Këshilltar politik, anëtar i KPK-së e kryeprokuror në speciale – karriera me shumë akuza e Blerim Isufajt
Shumë avancime, por edhe akuza. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë karriera e Blerim Isufajt në sistemin prokurorial të Kosovës. Tash atë e pret një garë tjetër, që të bëhet Kryeprokuror i Shtetit. Gazeta Nacionale sjell profilin, karrierën, dhe rastet e Isufajt, si anëtar, por edhe udhëheqës i sistemit prokurorial në vend.
Nga viti 2008 deri më 2010, ishte këshilltar i ministres së drejtësisë, Nekibe Kelmendi, që vinte nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pak javë pasi e la këtë pozitë, Blerim Isufaj u emëruar prokuror në Prishtinë, e cila aso kohe udhëhiqej nga Aleksandër Lumezi. Në vitin 2013, Isufaj ngritet në detyrë në Prokurorinë Speciale, e në vitin 2015 bëhet edhe anëtar i Këshillit Prokurorial. Një vit pas, ai ngritet sërish në detyrë duke marrë detyrën e Lumezit si kryesues i KPK-së. Në vitin 2020, anëtarët e Këshillit Prokurorial i dhanë bekimin Isufajt, që të bëhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.
Me dilema, zgjedhjen e Isufajt në krye të Prokurorisë Speciale, e kishte parë edhe Ambasada Amerikane në Prishtinë:
“Ambasada Amerikane nuk e mbështet dështimin e Këshillit Prokurorial për të zbatuar Rregulloren për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të PSRK dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhej në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.
Akuzat ndaj Blerim Isufajt
Pra, në gjithë karrierën e tij brenda sistemit prokurorial, Isufaj ka mbetur pa e shijuar edhe pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Megjithatë, rruga që të bëhet pasues i Lumezit, iu vështirësua pas ngritjes së një kallëzimi penal ndaj tij, nga Agjencia kundër Korrupsionit.
Isufaj dyshohet për deklarim të rrejshëm të pasurisë, gjë që sanksionohet me ligj. Çështja lidhet me një shumë prej 3 mijë eurosh, të cilën Isufaj nuk e kishte deklaruar në vitin 2019. Megjithatë, për të njëjtën çështje, vetë Isufaj në vitin 2021 i ishte drejtuar me një letër sqaruese kundër korrupsionit, duke u shprehur se bëhet fjalë për një gabim teknik. Pavarësisht kësaj, 3 vjet pas deklarimit të pasurisë, e një vit pas asaj letre sqaruese, Agjencia kundër Korrupsionit ngriti kallëzim penal, në kohën kur gara për Kryeprokuror të Shtetit, sa vjen e bëhet më e nxehtë.
Emri i Blerim Isufajt ishte përmendur edhe nga tashmë prokurori i famshëm, Elez Blakaj. Ky i fundit e kishte përmendur Iusfajn, se ka tentuar të ndërhyjë në rastin që njihet si veteranët.
“Më vjen keq edhe për z. Blerim Isufi për të cilin kam pasë respekt, por thjeshtë dua t’ia bëj me dije se provat ishin ato të cilat nuk më lejonin ta hiqja nga aktakuza z. Rrustem Berishën, përkundër insistimit të tij!”, kishte shkruar Blakaj. Për këto akuza, vetë Blerim Isufaj nuk kishte dashur të përgjigjet aso kohe.
Rastet e Blerim Isufajt
Blerim Isufaj, pas daljes në pension të prokurorit Sylë Hoxha, për një kohë të shkurtër ka përfaqësuar aktakuzën në rastin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Në këtë çështje penale për krim të organizuar, vrasje dhe korrupsion po akuzohen gjashtë persona duke përfshirë edhe zyrtarë policorë të Kosovës. Ky rast tanimë është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Isufaj kishte ngritur aktakuza edhe ndaj gjyqtarit në degën e Skenderajt, Rafet Ismajli, dhe Sali Berishës që ishte gjyqtar në Pejë. Të dy si të dyshuar për veprën penale marrje ryshfeti. Sa i përket rastit të gjyqtarit Ismajli, së fundmi, pas kthimit në rigjykim, është marrë vendim nga gjykata duke e dënuar atë dhe një zyrtar policor të përfshirë në këtë rast. Ndaj tyre, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burgim prej 20 muajsh dhe 1 mijë euro gjobë.
Blerim Isufaj kishte ngritur aktakuzë edhe ndaj Sanije Rexhës, bashkëshortes së ish-komandantit të UÇK-së Abedin Rexha, i njohur si “Sandokani”. Sanije Rexhën ai e akuzonte për keqpërdorim të detyrës dhe ushtrim të ndikimit, në rastin e njohjes së statusit për veteranët e UÇK-së. Por, Sanije Rexha ishte liruar nga Gjykata e shkallës së parë, dhe më pas edhe ajo e Apelit.
Pasuria e Isufajt
Një sasi të madhe të tokës, Isufaj e ka të deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsionit, shumica prej të cilës është raportuar si trashëgimi. Vlera totale e pasurisë së paluajtshme që posedon Isufaj, shkon në mbi 300 mijë euro.
Isufaj nuk ka të deklaruar as veturë, dhe para të kursyera nëpër bankat e Kosovës.
Gazeta Nacionale ka raportuar për profilet e të gjithë kandidatëve për kryeprokuror, përfshirë: Kujtim Munishin, Armend Hamitin, Lulzim Sylejmanin, Shqipdon Fazliun dhe së fundmi Blerim Isufaj.
Pas 5 kandidatëve, Gazeta Nacionale do të sjellë një përmbledhje të 7 vjetëve të Aleksandër Lumezit si kryeprokuror.