Rasti “Brezovica, ky është ish-sekretari problematik që u arrestua sot - NACIONALE

Rasti “Brezovica, ky është ish-sekretari problematik që u arrestua sot

1 vit më parë

nga NACIONALE

Me urdhër të Prokurorisë, Policia e Kosovës sot kanë arrestuar katër persona në lidhje me aksionin “Brezovica”. Në mesin e të arrestuarve, është edhe ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës. Nacionale merr vesh se bëhet fjalë për ish-sekretarin Xhelil Bekteshi.

Por kush është Xhelil Bekteshi, i arrestuari sot nga Policia:

Në gusht të vitit 2021, Gjykata e Prishtinës ka dënuar me tre vjet burg dy ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, ndër ta Xhelil Bekteshin, për kepërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Atë kohë Bekteshit dhe një të arrestuari tjetër u është shqiptuar dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, edhe atë pas mbajtjes së dënimit me burgim. Ish-zyrtarët janë obliguar nga Gjykata e Prishtinës që t’ia kompensojnë Ministrisë së Infrastrukturës dëmin në vlerë 29,828 euro.

E Bekteshi në kohën kur Isa Mustafa e ka udhëhequr Komunën e Prishtinës, ka qenë drejtor i Financave.

Para se të emërohej si zëvendës-drejtor i Përgjithshëm në AAC, Xhelil Bekteshi e kishte mbajtur pozitën e sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës.

Më 29 janar të vitit 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit me pretendimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar. Në aktakuzë thuhet se Bekteshi e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) V.R. që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e Komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë – Kijevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016, në vend të datës reale 26 qershor 2016. Sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik me çmim të lartë 991,418 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Çka thotë sot prokuroria në njoftimin për arrestim?

“Personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 të KRPK-së dhe “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Ndërsa gjatë kontrollit, në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celuar, laptop dhe dokumente të ndryshme. /Nacionale.com/

Lajme të ngjashme