësuese për secilin rast të adresuar. ZKA-ja vazhdon të jetë e gatshme për bashkëpunim dhe të ofrojë mendimin e saj të pavarur dhe objektiv për sa i përket rezultatetve të auditimit në të gjitha rastet që i kërkohet nga prokuroria apo institucionet tjera të rendit dhe ligjit”, thonë nga ZKA.

Megjithatë, numri i rasteve të evidentuara të keqmenaxhimit të parasë publike nga ZKA, është në shpërputhje me numrin e rasteve që ka trajtuar prokuroria.

Nacionale është interesuar edhe për metodologjinë e përdorur nga ZKA, duke pyetur nëse gjetjet janë të bazuara.

“Procesi i auditimi realizohet në përputhje me Ligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, Standardet Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit si dhe praktikat e mira. Auditimi është një proces kompleks analitik i bazuar në rregulloren e punës, udhëzuesit e auditimit dhe i mbështetur në dëshmitë audituese. Në përputhje më këtë, ZKA disponon metodologji profesionale mjaft të avancuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht që siguron analiza dhe ekzaminime cilësore gjatë auditimit.", theksoi Zyra.

Tutje, kjo zyrë theksoi se i tërë sistemi i tyre është i dixhitalizuar, në atë mënyrë që siguron aplikimin efikas auditues.

Por, shoqëria civile, janë më të drejtpërdrejtë në lidhje me këtë “hallkë të këputur”.

Prokuroria çalon në hetime

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i ka thënë Gazetës Nacionale se gjetjet e këtij instituti korrespondojnë në atë se Prokuroria e Shtetit i injoron raportet e Auditorit.

“Gjatë monitorimit të korrupsionit në fushën e prokurimit publik, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka gjetur se ka një injorim të raporteve të ZKA-së nga ana e Prokurorit të Shtetit.

Përkundër faktit se në raportet e tyre ZKA gjejnë shkelje të vazhdueshme nga ana e institucioneve publike, ku në disa raste mund të ketë edhe dyshim të arsyeshëm për kryerje të vepra penale, këto raporte nuk trajtohen seriozisht nga ana e Prokurorit të Shtetit. Përgjithësisht, duket se nuk ka një vullnet brenda sistemit prokurorial për t’i trajtuar këto raste në mënyrë proaktive. Ky fakt është shumë problematik, pasi ia humb edhe kuptimin punës”, shprehet Shala.

Tërë këtë situatë nga IKD, e shohin si pasojë e mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Në këtë rast, kemi të bëjmë me mungesë të theksuar të bashkëpunimit ndërinstitucional”, shprehet tutje Shala.

Është vetëm një rast në Prizren kur Prokuroria është aktivizuar pas auditimit të ZKA-së.

37 shtëpi për skamnorët ishin planifikuar të ndërtohen në fundin e muajit nëntor në komunën e Prizrenit. Disa nga to u ndërtuan, e të tjerat jo.

Madje, pavarësisht se komuna e Prizrenit kishte paguar tenderin, materiali ndërtimor këtyre familjeve nuk iu shkoi kurrë. Kështu ata mbetën pa shtëpi.

Për këtë, po akuzohen pesë persona, katër zyrtarë komunalë, dhe pronari i një kompanie.

Gjithçka kishte nisur pikërisht nga gjetjet e Auditorit në Prizren, ku u dyshua se buxheti i komunës së Prizrenit ishte dëmtuar për 13 mijë euro.

Si rezultat u arrestuan katër zyrtarë komunalë e pronari i një kompanie, gjersa Gjykata e Prizrenit tashmë u ka caktuar 30 ditë paraburgim atyre.

Gazeta Nacionale ka mësuar se të gjitha rastet e evidentuara nga auditori, iu dërgohen për trajtim të mëtutjeshëm prokurorive kompetente.

Edhe këtë vit, të gjitha pretendimet për vepra penale të cilat janë evidentuar nga auditori, u janë dërguar prokurorive kompetente.

Por ende nuk dihet nëse këtë vit për dallim me vitet e tjera, këto pretendime do të konkretizohen me aktakuza nga prokurorët.

Lajme të ngjashme