Kryegjyqarja ‘s`është në Hagë’, as Avokati i Popullit, Kryeprokurorja refuzon: Liderët e Speciales bojkotojnë gazetarët nga Kosova
Gazetarë të ndryshëm nga media të Kosovës, po qëndrojnë në Hagë për ta përcjell gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kjo me rastin e 2-vjetorit të nisjes së procesit gjyqësor, por edhe përfundimit të dëshmitarëve të Prokurorisë.
Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm, gazetari i Nacionales, Besian Beha, njofton se të vetmit që pritet të jenë të qasshëm për gazetarët e Kosovës, janë zëdhënësit e Gjykatës Speciale.
Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka njoftuar se nuk gjendet në Hagë.
Kjo është hera e dytë ku kryetarja e Speciales nuk rastis të jetë në Hagë kur atje shkojnë gazetarët nga Kosova.
Edhe në prillin e vitit 2024, Trëndafilova kishte thënë se nuk gjendet në Hagë, dhe nuk mund të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve.
Kryegjyqtarja, pavarësisht premtimeve, ende nuk ka zyrtarizuar ndonjë datë për të ardhur në Kosovë, pas një kohe të gjatë mungese. Konferencën e fundit ajo e kishte mbajtur online.
Megjithatë, Trendafilova nuk është e vetmja që nuk iu përgjigj gazetarëve.
Arsyetimin e njëjtë e ka dhënë edhe Avokati i Popullit.
Ky i fundit, është shprehur i gatshëm të përgjigjet vetëm me shkrim. Edhe ky, e ka dhënë arsyen e njëjtë. “Nuk ndodhet në Hagë”.
Në anën tjetër, kryeprokurorja e Speciales, Kimberli West, ka refuzuar kërkesën e gazetarëve për ndonjë intervistë apo tip konference për media.
Në një përgjigje për Nacionalen, zyra për informim ka thënë se Kryeprokurorja nuk ka interesim të përgjigjet në pyetjet e mediave të Kosovës.
“Janë disa kufizime ligjore, profesionale dhe etike për të cilat Prokurorja e Specializuar mund të deklarohet në publik. Prokurorja nuk do të organizojë ndonjë konferencë për media javën e ardhshme dhe nuk do të jap asnjë intervistë për mediat”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.
Procesi gjyqësor në rastin e krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën e fundit.
Prokuroria e Hagës ka përfunduar me dëshmitarë, përderisa deri më 15 prill duhet t’i dorëzojë të gjitha provat materiale.
Nga Haga, Nacionale do të sjell intervista me avokatë dhe video të tjera informative për procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale.