Blerim Isufaj propozohet për Kryeprokuror, tash topi te presidentja
“Zgjedhja e kryeprokurorit është më e rëndësishme se ajo e kryeministrit”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti.
Edhe zyrtarisht, Blerim Isufaj është kandidati që do të shkojë te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për dekretim si Kryeprokuror. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 11 vota pro ka vendosur që Isufaj të jetë pasues i Aleksandër Lumezit. Megjithatë, Isufaj edhe një ‘sfidë’ e ka para vetes. Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur, se çfarë pritet të pasojë pas vendimit të KPK-së.
Shkon Lumezi – vjen Isufaj. Si rimë mbase nuk përshtatet, por Këshilli Prokurorial ia dha ‘aminin’ që Blerim Isufaj të jetë pasues i Aleksandër Lumezit. Edhe një tjetër ‘amin’ i mungon aktualisht Isufajt, në mënyrë që edhe zyrtarisht të emërohet Kryeprokuror i Shtetit. Është dekretimi nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Votimi për Blerim Isufajn u bë sot në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ai mori 11 vota pro nga anëtarët e KPK-së.
Më 1 prill, komisioni vlerësues nga Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte shqyrtuar ankesat e kandidatëve të tjerë, duke vlerësuar se nuk kanë pasur bazë. Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve sipas pikëve ishte: Blerim Isufaj 98 pikë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.
Megjithatë, i gjithë procesi duke nisur nga shpallja e konkursit, është përcjellë me një debat të madh në publik. Ishte shoqëria civile e cila ditë më parë në një konferencë për media kishte kërkuar që procesi për zgjedhjen e Kryeprokurorit të kthehet në pikën zero. Gjatë monitorimit të këtij procesi, ata thonë se kanë parë një trajtim jo të barabartë që iu është bërë kandidatëve. Madje, shoqëria civile i kishte bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës ta anulojë procesin. Nëse jo, atëherë organizatat kishin kërkuar që presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretojë emrin e Kryeprokurorit të ri.
Ndërhyrjet e politikës
Që pas shpalljes së rezultateve, ku Blerim Isufaj doli më i votuari, zyrtarë nga partia në pushtet, kishin nisur me disa shkrime nëpër rrjete sociale. Fillimisht deputeti Mefail Bajqinovci duke udhëzuar se kandidatët është dashur të pyeten për Vetingun. E më pas edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi që tha se procesi duhet të kthehet nga fillimi.
Në të njëjtën linjë ishte edhe ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në një intervistë në Kanal 10 pak ditë më parë, Haxhiu pati kritika të ashpra për gjithë procesin, duke kërkuar që konkursi të anulohet.
“Procesi ka nisur keq, sepse ka pasur përpjekje të Britanisë që të bëjë vlerësim paralel me komisionin vlerësues. Ata nuk i kanë hapur dyert, dhe këtu ka nisur keq. Natyrisht nuk mund të jem e kënaqur me një proces të tillë. E mirëkuptoj shoqërinë civile, sepse zgjedhja e Kryeprokurorit është pozicion jashtëzakonisht i rëndësishëm. Deri tani KPK, nuk na ka dëshmuar që janë të interesuar që të kenë ndryshime, ka një përpjekje që t’i akomodojnë interesat e individëve brenda sistemit. Nuk jam fare e kënaqur me mënyrën se si bëheshin pyetjet. Mënyra e poentimit, fakti që kanë poentuar ashtu të tregon paraprakisht që procesi është për të akomonduar interesa të caktuar, sesa të zgjedhin një kandidatë me integritet e të guximshëm”, deklaroi Haxhiu.
Gazeta Nacionale ka mësuar se presidentja Vjosa Osmani po e shqyrton seriozisht që të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror. Në një konferencë për media ditë më parë, Osmani deklaroi se nuk komenton pa e pranuar emrin e propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“Meqënse ende nuk ka ardhur propozimi nga ana e Këshillit Prokurorial është pak e vështirë të përgjigjem në pjesën e fundit të pyetjes sepse nuk mund të paragjykojmë kush do të jetë emri përfundimtar që do të vijë në tavolinën time. Në veçanti për këtë emërim, integriteti duhet të dëshmohet, jo vetëm të flitet. Integriteti përgjatë tërë karrierës të personit që do të propozohet, duhet të dëshmohet dhe në këtë drejtim do të bashkëpunojë edhe me shoqërinë civile por edhe me të gjitha akterët e tjerë në mënyrë që Kosova të ketë Kryeprokuror që drejtësinë dhe vetëm drejtësinë e ka udhërrëfyes. Do të bashkëpunojmë me të gjithë akterët që janë involvuar në mënyrë që të ruhet integriteti. Për momentin nuk mund të prejudikohet sepse asnjë emër nuk më është propozuar zyrtarisht”, u shpreh Vjosa Osmani.
Megjithatë, ndaj deklaratave për kthimin e procesit në pikën zero kishte reaguar ashpër Këshilli Prokurorial i Kosovës.
“Prandaj, kjo është përtej çdo orvatjeje për diskreditim dhe denigrim me çdo kusht të këtij procesi nga ana e disa qarqeve, të cilat nuk ia duan të mirën jo vetëm sistemit prokurorial, por tërë sistemit të drejtësisë, kur dihet se tërë hapat, nga fillimi e deri tek kjo fazë e intervistimit, janë ndërmarrë në plotni me partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë mbështetur gjithmonë sistemin prokurorial. Krejt në fund, KPK-ja kërkon edhe nga përfaqësuesit politikë të institucioneve të ndryshme që të respektojnë pavarësinë e pushtetit prokurorial dhe të përmbahen nga çfarëdolloj deklaratash politike, të cilat do të vlerësoheshin si ndërhyrje në këtë proces të zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhej në njoftimin e KPK-së.
Kush është Blerim Isufaj?
Shumë avancime, por edhe akuza. Kështu mund të përshkruhet me pak fjalë karriera e Blerim Isufajt në sistemin prokurorial të Kosovës. Tash atë e pret një garë tjetër, që të bëhet Kryeprokuror i Shtetit. Gazeta Nacionale sjell profilin, karrierën, dhe rastet e Isufajt, si anëtar, por edhe udhëheqës i sistemit prokurorial në vend.
Nga viti 2008 deri më 2010, ishte këshilltar i ministres së drejtësisë, Nekibe Kelmendi, që vinte nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Pak javë pasi e la këtë pozitë, Blerim Isufaj u emëruar prokuror në Prishtinë, e cila aso kohe udhëhiqej nga Aleksandër Lumezi. Në vitin 2013, Isufaj ngritet në detyrë në Prokurorinë Speciale, e në vitin 2015 bëhet edhe anëtar i Këshillit Prokurorial. Një vit pas, ai ngritet sërish në detyrë duke marrë detyrën e Lumezit si kryesues i KPK-së. Në vitin 2020, anëtarët e Këshillit Prokurorial i dhanë bekimin Isufajt, që të bëhet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.
Gazeta Nacionale kohë më parë ka publikuar profilin e Blerim Isufajt të cilin mund ta gjeni KËTU.