Kur (s’) do ta dekretojë presidentja Kryeprokurorin?
Janë bërë më shumë se 4 muaj, që kur Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për të parin e prokurorëve në Kosovë. Megjithatë, Isufaj i cili e fitoi garën në këshill, nuk po ia del ta marrë detyrën e re. Fillimisht shkak për këtë u bënë kërkesat nga shoqëria civile për anulimin e gjithë konkursit.
Kurse më vonë, dy kundërkandidatët e Isufajt, Shqipdon Fazliu e Kujtim Munishi, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ankesa ishte rrëzuar pasi Gjykata konstatoi se nuk janë shterur të gjitha mundësitë e tjera ligjore.
Por Shqipdon Fazliu, betejën aktualisht po e zhvillon në Gjykatën e Apelit. Derisa të zgjidhet përfundimisht kjo situatë nga gjykatat e rregullta, nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk do të vendoset për dekretimin ose jo të Isufajt.
Lënda e Fazliut momentalisht gjendet në Apel, aty ku avokati i Fazliut, Flakon Sylejmani, i ka thënë gazetës Nacionale se pret që lënda të kthehet në rigjykim. Kjo pasi shkalla e parë, ankesën e Fazliut e kishte vlerësuar si të pasafatshme.

“Ankesa është bërë për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës administrative, për shkak të konstatimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe për shkak të zbatimit të gabuar të së drejtës materiale. Përmes ankesës kemi kërkuar që ankesa të APROVOHET në tërësi si e bazuar të ANULOHET vendimi i Themelores, dhe t’i kthehet sërish Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentit për Çështje Administrative në rigjykim dhe rivendosje kjo çështje juridike”, tha Sylejmani.
Sa i përket zgjatjes së procesit gjyqësor në këtë rast, e rrjedhimisht vakumit në pozitën e kryeprokurorit që tash funksionon me ushtrues detyre, avokati Sylejmani thotë “është e vështirë të përcaktohet nga ana jonë, se sa do të zgjasë gjykimi, ndoshta gjykata e di më mirë”.

Driton Noci nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë gazetës Nacionale se me Kushtetutë të Republikës së Kosovës, nuk është i përcaktuar ndonjë afat kohor se kur presidentja duhet të vendosë për dekretim.
“Me dispozita kushtetuese apo ligjore nuk është përcaktuar shprehimisht ndonjë kufizim kohor brenda të cilës obligohet Presidentja të vendosë në lidhje me dekretimin e kandidatit të zgjedhur nga KPK-ja për Kryeprokuror të Shtetit. Mungesa e një kufizimi të tillë për vendosje nuk do të duhej të nënkuptonte kompetencë absolute të Presidencës që pafundësisht të zgjatë vendimin mbi propozimin e KPK-së. Përkundër kësaj, deri më tani nuk mund të konsiderojmë se presidentja ka kaluar përtej një afati të arsyeshëm kohor”, ka thënë Noci për Nacionalen.
Mirëpo sipas Nocit, paditë eventuale nga kandidatët nuk do të duhej të përbënin shkak që presidenca të presë derisa proceset gjyqësore të përfundojnë.
“Paraqitja eventuale e padive në gjykatat e rregullta nga kandidatët tjerë nuk përbën shkak të mjaftueshëm ligjor që Presidenca të presë verdiktin e Gjykatave të rregullta përderisa me Kushtetutë Presidentes i jepet kompetenca për vlerësimin përfundimtar të këtij procesi” ka shtuar Noci.
Saga që pret epilog?
Pra po hyjmë në muajin e pestë prej kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
Para se Isufaj të ulet në karrigën më të rëndësishme të drejtësisë në vend, i duhet vetëm edhe “konfirmimi” i presidentes Osmani. Ndonëse nënshkrimi i Osmanit për dekretime, konsiderohet akt formal, në rastin e kryeprokurorit të vendit, kjo çështje mund ta thyejë traditën e “formalitetit”.
Presidentes Osmani po i qëndron në tavolinë emri i Isufajt. Mungesën e nënshkrimit mbi dokumentin me emrin e këtij të fundit, presidentja e ndërlidhi me një proces që ende është i papërfunduar. Veç kësaj, Osmani kishte thënë se ka dilema për gjithë procesin e përzgjedhjes.
Presidentja Osmani pati deklaruar se po pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankesat e kandidatëve të tjerë, për të vendosur pastaj për dekretimin e kandidatit fitues, që nxorri këshilli.
“Jam njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese që një nga kundër kandidatët e ka dërguar lëndën në Gjykatën Kushtetuese dhe natyrisht që duhet të pritet se cili do të jetë vendimi rreth kërkesës për masë të përkohshme.Nuk është vendim i cili merret shkel e shko. Kryeprokurori në sistemin tonë të drejtësisë ka rol kyç në vendosjen e drejtësisë, prandaj edhe do të studiohet secili detaj”, pati deklaruar presidentja Osmani.
Gjykata Kushtetuese vendosi që ankesat e kandidatëve Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti, t’i shpallë të papranueshme. Në vendimin e Kushtetueses, arsye për papranueshmërinë e ankesave të dy ankuesve të lartëpërmendur, theksohet fakti se, Shqipdon Fazliu e Armend Hamiti, nuk i kishin shterur mjetet juridike siq parashihet me ligj.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokurorë të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” thuhet në vendim.
Reagimet e shumta për Isufajn Kryeprokuror
Ndonëse KPK-ja vlerësoi se procesi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, ka qenë objektiv, transparent e gjithëpërfshirës dhe i bazuar plotësisht në meritokraci, kështu nuk e panë shoqëria civile e as ndërkombëtarët.
Organizata të shoqërisë civile, ishin shumë direkt në kërkesën e tyre, ata i bën thirrje Osmanit që të mos e dekretojë Isufajn për Kryeprokuror.
IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL ishin organizatat që reaguan, menjëherë pasi anëtarët e KPK-së e votuan unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror.
“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhej në komunikatë.
Edhe Bashkimi Europian, e specifikisht Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së të mërkurën.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, pati shkruar Szunyog në Tëitter.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shprehu po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, kishte thënë Rohde.
Ndërsa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier pati thënë se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve. Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, ishte reagimi i Ambasadoritt Hovenier.
Deri kur do të marrë fund kjo sagë nuk dihet ende, pasi presidentja ndodhet për një vizitë në Slloveni aktualisht. Deri në një vendim përfundimtar, pozitën e Kryeprokurorit si ushtrues detyre, po e mban Besim Kelmendi.


