100 vila të sekuestruara, dhjetëra të arrestuar, 6 milionë euro të ngrira – Aksioni Brezovica nuk ndalet - NACIONALE

100 vila të sekuestruara, dhjetëra të arrestuar, 6 milionë euro të ngrira – Aksioni Brezovica nuk ndalet

3 muaj më parë

nga Besian Beha

U vlerësua një nga aksionet më të mëdha kundër krimit e korrupsionit në Kosovën e pasluftës. Pas dhjetëra personave të arrestuar, miliona eurove të ngrira, janë sekuestruar 100 vila. Gazeta Nacionale sjell të përmbledhur gjithçka që duhet të din inga ky aksion.

100 ndërtime, kryesisht vila, janë sekuestruar gjatë ditës së sotme në Brezovicë. Kjo pasi është vërtetuar se këto ndërtime, kanë qenë në kundërshtim me ligjin. Ky aksion është në vazhdën e disa aksioneve të tjera për ndërtimet në Brezovicë, që ka nisur qysh në vitin 2021.

Këtu dyshohet se janë pëfshirë kryetari i komunës së Shtërpcës, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e inspektorë.

“Andaj, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë sekuestruar përkohësisht rreth njëqind (100) objekte ndërtimore, të cilat sipas Prokurorisë, janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale të përshkruara më lartë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Ferizajt.

Para këtij aksioni, Prokuroria e Ferizajt kishte zhvilluar inspektime edhe në terren, për të vërtetuar se ndërtimet atje janë në kundërshtim me ligjin.

Aksioni i fundit ishte zhvilluar më 21 shtator. Aty u arrestua edhe asamblisti i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, Berat Lahu.

Përveç Lahut, në aksionin e fundit për rastin Brezovica, ishin arrestuar edhe 6 persona të tjerë, duke e dërguar në 36 numrin total të personave të arrestuar për këtë rast. Një numër prej tyre janë në paraburgim, kurse disa tjerë janë në arrest shtëpiak ose me masa tjera të caktuara nga Gjykata.

Lahu si ish-punëtor i KEDS-it e zyrtarë të tjerë, po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Në mesin e të arrestuarve kishte qenë edhe ish-kryetari i Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq.

Aksionet që nuk po ndalen

Aksioni i parë: Mëngjesi i datës 21 dhjetor 2021 kishte gjetur Njësitet Speciale të Policisë në komunën e Shtërpcës. Atje nisi një aksion, që u vlerësua si një nga më të mëdhenjtë për hetimet e lejeve të ndërtimeve në Brezovicë.

Në fundin e vitit 2021, 10 persona u arrestuan nga Policia e Kosovës. Në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Mbi këtë të fundit rënduan dyshimet se kishte përfituar mbi 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë.

"Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve", kishte thënë prokurori Rasim Maloku.

“Kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura e armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt aso kohe.

Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, kishte arrestuar edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i dytë: Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aksion ishin arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi.

Prokuroria në aksionin e dytë, kishte sqaruar se në Ministrinë e Mjedisit ishin marrë një numër i madh lejesh, kryesisht leje ujore e mjedisore.

Gjatë aksionit ishin sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefonë dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav. Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.

Por, kur mund të ngritet aktakuza për rastin Brezovica?

“Tash për ato, janë afatet e hetimit. Kurdo që i bëjmë provat e ngritim aktakuzën, nuk e dijmë edhe ne me pas datë të caktuara, por sigurisht do të veprojmë brenda afateve ligjore”, përfundoi Rasim Maloku për gazetën Nacionale.

Aksioni i tretë: Më 3 mars 2022, kishte vazhduar sërish aksioni i njëjtë. Kësaj radhe ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme, që kishte rezultuar me 7 persona të arrestuar. Aksioni ishte realizuar në Prishtinë, Ferizaj, Skënderaj dhe Lipjan.

Tre prej të arrestuarve ishin ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët sipas komunikatës, dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni i katërt: Aksioni kishte vazhduar sërish edhe në gjysmën e muajit mars. Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se gjatë aksionit “Brezovica” janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”, S.I. dhe doganieri N.G.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar.”, thuhej në komunikatë.

Aksioni i pestë: Ky aksion kishte vazhduar edhe më 26 maj 2022. Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe tre persona të tjerë ishin ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, si të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me rastin “Brezovica”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në Ferizaj, personat e arrestuar janë Xhelil Bekteshi dhe tre personat e tjerë me inicialet I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Në total, në të gjitha aksionet numri i të arrestuarve ka shkuar në 36. Një pjesë e tyre ende në paraburgim, disa në arrest shtëpiak, e të tjerët edhe me masa të tjera. Kurse, janë ngrirë mbi 6 milionë euro.

Ndryshe, më 7 korrik, në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria kishte larguar të gjitha kamerat ilegale të sigurisë, që monitoroheshin nga strukturat paralele.

Lajme të ngjashme