Shumë shkelje në RTK – Auditimi gjen gati gjysmë milioni euro dëme veç me shujta, problem edhe avancimi - NACIONALE

Shumë shkelje në RTK – Auditimi gjen gati gjysmë milioni euro dëme veç me shujta, problem edhe avancimi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyra Kombëtare e Auditimit ka publikuar sot raportin në lidhje me gjetjet e auditimit në Radio Televizionin e Kosovës, auditim i cili është bërë për herë të parë. 431 mijë euro dëmtim i buxhetit të RTK-së pa dëshmi, zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm në mënyrë të jashtëligjshme, sistemim dhe avancim i stafit në mënyrë jo të rregullt, janë vetëm disa nga gjetjet kryesore të Zyrës.

Auditimi që përfshinë periudhën kohore 2019, 2020 dhe 2021, ka shpërfaqur shumë mangësi e ‘dallavere’ në këtë institucion, që u udhëhoq nga Ngadhnjim Kastrati, ish-drejtor i përgjithshëm i RTK-së, i shkarkuar nga Bordi i transmetuesit publik këtë vit.

Pagesa të parregullta të shujtës – dëmi mbi 431 mijë euro

Në këtë raport, më së shumti bie në sy një keqpërdorim gjigant, që Zyra e Auditimit beson të jetë kryer gjatë këtyre 3 viteve, me fondet publike.

Është fjala për pagesen e shujtave për punëtorët e televizionit publik, e cila rregullohet sipas Marrëveshjes Kolektive që ky institucion e nënshkruan me punëtorët e tij.

Sipas kësaj marrëveshjeje, të punësuarve u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës me orar të plotë për ditët e pranisë në punë. Vlera e kompensimit të ushqimit për një ditë pune është 2.5 euro.

Në këto 3 vite, sipas raportit, RTK kishte paguar shujta për stafin e rregullt në vlerë prej 1 milionë e 52 mijë e 491 euro.

Sipas analizës së bërë nga Zyra e Auditimit, vlera e cila do të duhej të paguhej në emër të shujtës ka qenë 617 mijë e 482 euro.

Tutje në raport thuhet se këto analiza e kalkulime janë bërë bazuar në shënimet për secilin punonjës të rregullt të RTK-së dhe sistemin elektronik të evidentimit.

Sipas raportit, secili punonjës do të duhej të kishte 176 orë evidentimi, siç parashihet në Ligjin e Punës, ndërsa diferenca me orët faktike të evidentimit ka bërë që të shkaktohet dëmi i mbipagesës së shujtës.

Sih tabelën:

Sipas auditimit, dëmi prej 431 e 399 euro ka ardhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e menaxhmentit.

Një tjetër problem që është evidentuar në këtë kontekst është edhe ajo se 58 punëtorë, kryesisht menaxhment i lartë dhe i mesëm, janë liruar për evidentim në sistemin e vijueshmërisë. Një gjë e tillë, ka shkaktuar huti nëse të njëjtit kanë shkuar realisht në punë, ndonëse atyre u doli rroga për punën e paevidentuar.

Përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm në mënyrë të jashtëligjshme

Përzgjedhja e Drejtorit të RTK-së gjatë vitit 2019, sipas këtij raporti duket se është bërë në mënyrë të jashtëligjshme, duke treguar edhe arsyen e votimit në shpërputhje me ligjin për RTK-në.

Gjatë vitit 2019, edhe pse kanë qenë të planifikuara 36 vende të reja pune, është rekrutuar vetëm pozita e Drejtorit të Përgjithshëm. Kjo duket të jetë vetëm shkelja e parë, në këtë drejtim.

Në raport evidentohet edhe shkelja në procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm. Sipas këtij raporti, Komisioni për përzgjedhjen e kandidatit për drejtor është formuar nga 7 anëtarë të bordit. Në këtë konkurs kanë aplikuar 9 kandidatë dhe pas testimit me shkrim janë përzgjedhur 7 prej tyre për intervistë.

Nga këta 7 kandidatë, 2 prej tyre janë përzgjedhur. Të njëjtit i janë nënshtruar procesit të votimit nga anëtarët e bordit të RTK-së.

Në votim kandidati fitues ka marrë 6 vota pro dhe 1 kundër.

Sipas këtij raporti, këtu është bërë shkelje, sepse sipas Ligjit të RTK-së, bordi në RTK përbëhet nga 11 anëtarë dhe për të emëruar apo shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm, duhen 2/3 e votave të anëtarëve të bordit.

Sistemimi dhe avancimi i stafit të rregullt në RTK, rritje e pagave të tyre pa bazë

Ndër gjetjet problematike të këtij raporti del të jetë edhe Sistemimi dhe Avancimi i stafit të rregullt të RTK-së. Në tabelat e paraqitura nga Zyra e Auditorit, vërehen “kapërcime” deri në 370 euro të pagave, në kundërshim me rregulloren e brendshme të televizionit publik.

Nga 26 mostra të përzgjedhura nga kjo zyrë në lidhje me sitemimin e stafit përgjatë 3 viteve, 15 prej tyre kanë rritje të pagës nga pozita paraprake. Dy prej tyre (pjesë e kësaj mostre), madje nuk kanë fare përgatitje profesionale për të ushtruar pozitën ku janë sistemuar.

Nga këto testime të kryera nga zyra e auditorit është evidentuar se këta persona janë avancuar në pozita dhe nuk janë sistemuar sipas rregullores.

Lajme të ngjashme