Aksioni që nuk po ndalet – Gjithçka që duhet të dini për dallaveret me prona e ndërtime në Brezovicë - NACIONALE

Aksioni që nuk po ndalet – Gjithçka që duhet të dini për dallaveret me prona e ndërtime në Brezovicë

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

36 persona të arrestuar, në mesin e tyre politikanë, zyrtarë të institucioneve e biznesmenë me ndikim. Dhjetëra lokacione të bastisura, konfiskime të parave, veturave e ngrirje të aseteve, që kapin vlera milionëshe. Ky është bilanci i deritashëm i njërit ndër aksionet më të mëdha të prokurorisë, që është parë në vend.

Në ballë të kësaj beteje po qëndron Prokuroria e Ferizajt, respektivisht prokurori Rasim Maloku.

Në aksionin e fundit, janë sekuestruar armë, telefonë, dokumentacione, e prova të tjera që janë vlerësuar të rëndësishme për fazat e tjera të hetimeve.

Ndaj të arrestuarve Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar 30 ditë paraburgim. Vendimi tash është në dorën e Gjykatës së kësaj komune.

Deri më tash janë ndërmarë 6 aksione të ndara, në data e lokacione të ndryshme. Të gjitha këto, me të vetmin qëllim; të zbulohet “mafia e ndërtimit”, lidhja ndërmjet biznismenëve e zyrtarëve publik, që mundësuan ndërtimin e betonizimin e Brezovicës, njërit ndër atraksionet kryesore të Republikës së Kosovës.

Aksioni i fundit vuri në pranga asambleistin e Vetëvendosjes

Aksioni i fundit në lidhje me këtë rast, i gjashti me radhë, i cili mban datën e 21 shtatorit të vitit 2022, vuri në pranga Berat Lahun, asambleistin e kryeqytetit, i cili në kuvend përfaqëson partinë më të pushtetshme në vend.

Lahut, policia i shkoi në shtëpinë e tij, ku edhe e arrestoi. Këtë për Nacionalen menjëherë pas prangosjes së tij e ka konfirmuar prokurori i rastit Rasim Maloku.

“Fakt që është edhe shtëpia e një asamblisti. Më tutje merrni ju informata, por është fakt që po”, ka thënë Maloku.

Lahu përveç pozitës që mbanë në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ai është edhe dhëndri i Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Përveç Lahut, në aksionin e 21 shtatorit, janë arrestuar edhe 6 persona të tjerë, në 3 qytete të ndryshme; Prishtinë, Podujevë e Fushë Kosovë, duke e quar në 36 numrin e përgjithshëm të të arrestuarve në këtë rast.

Pesë aksionet e tjera

Aksioni i parë: Mëngjesi i datës 21 dhjetor 2021 kishte gjetur Njësitet Speciale të Policisë në komunën e Shtërpcës. Atje nisi një aksion, që u vlerësua si një nga më të mëdhenjtë për hetimet e lejeve të ndërtimeve në Brezovicë.

Në fundin e vitit 2021, 10 persona u arrestuan nga Policia e Kosovës. Në mesin e tyre edhe ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq. Mbi këtë të fundit rënduan dyshimet se kishte përfituar mbi 1 milion euro nga dhënia e lejeve për ndërtimin e vilave në Brezovicë.

"Vetëm ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës dyshohet që ka marrë mbi një milion euro. Dyshohet se janë disa villa që janë përfituar si dhurata, vetura që janë marrë si dhurata për lëshimin e lejeve", kishte thënë prokurori Rasim Maloku.

“Kemi zbatuar një urdhër në disa lokacione, 4 persona janë në kërkim pasi nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre. Janë konfiskuar disa prova matertiale, vetura e armë. E rëndësishme është se gjatë zhvillimit të hetimeve prej 21 dhjetor deri më tani, nga të dhënat financiare që kemi siguruar, deri më tani kemi ngrirë afër 6 milionë euro”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë së Ferizajt aso kohe.

Pos Nikolliqit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, kishte arrestuar edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i dytë: Më 6 janar, Policia e Kosovës bastisi nëntë lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë, përfshirë edhe disa zyra të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë aksion ishin arrestuar shtatë persona, përfshirë edhe zyrtarë të kësaj ministrie. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe Kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi.

Prokuroria në aksionin e dytë, kishte sqaruar se në Ministrinë e Mjedisit ishin marrë një numër i madh lejesh, kryesisht leje ujore e mjedisore.

Gjatë aksionit ishin sekuestruar dokumente, vetura, armë, kompjuterë, telefonë dhe një uniformë e policisë së ish-sistemit jugosllav. Ndërkaq, në xhirollogaritë e të pandehurve tha se përveç 5,389,000 eurove janë ngrirë edhe 86,146 dollarë amerikanë.

Aksioni i tretë: Më 3 mars 2022, kishte vazhduar sërish aksioni i njëjtë. Kësaj radhe ishin bastisur 12 lokacione të ndryshme, që kishte rezultuar me 7 persona të arrestuar. Aksioni ishte realizuar në Prishtinë, Ferizaj, Skënderaj dhe Lipjan.

Tre prej të arrestuarve ishin ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe katër pronar të kompanive ndërtimore, të cilët sipas komunikatës, dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje, dhënie të ryshfetit, si dhe ushtrim i ndikimit.

Aksioni i katërt: Aksioni kishte vazhduar sërish edhe në gjysmën e muajit mars. Prokuroria Themelore në Ferizaj, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se gjatë aksionit “Brezovica” janë arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica”, S.I. dhe doganieri N.G.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda (DHKR) në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj për kontrollin e shtëpive dhe objekteve përcjellës, sot kanë realizuar aksionin “Brezovica ” ku, me ç’rast janë kontrolluar dhe bastisur shtatë (7) lokacione të ndryshme në Shtërpcë, në mesin e tyre edhe objekti i Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë dhe janë arrestuar dy (2) persona të dyshuar.”, thuhej në komunikatë.

Aksioni i pestë: Ky aksion kishte vazhduar edhe më 26 maj 2022. Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe tre persona të tjerë ishin ndaluar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, si të dyshuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me rastin “Brezovica”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë në Ferizaj, personat e arrestuar janë Xhelil Bekteshi dhe tre personat e tjerë me inicialet I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Në total, në të gjitha aksionet numri i të arrestuarve ka shkuar në 36. Një pjesë e tyre ende në paraburgim, disa në arrest shtëpiak, e të tjerët edhe me masa të tjera. Kurse, janë ngrirë mbi 6 milionë euro.

Ndryshe, më 7 korrik, në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria kishte larguar të gjitha kamerat ilegale të sigurisë, që monitoroheshin nga strukturat paralele.

Lajme të ngjashme