Kaosi në drejtësi: A po ndërhyjnë “të fortit” në rastin Brezovica? - NACIONALE

Kaosi në drejtësi: A po ndërhyjnë “të fortit” në rastin Brezovica?

2 javë më parë

nga Arbër Ramadani

Rasti Brezovica e ka marrë vëmendjen e të gjithëve. Të sekuestruara miliona euro, vila e vetura. Nën pranga politikanë e biznesmenë. Të përfshirë sërish politikanë, sërish biznesmenë e gjykatës.

Në një hulumtim të “Betimit për Drejtësi”, janë ngritur pikëpyetje për ndërhyrje në rast nga gjyqtarët e Gjykatës në Ferizaj. Prokurori i rastit, Rasim Maloku, e ka paraqitur rastin në Këshillin Gjyqësor, Ministrja Haxhiu ka kërkuar që gjyqtarët të hetohen për vepër penale, e sot është liruar një asamblist i Vetëvendosjes nga paraburgimi.

Çka po ndodh me rastin Brezovica?

Sekuestrimi i gati 100 vilave, që u propozua nga prokurori Rasim Maloku e u miratua nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, ndonëse ka shënuar një akt serioz e të vlerësuar nga publiku, po del të jetë fillimi i ndikimeve të drejtpërdrejta në këtë rast. Një hulumtim i “Betimit për Drejtësi” ka vënë në pah ndikime brenda Gjykatës së Ferizajt.

Me propozimin e prokurorit Maloku e miratimit të gjykatësit Idrizi, vilat u janë sekuestruar edhe kryetarit të Gjykatës në Ferizaj, Mustafë Tahiri, Bashkim Hysenit, i cili ka qenë kryetar i Gjykatës Themelore në Ferizaj, tash gjyqtar në apel, e Agim Maliqit, ish-gjykatës në Ferizaj, tash në Gjykatën Supreme.

Fuqia e këtyre njerëzve brenda sistemit të drejtësisë është shumë e madhe. Shkaku i pozitave të cilat i kanë pasur e i kanë, përfshirja e tyre në listën e personave që e shëmtuan dhe e keqpërdorën Sharrin e bukur, po del se nuk po pranohet lehtë.

Çka ndodhi në Gjykatën e Ferizajt?

Meqenëse të përfshirë në këtë rast janë kryetari, ish-kryetari e ish-gjyqtari i kësaj gjykate, ka qenë kontestuese, nëse për sekuestrimin e vilave duhet të vendosë gjykata e Ferizajt apo ndonjë gjykatë tjetër e Kosovës.

Ishte vetë gjyqtari i procedurës paraprake, Ibrahim Idrizi, i cili kontestoi, nëse duhej të ishte ai që, ndër të tjera, do të vendoste për sekuestrimin ose jo të vilave të kolegëve e eprorëve të tij.

Ai zyrtarisht kërkoi të vlerësohej, nëse është rruga e duhur që të vendoste ai apo rasti të delegohej te një gjykatë tjetër. Kërkesës së tij iu përgjigj nënkryetarja e Gjykatës në Ferizaj, Mirlinda Bytyqi-Rexhepi. Pikërisht këtu filluan dyshimet e para për ndikim në këtë rast.

Nënkryetarja Bytyqi-Rexhepi, në përgjigjen e saj drejtuar Idrizit, i thotë atij të mos marrë asnjë vendim, me arsyetimin se e vë në dyshim paanësinë e gjykatës.

Pasi u njoftova nga Ju që në kërkesën për sekuestrim të përkohshëm të dorëzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është propozuar edhe sekuestrimi i përkohshëm i paluajtshmërisë së Kryetarit të GjykatësThemelore në Ferizaj, Mustafë Tahiri. Kërkoj nga ana Juaj që derisa të vlerësohet çështja e vendosjes së kësaj çështje penale, të mos ndërmerrni asnjë veprim, pasi që çdo vendosje nga kjo gjykatë do të mund ta vinte në dyshim paanësinë e kësaj gjykate”- thuhej në përgjigjen e nënkryetares së Gjykatës në Ferizaj për gjyqtarin që do të vendoste më pas për sekuestrimin e vilave – një të kryetarit e gati 100 të tjerave.

Arbitrare e ndërhyrje në punën e gjyqtarit e ka quajtur gjyqtari Idrizi këtë përgjigje të nënkryetares.

