Aksioni "Brezovica", prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka treguar detaje për aksionin “Brezovica” që është duke u zhvilluar në Shtërpcë.
Sipas Prokurorisë, aksioni është duke u zhvilluar në objektin e komunës së strukturave paralele në Shtërpcë.
Aksioni është duke u zhvilluar nën dyshimin për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie e ryshfetit.
“Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, është duke vazhduar aksioni “Brezovica” përkatësisht, urdhër-kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit” - bëjnë të ditur nga Prokuroria.
“Lidhur me këtë aksion i cili është vazhdimësi e aksioneve të mëhershme, Prokuroria Themelore në Ferizaj do t’ju mbajë të informuar me kohë për të gjitha zhvillimet e tjera” - thuhet tutje në komunikatë.
Aksioni i parë ishte zhvilluar në fund të vitit të kaluar dhe kishte përfunduar me arrestimin e dhjetë personave. Njëri ndër ta edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.
Ai dyshohej që kishte përfituar 1 milionë euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Aksion tjetër për këtë rast është zhvilluar edhe më 3 mars të këtij viti, ku janë arrestuar shtatë persona.
Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Ushtrim i ndikimit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Marrja e ryshfetit” dhe “Falsifikim i dokumenteve".
Ndërsa, gjatë kontrollit në objektet e kontrolluara janë gjetur dhe konfiskuar: Dokumente të ndryshme, disa fletore me shënime, Tri (3) armë, Një (1) karikator me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm, Tre (3) fishekë të kalibrit 6.35mm, Njëzet (20) fishekë të kalibrit 7.62mm, Një (1) kompjuter, Një (1) veturë X6, Pesë (5) telefona, Një (1) orë dore.
Ndërkohë, autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin bërë të ditur se kanë ngrirë afër 6 milionë euro të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga arrestuarit në rastin e njohur si "Brezovica".
Brezovica është një ndër qendrat më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit. Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.
Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme dhe nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.