“Konsideroj se ky është një lloj arbitrarizmi dhe ndërhyrje direkte në punën e gjyqtarit dhe se në këtë drejtim nuk jemi kompetentë për të urdhëruar diçka të tillë”- ishte përgjigjja e gjyqtarit Idrizi.

Në disa shkëmbime letrash, të cilat i kanë parë kolegët nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjyqtari Ibrahim Idrizi e nënkryetarja Mirlinda Bytyqi-Kelmendi e kanë vazhduar përplasjen ndërmjet tyre deri në një paralajmërim të nënkryetares se do ta dërgonte gjyqtarin në procedura disiplinore.

Pas kësaj përplasjeje, gjyqtari Idrizi e ka dorëzuar lëndën, duke e proceduar atë për në Gjykatën Themelore në Pejë, përkatësisht te gjyqtari Shaqë Curri.

Dyshim tjetër, i cili u ngrit gjatë hulumtimit të “Betimit për Drejtësi”, ishte edhe një takim, i cili dyshohet që ka ndodhur ndërmjet gjyqtarit me vilë të sekuestruar, Agim Maliqi, dhe gjyqtarit Idrizi, i cili vendosi për këtë sekuestrim.

Dyshohet se Maliqi i kishte thënë Idrizit të mos e pranonte kërkesën e Rasim Malokut për sekuestrim të vilave, edhe pse këtë e ka mohuar vetë gjyqtari Maliqi.

Reagimet e ministres Albulena Haxhiu e prokurorit Rasim Maloku

E shqetësuar shumë ka thënë se ka mbetur edhe ministrja Albulena Haxhiu, e cila, për më tepër, ka kërkuar që kjo situatë të hetohet jo vetëm si shkelje procedurale, por edhe si vepër penale.

Pra, praktikisht, Haxhiu ka kërkuar që gjyqtarët që dyshohen se kanë tentuar të ndikojnë në rast, të ndiqen penalisht.

“Me shqetësim të thellë po i përcjell raportimet për ndërhyrjet flagrante në rastin e njohur Brezovica. Hetimet që po zhvillohen në kuadër të këtij rasti janë ndër më të rëndësishmet në luftën kundër korrupsionit që nga shpallja e pavarësisë. Pavarësisht parimit të prezumimit të pafajësisë, çdo dyshim i arsyeshëm për ndërhyrje në procesin hetimor nga ana e personit zyrtar, duhet të hetohet jo vetëm si shkelje disiplinore, por edhe si vepër penale. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe ushtrimi i ndikimit për të penguar proceset hetimore, përbëjnë një kancer në sistemin tonë të drejtësisë, një kancer të cilit duhet të gjithë së bashku t'i japim fund dhe atë sa më shpejt”- ka shkruar Haxhiu.

E prokurori Maloku krejt këtë situatë e ka denoncuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke e quajtur tendencë për ndikim te gjyqtari.

“Unë vërtet kam qenë i njoftuar për tendencat për ndikim të gjyqtari, që ndoshta nuk janë tendenca që konsumojnë elemente të veprës penale. Siç është një mentalitet në Kosovë që te themi për çdo gjë ndoshta tentojnë të ndikohet, jo në vendimmarrje, po t’i përcillet, të themi, një selam, mirëpo për ato çështje tash për tash nuk mund të deklarohem. Unë i kam informuar organet kompetente të Këshillit Gjyqësor dhe ato janë kompetente të ndërmarrin veprime të caktuara, nëse ka ndonjë shkelje nga gjyqtarët apo zyrtarët e tjerë që kanë tentuar të ndikojnë në punën e gjyqtarit”- tha para pak ditëve Maloku.

Çka ndodhi sot

Duke qenë se lënda tashmë gjendet në Gjykatën Themelore në Pejë, kjo gjykatë ka vendosur që t’ia ndërpresë masën e paraburgimit Berat Lahut, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë.

Lahu ishte në mesin e të dyshuarve, të cilit i ishte bastisur shtëpia e ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.

Berat Lahut iu zëvendësua masa e paraburgimit me një masë më të lehtë, që është ajo e ndalimit.

Kjo masë Lahut do t’i vlejë deri me datën 19 dhjetor të këtij viti.

Atij i është ndaluar që t’u ofrohet të pandehurve dhe dëshmitarëve në rastin “Brezovica”.

Lajme të ngjashme